Parisi është si një ëndërr. Disa e kanë pasur prej kohësh, disa të tjerë, do vijë një ditë dhe do e kenë...E rëndësishme është ta shohësh, të paktën një herë në jetë. Për ata që ende nuk kanë shkuar, por dhe për ata që po planifikojnë një vizitë më eksploruese, unë do jepja këshillat e mia, personale çfarë duhet parë dhe përjetuar në Paris, por dhe çfarë duhet shmangur...

Foto: Orsola Mema, Class Photography

1. Katedralja e Notre Dame-it

Si kulla Eiffel, katedralja e Notre Dame-it është një ikonë e Parisit. Ajo ndodhet përgjatë lumit të Senës dhe konsiderohet një kryevepër e artit gotik. Ndërtimi i katedrales ka nisur në fund të shekullit të 10-të dhe rifiniturat e fundit janë bërë 200 vjet më vonë...Do ishte një shans i humbur të shkoje në Paris dhe mos të shihje katedralen që ka i ka dhënë emrin dhe një prej romaneve më të bukur në botë. Para asaj fasade të gdhendur, skulpturave mistike dhe majave gotike do mendoni me siguri për Kuazimodon dhe Esmerladën.

2. Muzeu i Louvre-t

Nëse keni kohë për të vizituar vetëm një muze në Paris, ai duhet të jetë pa dyshim muzeu i Louvre-it. Muzeu është hapur për herë të parë në vitin 1793 dhe ka 35,000 vepra arti. Përfshirë dhe pikturën e Leonardo da Vinci-t, "Mona Lisa". Megjithatë, nëse doni një këshillë, mos prisni të shihni gjithçka në Louvre. Ai është masiv dhe me shumë vepra arti dhe ne si vizitorë kemi prirjen për të parë gjithçka, duke mos ia dalë asnjëherë, kështu që më mirë organizohuni.

3. Kulla Eiffel

E projektuar dhe e ndërtuar në vitin 1889 për Exposition Universelle, Panairin e Botës, Kulla Eiffel është struktura më e njohur e Parisit. Mund ta shihni ditën ose në mbrëmje, të pushoni në stolat e lulishtes poshtë saj, por dhe të ngjiteni për një përvojë ndryshe e për një pamje magjepsëse të Parisit, nëse do keni kohë të prisni në radhë. Unë do ju këshilloja megjithatë, që nëse do qëndroni pak në Paris, ta përdorni këtë kohë për një përvojë tjetër më unike.

4. Bazilikia Sacre-Coeur e Montmartre-s

Mbi një kodër të Parisit, bazilika "Zemra e Shenjtë" duket si një kështjellë e bardhë. Ajo ndodhet në lagjen Montmartre, dikur e populluar nga artistët bohemë, që vinin nga gjithë bota në Paris. Kryevepra e stilit romako-bizantin njihet lehtësisht nga larg dhe sa e thjeshtë mund të duket nga jashtë, aq e pasur është nga brenda, me një tavan ku shkëlqen mozaiku më i madh i Francës me temë kristiane. Pasi të vizitoni kishën, ndaluni në sheshin jashtë saj dhe shijoni pamjen e Parisit që hapet para jush.

5. Muri "Të dua"

Po në lagjen Montamartre, pranë stacionit të metrosë Abesses, ndodhet muri i dashurisë. Një fasadë me pllaka blu me mbi 311 deklarata dashurie në 250 gjuhë të ndryshme, ku do të gjeni dhe Të dua, është një takim shumë i mirë për të dashuruarit. Që kur i jam përkushtuar Class Events, dhe pse Parisi është plot vende elegante, për setet e fotove të martesave, e shoh këtë mur dhe si një vend ideal për fotot e një çifti modern.

6. Kopshti i Luksemburgut

Kur zhurma e qytetit bëhet shumë e lodhshme, drejtohuni për në Jardin du Luxembourg, ku mund të shëtisni në rrugicat dhe mes kopshteve të sistemuara ose thjesht të uleni e të shijoni, në formë pikniku, baguette-t me djathë francez. Fëmijët do argëtoheshin shumë aty, ata mund të lundrojnë me një varkë të vogël në Grand Basin, mund të ngasin ponit, të luajnë në këndet e posaçme ose të shikojnë një shfaqje në Theatre des Marionettes. Aty ndodhet dhe Musee du Luxembourg, megjithatë kopshtet e Luksemburgut janë edhe vetë, një muze i hapur.

