Ndahet nga jeta Toukie Smith, nëna e dy prej shtatë fëmijëve të Robert De Niros. Kush janë dhe me çfarë merren ata?

Drena, Raphael, binjakët Julian dhe Airyn, Elliot, Helen Grace dhe Gia: shtatë fëmijët e aktorit dhe rrugët e ndryshme që kanë zgjedhur.
“Toukie ishte një forcë e vërtetë e natyrës. La një gjurmë të pashlyeshme në zemrat tona dhe të kujtdo që pati fatin ta njihte. Bukuria, hijeshia dhe prania e saj e pakrahasueshme u hapën rrugën brezave të tërë të modeleve dhe stilistëve me ngjyrë në botën e modës.”
Me këto fjalë, Airyn dhe Julian De Niro i bënë homazh nënës së tyre, Toukie Smith, e cila u nda nga jeta të mërkurën, më 4 nëntor, në moshën 74-vjeçare, pas një beteje të gjatë me sklerozën multiple.
Modele dhe aktore, Toukie, emri i vërtetë i së cilës ishte Doris A. Smith, kishte sfiluar për Hubert de Givenchy, Chanel, Issey Miyake dhe Thierry Mugler, si edhe kishte pozuar për Vogue, Elle dhe Cosmopolitan. Në vitin 1978, Bloomingdale’s e shpalli Modelja e Vitit. Në Shtetet e Bashkuara njihej gjithashtu për rolin e Eva Rawley në serialin komik 227 të NBC-së.
Ajo “kontribuoi në formësimin e modës dhe kulturës amerikane”, kujtuan binjakët, të lindur nga marrëdhënia e saj me Robert De Niron.
Historia e dashurisë mes Toukie Smith dhe Robert De Niros
Toukie Smith dhe Robert De Niro ishin bashkë nga viti 1988 deri në vitin 1996. Marrëdhënia e tyre, e mbajtur larg vëmendjes së tepërt publike, solli në jetë binjakët Julian dhe Airyn në vitin 1995, përmes një nëne surrogate.
Në atë kohë, aktori ishte tashmë baba i Drenës dhe Raphaelit nga martesa me Diahnne Abbott. Pas binjakëve, De Niro u bë baba edhe tri herë të tjera, për herë të fundit në prill të vitit 2023.
Në një intervistë për People, në shkurt të vitit 2024, aktori tregoi se gjëja që i pëlqente më shumë të bënte me fëmijët ishte “thjesht të kalonim kohë bashkë dhe të udhëtonim në vende të ngrohta”. Këshilla që u kishte dhënë dhe do të vazhdonte t’u jepte ishte të mos e nënvlerësonin kurrë veten.
“Kaq mund t’ju them: shtyjeni veten pak më tej dhe përpiquni të arrini atë që dëshironi vërtet. Mos kini frikë.”
Por kush janë shtatë fëmijët e Robert De Niros dhe me çfarë merren?
Drena De Niro
E lindur në vitin 1971, Drena është vajza e Diahnne Abbott, bashkëshortes së parë të aktorit. De Niro e birësoi pasi u martua me Abbott.
Aktore, producente dhe regjisore, ajo ka luajtur në filma si A Star Is Born dhe The Intern. Ka realizuar gjithashtu dokumentarin Girls & Dolls, për të cilin fitoi një çmim në New York Independent Film and Video Festival.
Në vitin 2003, Drena dhe partneri i saj i atëhershëm, Carlos Rodriguez, u bënë prindër të Leandro De Niro Rodriguez. Ai ndërroi jetë më 2 korrik 2023, si pasojë e një mbidoze aksidentale.
Raphael De Niro
Djali i Robert De Niros dhe Diahnne Abbott lindi në vitin 1976. Ai zgjodhi një rrugë larg kinemasë dhe punon si agjent e ndërmjetës në tregun e pasurive të paluajtshme në Nju-Jork.
Në vitin 2008, Raphael u martua me Claudine De Matos në një ceremoni private në Bahamas. Çifti pati tre fëmijë përpara se të ndahej në vitin 2015.
Më pas, ai gjeti dashurinë te stilistja Hannah Carnes, me të cilën u martua në vitin 2020.
Julian De Niro
Vëllai binjak i Airyn lindi në vitin 1995, nga marrëdhënia e De Niros me modelen dhe aktoren Toukie Smith.
Julian ka ndjekur rrugën e aktrimit. Ai interpretoi Barack Obamën në rini në miniserialin The First Lady dhe është shfaqur edhe në serialin e Netflix-it, Zero Day. Ka studiuar aktrim në Universitetin e Nju-Jorkut, si edhe informatikë.
Airyn De Niro
Vajza e De Niros dhe Toukie Smith, Airyn, është një grua transgjinore. Në vitin 2025 u prezantua publikisht me emrin e saj dhe foli për rrugëtimin e tranzicionit gjinor.
Ajo po ndërton një karrierë si modele dhe aktore dublimi. Njëkohësisht, studion për t’u bërë këshilluese e shëndetit mendor, e nxitur nga dëshira për t’i shërbyer komunitetit të saj.
“Njerëzit me ngjyrë dhe personat queer kanë patjetër nevojë për më shumë mbështetje dhe ndërgjegjësim për shëndetin mendor”, shpjegoi në një intervistë të cituar nga People. “Prandaj shpresoj të jap edhe unë kontributin tim.”
Elliot De Niro
Elliot është i pari nga dy fëmijët që aktori pati me bashkëshorten e dytë, Grace Hightower. Çifti i dha fund marrëdhënies në vitin 2018, pas më shumë se 20 vjetësh bashkë, duke ruajtur marrëdhënie të mira.
I lindur në vitin 1998, Elliot bën një jetë larg vëmendjes publike. De Niro ka treguar se djali i tij është në spektrin e autizmit dhe se i pëlqen të luajë tenis. Për karrierën dhe jetën e tij private dihet pak.
Në vitin 2018, historia e tij u përfshi në serinë e ESPN-së, Special Olympics: 50 Game Changers, realizuar me rastin e 50-vjetorit të Special Olympics.
Helen Grace De Niro
Vajza e De Niros dhe Grace Hightower lindi në vitin 2011, përmes një nëne surrogate.
Helen Grace është ende e mitur dhe jeta e saj mbetet kryesisht private. Herë pas here është shfaqur përkrah të atit në aktivitete publike.
Gia Virginia Chen-De Niro
Gia është më e vogla e familjes. E lindur në prill të vitit 2023, ajo është vajza e Robert De Niros dhe partneres së tij, Tiffany Chen. Sot është tre vjeçe dhe merr përkëdheljet e të gjithë familjes.
Në tapetin e kuq të premierës në Nju-Jork të filmit About My Father, De Niro foli për Extra mbi përvojën e të bërit baba për herë të shtatë, në moshën 79-vjeçare.
“Për mua është në rregull. Ndihem mirë me këtë”, tha ai, duke shtuar se rritja e fëmijëve “nuk bëhet kurrë më e lehtë”, pavarësisht moshës.
“Kur e shoh, gjithçka tjetër zhduket. Prandaj është një gëzim i madh dhe një çlirim të mund të jem me të në çdo moment”, tregoi për People.
Aktori shtoi se fëmijët e tij më të mëdhenj “kënaqen jashtë mase” me Gian.
“Edhe nipërit e mbesat. Ajo është halla e tyre dhe ata po bëhen adoleshentë!”



