Ndahet papritur nga jeta Giorgos Mazonakis, këngëtari grek humb jetën në moshën 54-vjeçare

Bota e muzikës greke është tronditur nga lajmi i ndarjes së papritur nga jeta të Giorgos Mazonakis, një prej emrave më të njohur dhe më të dashur të skenës helene.
Këngëtari 54-vjeçar humbi jetën këtë të mërkurë, më 9 shtator, pas një arresti kardiak. Sipas mediave greke, atij iu dha menjëherë ndihma e parë nga ekipet e emergjencës dhe u transportua me urgjencë në spitalin “Elpis”, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti të mbijetonte.
Mazonakis ishte një nga figurat më të dallueshme të muzikës pop dhe laïko në Greqi, me një karrierë që shtrihej në më shumë se tri dekada.
Ai lindi në mars të vitit 1972 në Nikaia dhe e nisi rrugëtimin profesional në muzikë në fillim të viteve ’90. Me kalimin e viteve, stili i tij karakteristik, zëri i dallueshëm dhe prezenca e fortë skenike e kthyen në një nga artistët më të njohur të brezit të tij.
Këngë si “Savvato”, “Zilevo” dhe “To Gucci Forema” u kthyen në hite të mëdha jo vetëm në Greqi, por edhe për publikun shqiptar, ku Mazonakis kishte krijuar prej vitesh një bazë të gjerë fansash.
Lajmi për vdekjen e tij ka shkaktuar menjëherë reagime të shumta në mediat dhe rrjetet sociale greke, ndërsa kolegë dhe admirues kanë nisur të ndajnë kujtime dhe dedikime për artistin.
Giorgos Mazonakis largohet në mënyrë të papritur, duke lënë pas një karrierë të gjatë dhe një repertor që për dekada ka shoqëruar publikun grek dhe atë ballkanik.



