Miley Cyrus dhe Maxx Morando janë martuar: detajet e ceremonisë intime në Palm Springs

Nga Class• 23 November 2026

Miley Cyrus dhe Maxx Morando i kanë thënë “po” njëri-tjetrit. Këngëtarja dhe bateristi i grupit Liily u martuan të shtunën, më 21 nëntor, në Palm Springs, në një ceremoni private, të rrethuar nga njerëzit e tyre më të afërt. Lajmi është konfirmuar nga revista People. people.com

Fotografitë e para të dasmës e tregojnë çiftin pranë një pishine, mes trëndafilave të bardhë dhe qirinjve, të buzëqeshur dhe të emocionuar.

Për këtë ditë, Miley zgjodhi një fustan të gjatë Saint Laurent, me linja të thjeshta dhe shpinë të hapur. Edhe Morando iu besua së njëjtës shtëpi mode, duke ruajtur një stil elegant dhe të përmbajtur.

Festimet kishin nisur një mbrëmje më parë. Të premten, më 20 nëntor, çifti organizoi një darkë për të afërmit, disa detaje të së cilës u shfaqën në Instagram përmes postimeve të Lily-Rose Purcell. Ajo është vajza e aktorit Dominic Purcell, bashkëshortit të Tish Cyrus, nënës së Miley-t.

Në një nga fotografitë e publikuara në story shihej menuja e darkës, e cila mbante në krye inicialet “M+M”.

Mes të ftuarve në dasmë ishin prindërit e këngëtares, Tish dhe Billy Ray Cyrus, motra e saj Noah, si edhe Elizabeth Hurley, partnerja e Billy Ray-t, bashkë me të birin, Damian.

Martesa vjen pothuajse një vit pas konfirmimit të fejesës, më 2 dhjetor 2025, kur unaza me diamant në gishtin e Miley-t kishte tërhequr tashmë vëmendjen.

Disa hollësi për propozimin i zbuloi vetë Morando në korrik, gjatë një interviste për Wonderland Magazine. Ai tregoi se i kishte propozuar këngëtares gjatë një udhëtimi në Kyoto, në Japoni, një destinacion që asnjëri nuk e kishte vizituar më parë dhe ku të dy dëshironin prej kohësh të shkonin.

Udhëtimi u zhvillua mes fundit të tetorit dhe fillimit të nëntorit 2025. Mbajtja e propozimit sekret, megjithatë, rezultoi më e vështirë nga sa kishte menduar Morando, sepse Miley kishte nisur të dyshonte.

“Fillimisht shkuam për disa ditë në Tokyo dhe më pas në Kyoto. Mendoj se ajo e kishte parandier që do të ndodhte, ndaj prita deri në çastin e fundit të ditës së fundit, që t’ia largoja sa më shumë dyshimet”, rrëfeu ai.

Propozimi ndodhi në kopshtin e hotelit ku po qëndronin. Ndërsa Miley po regjistronte video, Morando gjeti momentin për t’u ulur në një gju dhe për t’i treguar unazën.

“Po djersija. E ndieja zemrën që më rrihte fort. Kur je fëmijë, sheh filma ku burri ulet në një gju dhe bën gjithë pjesën tjetër, ndaj e di që kështu duhet të veprosh. Por pastaj e kupton: ‘Në rregull, tani duhet të ulem vërtet në një gju’. Nuk doja të bëja ndonjë gafë, të ngatërrohesha apo të më binte unaza”, tregoi ai.

Vetëm pak ditë përpara, Miley kishte shkuar deri aty sa ta kontrollonte për të parë nëse e mbante unazën me vete. E priste propozimin dhe u zhgënjye kur nuk gjeti asgjë. Në të vërtetë, unaza ishte aty, e fshehur në një xhep më pak të dukshëm, pranë gjurit.

Historia e tyre nisi në vitin 2021, kur u fotografuan për herë të parë bashkë. Siç konfirmoi Miley në një intervistë për British Vogue në vitin 2023, ata u njohën përmes një takimi të organizuar nga të tjerët.

Për këngëtaren, kjo është martesa e dytë, pas asaj me aktorin Liam Hemsworth. Ata u martuan në vitin 2018 dhe u ndanë në vitin 2019. Për Morando-n, 28 vjeç, është martesa e parë.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon