Ndahet nga jeta babai i DJ Dagz, vetëm pak ditë pasi artisti tregoi se po luftonte për jetën

Një lajm i dhimbshëm ka prekur DJ Dagz dhe familjen e tij. Babai i artistit, Naim (Limon) Gumnishta, është ndarë nga jeta pas një gjendjeje të rëndë shëndetësore, gjatë së cilës prej disa ditësh ndodhej i intubuar në spital.
Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi familjar, i cili është shpërndarë në rrjetet sociale edhe nga partnerja e DJ Dagz, Einxhel Shkira.
“Me zemër të thyer dhe pikëllim të thellë, ju njoftojmë se babai, bashkëshorti dhe vëllau ynë i dashur Naim (Limon) Gumnishta ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.
Vetëm pak ditë më parë, DJ Dagz kishte ndarë me ndjekësit një rrëfim të ndjerë për gjendjen e të atit, duke treguar se ai ndodhej në ditën e tretë të intubimit dhe po luftonte për jetën.
Në mesazhin e tij, artisti kujtonte se babai kishte qenë mbështetësi më i madh i rrugëtimit të tij 17-vjeçar në muzikë. Edhe në periudhat më të vështira, kur problemet familjare e kishin bërë të mendonte të tërhiqej nga angazhimet artistike, i ati e kishte nxitur të mos ndalej.
Pavarësisht gjendjes së rëndë të tij, DJ Dagz kishte vendosur të merrte pjesë në një event të planifikuar, duke besuar se kjo do të ishte pikërisht ajo që babai do të dëshironte për të.
“Sot babi është në ditën e tretë në intubim dhe në luftë me jetën dhe sot pikërisht është ajo dita që s’du me qenë pjesë në eventin e paraparë për sonte, po diçka brenda meje po më thotë ‘shko djali jem se kjo të bën të lumtur’”, shkruante ai.


Në të njëjtin mesazh, artisti i kërkonte të atit të bëhej i fortë dhe të kthehej sa më shpejt pranë familjes. Fatkeqësisht, vetëm pak ditë më vonë, erdhi lajmi i ndarjes së tij nga jeta.
Familjarët kanë njoftuar se ceremonia e varrimit do të zhvillohet të nesërmen, pas faljes së namazit të ikindisë, në varrezat e fshatit Begaj, në Vushtrri.
Humbja vjen në një moment veçanërisht të rëndë për DJ Dagz, i cili vetëm pak ditë më parë fliste me shpresë për rikthimin e babait pranë tyre dhe për njeriun që kishte besuar tek ai në çdo hap të karrierës.