7. Musee d'Orsay

Nëse keni kohë dhe për një muze tjetër, atëherë ai duhet të jetë Musée d'Orsay. Ju me siguri keni dëgjuar për vitet kur Parisi ishte qendra e piktorëve të gjithë botës. Aty do të shihni pikturat e tyre, veprat e njohura të shumë artistëve francezë dhe atyre që kanë jetuar në Francë. Ndërkaq nëse ngjiteni në ballkonin e sipërm, mund të keni një pamje mahnitëse të Bazilikës Sacré-Coeur përmes orës së madhe të tejdukshme të muzeut.

8. Champs-Élysées

Një nga shëtitoret më mahnitëse në botë, mbushur me dyqanet e markave më të njohura të modës, parfumeri, por dhe kinema dhe bare. Nëse e keni ndarë mendjen për të pasur një çantë Louis Vuitton, mund ta gjeni tuajën aty sigurisht, por nëse nuk keni ndër mend të zbrazni buxhetin e një viti e ta kujtoni udhëtimin në Paris si rrënimin tuaj financiar, më mirë shijoni luksin e shëtitores nga jashtë vitrinave dhe zgjidhni dyqanet dhe baret e lagjeve, siç bëjnë vendasit. Çmimet në këtë shëtitore janë shumë të kripura dhe bizneset mezi presin të përfitojnë nga turistët.

9. Harku i Triumfit

Në skajin perëndimor të Champs-Élysées, Harku i Triumfit, i ndërtuar me urdhër të Napoleonit, me një kuptim thellësisht historik, është një nga veprat më të njohura të Francës, gjithashtu e shndërruar në një titull romani. Është harku më i madh i llojit të tij në botë. Pranë tij ndodhet dhe monumenti i Ushtarit të Panjohur, i cili ndriçohet çdo mbrëmje.

10. Rruga Saint-Honoré

Nëse markat e njohura janë pasioni juaj dhe ato franceze dobësia më e veçantë, atëherë asgjë nuk do jua mbushë zemrën dhe nuk do jua zbrazë xhepat si dyqanet e rrugës Saint-Honoré. Vendi i parapëlqyer i fashionisteve në të gjithë botën, këtu ju mund të përplaseni me këdo, artiste japoneze, blogere amerikane, princesha arabe...Do i gjeni të gjitha aty, marka moderne si Colette, Damir Doma, Comme des Garçons, klasiket e njohura franceze si Goyard, Hermès, Chanel apo të tjera më pak të shtrenjta, por po aq me stil si Zara & Other Stories...Duke filluar në  Palais Royal dhe duke përfunduar në Elysée Palace, kjo rrugë është një parajsë pasditeje për të kënaqur blerësit më të palodhur.

11. Esenca e Parisit në një shishe parfumi...ose disa

Fansave të fragrancave unike dhe elegante, Parisi do iu duket qyteti i ëndrrave. Disa nga mjeshtrat më prestigjiozë të botës punojnë këtu duke kontribuar në traditën shekullore. Në Paris, gjeni parfumeri prestigjioze, klasikët e famshëm në gjithë botën, Fragonard dhe Guerlain, apo niche trendy, si Serge Lutens e Diptyque... aty nuk është një parajsë çmimesh, por mund të jeni të sigurt që do dilni me një parfum të cilësisë së jashtëzakonshme. Në këto dyqane, keni të garantuar mirësjelljen dhe vëmendjen e stafit, të trajnuar për t'ju ndihmuar të zgjidhni fragrancën për vete apo partnerin.

 

Shumica e këtyre dyqaneve janë të grumbulluara në arrondissement-in e parë të Parisit, pranë Palais Royal dhe Opera-s dhe në lagjen e njohur Marais, në Rue des Francs-Bourgeois dhe rreth saj, të gjithë vende për t'u vizituar, kështu që ju mund të zgjidhni një nga këto zona dhe t'i merrni me radhë dyqanet. Veç atyre që përmenda më lart, mund të shtoj Maître Parfumeur et Gantier, një markë të re, Annick Goutal, për stilin boudoir dhe femëror, apo Maison Francis Kurkdijan me një parfum shumë të këndshëm, APOM. Nëse nuk keni kohë, një vizitë në një nga qendrat tregtare të njohura, ku ka dhe shumë dyqane parfumesh do ishte një zgjidhje e shkëlqyer. Galeries Lafayette dhe Bon Marché kanë disa nga markat më të mira ndërkombëtare të parfumeve dhe tradicionale franceze.

