Kur Ardit Gjebrea prezantoi bashkëprezantueset e tij të Këngës Magjike, në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, në “E diela shqiptare”, për dy moderatoret e reja të Tv Klan, Arjola Shehu dhe Nevina Shtylla u sajua një lojë. Dy nënat e tyre ishin të ftuara për t’u vendosur kushteve vajzave: të zgjidhnin mes tyre cila do të shkonte me studime jashtë vendit, në mënyrë që, me gjasë, t’i linte koleges një hapësirë për të drejtuar një program të ri që do të nisë në Tv Klan. Meqenëse asnjëra nuk i zgjodhi, për momentin, studimet jashtë vendit, Arditi dha lajmin se ato të dyja do të drejtonin bashkë me të Këngën Magjike.

 

Nga pritshmëritë e publikut dhe nga reagimet e rrjeteve sociale, dy moderatoret e reja rezultuan të suksesshme. Ndonëse relativisht të reja në ekran, Arjola dhe Nevina e kaluan me sukses “provën” edhe të hapësirave të mëdha si Pallati i Kongreseve apo edhe prezantimin live.  

Megjithatë, pas të gjithë kësaj performance, diçka duket se na paska shpëtuar. Arjola Shehu dhe Ardit Gjebrea paskan lidhje gjaku? Kjo, në të vërtetë, nuk i heq asnjë meritë profesionalizmit të saj, por paska qenë një detaj më shumë që na bën të kuptojmë harmoninë e natyrshme të Arditit me Arjolën (edhe me Nevinën jo më pak).

Dyshimet janë krijuar gjatë ditës së sotme pas një komenti të motrës së Arditit, Anila Tase, e cila, në foton e Arjolës dhe Arditit, ka shkruar: “Shkëlqen fisi…” – duke etiketuar Arjola Shehun. Kjo e fundit, ia kthen menjëherë: “E kemi në gjak…”

Ky detaj ka qarkulluar menjëherë në portale duke u shoqëruar me komente, ndër të cilat “Arjola paska pasur edhe një “mik” të vogël në Klan”.

Nëse nuk e kanë zbuluar deri tani, është e qartë se pse. Arjola ia ka dalë të fitojë zemrat e publikut duke krijuar personalitetin e saj në ekran dhe kjo, gjatë gjithë rrugëtimit të saj ka qenë e dukshme.