Ndahet nga jeta në moshën 101 vjeçare gazetarja e parë që prezantoi një edicion lajmesh në Itali

Ajo i donte lajmet për t’i dhënë, jo për t’u bërë vetë lajm. Ndoshta pikërisht për këtë arsye Bianca Maria Piccinino, një nga figurat pioniere të gazetarisë televizive italiane dhe gruaja e parë që prezantoi një edicion lajmesh në vend, kërkoi që edhe vdekja e saj të mbahej larg vëmendjes publike.
Piccinino u nda nga jeta në moshën 101 vjeçare më 20 korrik, por lajmi u bë publik vetëm muaj më vonë, sipas dëshirës së saj.
“Ka qenë vendim i saj që të ruhej heshtja”, tregoi për Corriere della Sera e bija, Paola Ricci. “Nuk e bëra publik lajmin, përveçse për të afërmit dhe miqtë më të ngushtë. Mendoj se më pas është marrë vesh gjithsesi dhe tani, më shumë se gjashtë muaj më vonë, arrij të flas për të, edhe pse me shumë vështirësi.”
Edhe kur mbushi 100 vjeç, në vitin 2024, Piccinino kishte refuzuar të rikthehej në qendër të vëmendjes, pavarësisht kërkesave të shumta për intervista.
Kur televizionit i mjaftonte një tavolinë, disa fletë dhe pak grim para lajmeve
Në një nga intervistat e saj të fundit, dhënë rreth dhjetë vjet më parë për RaiNews24, ajo kujtonte fillimet e televizionit italian me një thjeshtësi që sot duket pothuajse e pabesueshme.
“Na sillte punonjësi lajmet e agjencive. Me nxitim shkruanim katër shënime për të kuptuar cilat ishin ngjarjet më të rëndësishme dhe mbi të gjitha për t’i dhënë sinjal regjisorit që të transmetonte imazhin përkatës. Pak çaste para edicionit të lajmeve grimohesha aty, mbi tavolinën time.”
Një televizion shumë larg makinerisë së sotme, ku Piccinino do të bëhej një nga fytyrat e para femërore që nuk shfaqej në ekran për spektakël, por për informacion dhe divulgim.
Nga biologjia te televizioni
E lindur në Trieste në vitin 1924 dhe e diplomuar për biologji, Bianca Maria Piccinino hyri në Rai në fillim të viteve ’50, fillimisht si autore dhe prezantuese e programeve me karakter shkencor.
Një nga eksperiencat e saj të para të rëndësishme ishte “L’amico degli animali”, programi që realizoi së bashku me zoologun Angelo Lombardi dhe që u transmetua nga viti 1956 deri më 1964.
Ishte një lloj udhëtimi televiziv në botën e kafshëve, në një kohë kur vetë televizioni sapo po hynte në shtëpitë italiane.
Nga shkenca te moda
Në vitet ’60 dhe ’70, Piccinino kaloi në një tjetër fushë që do të bëhej pjesë e rëndësishme e karrierës së saj: moda.
U bë përgjegjëse e sektorit dhe ndër vite mbuloi disa prej ngjarjeve më të rëndësishme ndërkombëtare.
Një nga momentet më të njohura mbetet transmetimi i drejtpërdrejtë i martesës së Princit Charles me Lady Diana më 29 korrik 1981, së bashku me gazetarin Sandro Paternostro.
Shumë vite më vonë, Piccinino kujtonte ende Dianën me një lloj butësie të veçantë:
“Nga ajo martesë kujtoj bukurinë e Dianës, fytyrën e saj të ëmbël dhe të buzëqeshur. Të ngjallte shumë simpati dhe butësi. E kam njohur mirë, sepse kur bëheshin sfilatat në Londër ajo ishte gjithmonë aty dhe ishte gjithmonë kaq e sjellshme, e këndshme dhe e ëmbël. Ajo që ndodhi më pas më preku jashtëzakonisht shumë.”
Në vitin 1976 bëri histori në lajmet televizive
Momenti që e futi përfundimisht emrin e saj në historinë e televizionit italian erdhi në vitin 1976, kur u thirr të prezantonte edicionin e orës 17:30 të Tg1 së bashku me Emilio Fede.
Në atë kohë ishte një nga të vetmet gra në redaksinë e lajmeve, së bashku me Angela Buttiglione.
Ky ishte një hap shumë i rëndësishëm në një televizion ku rolet kryesore të informacionit ishin ende pothuajse tërësisht mashkullore.
Më vonë Lilli Gruber do të bëhej gruaja e parë gazetare që drejtoi një edicion të mbrëmjes, por Piccinino kishte hapur tashmë një derë që deri atëherë dukej e mbyllur.
Edhe pse pati oferta për t’u transferuar në Canale 5, ajo qëndroi besnike ndaj Rai-t.
Pas daljes në pension në vitin 1989, vazhdoi për disa vite të merrej me programin televiziv “Moda” dhe më pas dha mësim në akademi mode në Romë.
“Rai duhet të mbetet Rai”
Bianca Maria Piccinino ishte nënë e një vajze dhe autore e dy librave. Njëri prej tyre, “Che mi metto”, u bë veçanërisht i njohur: një guidë praktike dhe e ilustruar për mënyrën si të vishemi me elegancë në raste të ndryshme.
Por ndoshta një nga deklaratat që përmbledh më mirë raportin e saj me televizionin lidhet pikërisht me Rai-n, institucionin ku kaloi pjesën më të madhe të jetës profesionale.
Ajo shpresonte që Rai “të vazhdonte të kujtonte sa e rëndësishme ka qenë për Italinë dhe për italianët, sa shumë ka bërë për t’u dhënë atyre një formë edukimi dhe kulture”.
Dhe shtonte një dëshirë që, shumë vite më vonë, tingëllon ende aktuale:
“Shpresoj që të vazhdojë të mos imitojë asnjë televizion tjetër. Rai duhet të jetë Rai: diçka solide, e vërtetë, autentike dhe e mirë.”
Ndoshta nuk mund të kishte një epitaf më të përshtatshëm për një grua që hyri në televizion kur televizioni sapo po mësonte çfarë duhej të ishte, dhe që ndihmoi, në heshtje dhe pa shumë zhurmë, për ta bërë atë edhe një vend për gratë.