12. Disney Land

Një destinacion i pashmangshëm nëse udhëtoni me fëmijët. Pak i kushtueshëm, por asgjë nuk do e blinte gëzimin e fëmijëve që do e mbajnë mend gjatë atë përvojë. Mund t'i prenotoni biletat online dhe atë ditë mos planifikoni asgjë tjetër sepse bota e përrallave është e pambarimtë. Disney Land Paris, sivjet feston 25 vite nga krijimi dhe aktivitetet dhe spektakli që ofron janë të pafundme. Nëse prisni mbrëmjen do shijoni dhe spektaklin e fishekzjarrëve. Kur fëmijët nuk janë me ju, mund t'i çoni një copë Disney, duke blerë në dyqanet e shumta, megjithatë, e përsëris asgjë nuk krahasohet me përvojën personale që ata mund të përjetojnë, aty.

13. Pallati i Versajës

Château de Versailles, pallati magjepsës dhe qendra e dikurshme e pushtetit ndodhet rreth 20 km në Jugperëndim të Parisit, në Versajë. Çdo vit, miliona udhëtarë i largohen pak Parisit për të parë me sytë e tyre madhështinë e chateau-s së famshme në të gjithë botën, por mes gjithë figurinave të arta, afreskeve dramatike, shandelierëve të kristaltë, ju do të gjeni dhe një pjesë historie.  

 

14. Shëtitjet me varkë në Senë

Është një përvojë shumë e këndshme ta shohësh Parisin me një varkë që lundron mbi Senë dhe Bateau Mouche do gjeni plot. Do shihni nga afër urat, përfshirë urën e Aleksandrit III me statujat e arta, ndërtesat e njohura, fasadat dhe i gjithë udhëtimi do jetë i shoqëruar me komente. Ju mund të zgjidhni një lundrim çlodhës, 2 deri në 4 orë. Një tjetër mundësi janë Batobus-et. Kjo linjë funksionon nga ora 10:00 am deri në 9:30 pm, çdo 20 minuta, dhe mund të merret në tetë stacione të ndryshme. Për 15 Euro mund të hipni dhe zbrisni sa herë të doni gjatë ditës. Ndalesat përfshijnë muzeun e Orsay-t, të Louvre-it, kullën Eiffel, Champs Elysées dhe Saint-Germain-des-Prés, një nga lagjet më të rëndësishme të Parisit. Nëse keni buxhet të kufizuar, mos përdorni taksi, linjat e metrove do ju lehtësonin qarkullimin.

15. Tregjet e vjetra në Rue des Martyrs

Rrugët e Parisit me tregje të vjetra janë shpesh të nënvlerësuara nga turistët që nxitojnë për të parë sa më shumë monumente të famshme. Do ta quaja të gabuar, sepse ato janë një pjesë autentike e Parisit, edhe pse sigurisht që monumentet nuk duhet t'i humbisni. Ndoshta nuk mund t'i vizitoni të gjitha, sidomos kur udhëtimi është i shkurtër. Megjithatë nëse do vizitoni vetëm një, ajo duhet të jetë një rrugë plot me dyqane djathërash, brumërash, nënproduktesh mishi, të njohura si fromagerie, boulangerie,  boucheries. Rue des Martyrs është një treg qendror lagjeje prej më shumë sesa 200 vitesh, ku stendat më të vjetra të një numri të madh produktesh, fruta, perime, peshk, ndajnë rrugën me më të rejat, ëmbëltore moderne, chocolatier-i, bare gourmet dhe butikë të rafinuar që i japin kësaj rruge një sharm të padiksuteshëm dhe atmosferë të gjallë.

16. Paris Passages

Këto gurë të çmuar arkitekturorë, paraardhëse të qendrave tregtare, me tavane xhami dhe dysheme me mozaikë, kanë qenë një vend i zgjedhur për parisienët e pasur të fillimit të shekullit të 19-të. Sot, me sharmin e kohërave të kaluara, këto korridore të mbuluara të ruajtura shumë mirë, ofrojnë një larmi butikësh, librarish, galerish arti, dyqanesh ëmbëlsirash dhe shumë më tepër. Dhe pse ka shumë për të parë, do përmendja Galerie Vivienne, Passage du Grand Cerf, Passages Joffroy & Verdeau, Passage Molière dhe Cour du Bel Air.

