Meghan Markle shfaqet për herë të parë në Britani pas rikthimit

Meghan Markle është fotografuar për herë të parë në publik në Mbretërinë e Bashkuar që prej rikthimit të saj me Princin Harry dhe dy fëmijët e tyre.
Dukesha e Sussex-it u pa të hënën në Cotswolds, në shoqërinë e Ellen DeGeneres dhe bashkëshortes së saj, Portia de Rossi. Të tre u takuan në pub-in historik Three Horseshoes, pranë Burford në Oxfordshire.
Sipas një dëshmitari të cituar nga Page Six, Meghan, Ellen dhe Portia kaluan kohë duke biseduar dhe qeshur së bashku, përpara se Meghan t’u jepte lamtumirën dhe të largohej.
Fotot shënojnë daljen e parë publike të Meghan-it që prej zhvendosjes së familjes në Angli në fund të gushtit. Në fillim të shtatorit ishte raportuar se ajo ishte parë edhe në Soho Farmhouse, por atëherë nuk kishte fotografi që ta konfirmonin shfaqjen e saj.

Takimi me Ellen DeGeneres nuk është krejt rastësor. Miqësia e tyre është e njohur prej vitesh dhe Meghan ka marrë pjesë edhe në ceremoninë e rinovimit të betimeve martesore të DeGeneres dhe Portia de Rossi në vitin 2023.
Ka edhe një element tjetër të përbashkët mes tyre: të dyja familjet kanë bërë të njëjtën lëvizje gjeografike.
Harry dhe Meghan jetuan në Montecito, Kaliforni, që nga viti 2020, në të njëjtën zonë ku kishin shtëpi edhe Ellen dhe Portia. Këto të fundit u zhvendosën në Angli në vitin 2024.
Ndërsa Meghan ka mbajtur një profil të ulët në javët e fundit, Harry është shfaqur disa herë në publik.
Dalja e tij e parë zyrtare pas rikthimit ishte në Invictus Spirit Gala Dinner & Awards, ku tha se ndihej mirë që ishte sërish “në tokën britanike”.
Më pas mori pjesë në lançimin e programit edukativ INSPIRE dhe në WellChild Awards.
Harry dhe Meghan u rikthyen në Mbretërinë e Bashkuar bashkë me Princin Archie, 7 vjeç, dhe Princeshën Lilibet, 5 vjeçe, pas rreth gjashtë vitesh jetese në Kaliforni.
Në vitin 2025, Harry kishte dhënë edhe disa shenja se po mendonte seriozisht një rikthim. Duke folur me këngëtaren Joss Stone, ai kishte përmendur cilësinë e shkollave britanike dhe rëndësinë që komuniteti ka për fëmijët.
Sipas Stone, princi ishte shprehur se ndihej i tërhequr nga ideja e kthimit.
Tani, disa javë pas zhvendosjes, Meghan duket se po hyn gradualisht në ritmin e ri të jetës britanike. Dhe dalja e saj e parë publike nuk ndodhi në një event mbretëror apo në një ceremoni zyrtare, por në një pub të Cotswolds, duke biseduar me një mike të vjetër që, si ajo, ka lënë Kaliforninë për Anglinë.



