Ndonjëherë, disa të rinj të talentuar dhe fytyra simpatike ndodh t’i vësh re që në fillimet e tyre dhe pastaj sheh me kënaqësi sesi bëhen popullorë sepse shumë të tjerë i pëlqejnë. Ndonjëherë tjetër, i sheh vetëm pasi i kanë pëlqyer shumë të tjerë dhe ata tashmë janë bërë popullorë.
Me djalin e Arnold Schwarzenegger me siguri ne jemi me vonesë, por më mirë vonë se kurrë…
E ndeshëm rastësisht dhe nuk mund t’ia ndanim sytë…jo thjesht sepse është shumë simpatik dhe të bën për vete me atë buzëqeshjen e çiltër, por edhe sepse është kaq ndryshe nga i ati. Kurrë nuk do e imagjinonim që i biri i aktorit bodybuilder, shumë të njohur për rolet e tij prej të pamposhturi, do ishte një djalë me pamje kaq të ëmbël, që bën foto i përqafuar me një qenush të vogël, që puth të ëmën dhe i bën urime të lezetshme, babait, motrave dhe vëllezërve, si dhe të dashurës…po, sepse këta lloj djemsh zakonisht martohen me të dashurën e tetëvjeçares. Megjithëse, nëse Patrick do të vinte unazë me këtë bionden, do bënte shumë mirë, sepse është shumë e bukur dhe me siguri duhen shumë….
Po le t’ju njohim pak më mirë me Patrick Schwarzenegger, fëmijën e tretë të aktorit të njohur dhe ish-guvernatorit të Kalifornisë. Ai ka dy motra më të mëdha dhe një vëlla më të vogël, por edhe një gjysmëvëlla që ka lindur nga një histori dashurie e aktorit. Edhe Patrick ka luajtur në disa filma, por roli i tij i parë kryesor është në filmin e vitit 2017, Midnight Sun. Ai njihet gjithashtu si model.
Ka edhe gjak blu. Mos mendoni ndonjë familje mbretërore, është thjesht pjesëtar i familjes Kennedy.
Mamaja e tij, Maria Shriver, gazetare dhe shkrimtare është anëtare e familjes Kennedy. Mamaja e saj ka themeluar Lojërat Speciale Olimpike dhe ka qenë motra e ish-Presidentit John F. Kennedy dhe ish-senatorëve Robert F. Kennedy dhe Edward "Ted" Kennedy, ndërsa i ati ka qenë ambasadori amerikan në Francë dhe ka pasur gjithashtu angazhime të rëndësishme shoqërore dhe politike.
Djaloshi, që tani është 23 vjeç, me ndihmën e prindërve është vendosur në krye të një kompanie që kur ishte 15 vjeç. Ajo është një linjë veshjesh për burra me qëllime filantropike që ka fitime të shumta, siç raportohej në vitin 2010.
Ai është pjesë e LA Models që planifikon ta angazhojë në fushatat e Ralph Lauren dhe Armani. Patrick ka thënë që shpreson që ta bëjë më të njohur kompaninë e tij të veshjeve duke marrë angazhime të rëndësishme në botën e modës. Djali simpatik i Arnoldit ka punuar në qendra tregtare dhe ka pozuar pa bluzë për një reklamë shumë të dukshme xhinsesh që u ekspozua në Hollywood. Ai ka luajtur Romeo-n në klipin "Right There" të Ariana Grande-s.
Pak nga të gjitha, të gjitha me shumë ëmbëlsi…Harruam…është diplomuar për biznes vitin e kaluar.
Nëse të gjitha shoqet ranë në dashuri këtë verë dhe kishe mbetur vetëm ti, ky është një djalë që ia vlen ta ëndërrosh…