17. Croissant, macarons etj...

Nuk mund të ikni nga Franca pa provuar një croissant me gjalpë apo ca macaron-sa. Dhe meqë jeni në Paris, shijoni më të mirat. Shpikësi i tyre, Ladurée tani është shtëpia më e madhe e këtyre ëmbëlsirave në botë. Të thuash të drejtën janë pak të shtrenjta, por ke gjithmonë garancinë e shijes së shkëlqyer. E gjeni në Champs-Elysées. Një tjetër emër shumë i njohur i këtyre ëmbëlsirave është Pierre Hermé. Ëmbëltorja e tij kryesore ndodhet në Rue Bonaparte. Provoni macaroon-sat rozë me një recetë iraniane që ekuilibron në mënyrë të përsosur shijet e ëmbla dhe të hidhura. Dhe një këshillë shumë e rëndësishme...Mos mbesni peng vetëm e këtyre llojeve të ëmbëlsirave. Dyqanet e tyre në Paris janë një parajsë e vërtetë shijesh. Shkoni diku dhe zgjidhni sa më shumë...

18. Provoni sa më shumë lloje djathërash dhe vere

Mos ikni nga Parisi pa e ndier me të vërtetë shijen e Francës. Dhe nuk do e ndieni plotësisht nëse nuk provoni disa nga llojet e djathërave dhe sigurisht të verërave franceze. Laurent Dubois, Androuët, Alléosse janë vetëm disa nga dyqanet më me traditë të djathërave. Atje, konsiderohet e sjellshme të përshëndesësh shitësit, kështu që thoni "Bon Jour" sapo të hidhni këmbën në dyqan dhe më pas lini stomakun t'ju drejtojë. Camembert, Comté, Roquefort, Brie, janë vetëm disa nga llojet franceze të djathërave. Mos i lini djathërat e vetmuar. Parisi është qyteti i dashurisë dhe asnjë dashuri më e fortë sesa ajo e djathit dhe verës nuk është dëgjuar në botën e ushqimit. Edhe pse për verën janë të njohura rajone të tjera në Francë, në Paris mund të shijoni të gjitha llojet. Nëse jeni vërtet të apasionuar, mund të zhvilloni një tur të specializuar të shijimit të verës dhe shampanjës franceze në Paris, në të kundërt zgjidhni një nga baret e qytetit që me siguri nuk do ju zhgënjejnë.

12. Bistro-t dhe Café-të për shijen e vërtetë franceze

Nuk dua të ndalem te emra, por te atmosfera e veçantë e këtyre lokaleve tipike parisiene. Mundohuni të humbisni në lagjet e qytetit dhe të zgjidhni bare dhe bistro me pamje. Sa për ushqimin dhe pijet, është gjithmonë e sigurt që do mbeteni të kënaqur. Udhëtarët në sajte të ndryshme propozojnë, bistro dhe bare si Jaja, Café St Regis, Mascotte Montmartre, Café Constant. Ju nuk mund të shkoni në Paris e të mos hani një crepe. Breizh Café është vendi ku do të shijoni crepe-at më të mirë në qytet. Sigurisht mund të vizitoni Café de Flore. Shumë njerëz shkojnë aty sepse ka qenë zgjedhja e Picasso-s dhe Jean-Paul Sartre. Ne mund të shkojmë sepse kemi pasur një Kafe Flora në Tiranë dhe madje dhe një këngë me këtë titull. Ndodhet në këndin e bulevardit Saint-Germain. Në anën tjetër të rrugës, ndodhet Les Deux Magots, vendi i parapëlqyer i Simone de Beauvoir dhe Ernest Hemingway. Uluni në një vend me pamje dhe ndjeni shpirtin francez duke shijuar një café au lait.

20. Elegancën e hoteleve

Në Paris nuk mungojnë hotelet e luksit, me një traditë të jashtëzakonshme dhe emër të shkëlqyer. Nëse është një udhëtim dy-tri ditor dhe buxheti jua lejon, mund të zgjidhni një prej hoteleve më të njohura, që ndodhen në zonat më atraktive të Parisit që do mbështillnin me elegancë qëndrimin tuaj në Parisi. Do të veçoja Ritz, me barin Hemingway, sutiat me emrat e njohur Coco Channel, Chopin, Prince De Galles etj. dhe Four Seasons George V, por alternativë e shkëlqyer është dhe Pennisula, hotel Parister dhe Tiara Chateau Hotel Mont Royal apo Hotel Plaza Athénée, ku mund të pini çaj ngjitur me një nga blogeret më të njohura të modës. Nëse do të qëndroni për një javë, një tjetër mundësi e shkëlqyer, më e lirë, por gjithaq e këndshme, janë studiot e arreduara sipas stilit francez, ku do të ndiheni vërtet banorë të Francës.

Mbeten ende shumë gjëra, por mjafton të keni kohë dhe mundësi e me siguri Parisi do jua tregojë.