Mbreti Charles reagon pas akuzave të vëllait të Lady Diana-s

Nga Class 17 September 2026

Screenshot 2026-09-17 110139.png

Buckingham Palace ka ndërmarrë një hap të pazakontë duke reaguar zyrtarisht ndaj një pretendimi të Charles Spencer, vëllait të Lady Diana-s, i cili në librin e tij të ri kujton një frazë që, sipas tij, Mbreti Charles do ta kishte thënë vetëm pak ditë pas vdekjes së princeshës.

Në memoir-in Swan Song: Diana, My Sister, Spencer shkruan se Charles, atëherë Princ i Uellsit, do të kishte thënë: “Do ta harrojmë shumë shpejt”.

Palati zakonisht shmang komentet për libra që trajtojnë anëtarët e familjes mbretërore, por këtë herë ka zgjedhur të reagojë.

“Edhe pse, si parim, nuk komentojmë libra të botuar për anëtarët e familjes mbretërore, Madhëria e Tij është i vetëdijshëm se dhimbja e humbjes së një motre mund të mjegullojë arsyen, të ndikojë gjykimin dhe të ndryshojë kujtimet në mënyra që të tjerët mund të mos i njohin, edhe shumë vite pas një humbjeje të tillë”, thuhet në deklaratën e Buckingham Palace.

Me këtë formulim, Pallati nuk e mohon drejtpërdrejt fjalinë e cituar nga Spencer, por vë në dyshim saktësinë e kujtimeve të tij për ditët menjëherë pas vdekjes së Diana-s.

Lady Diana humbi jetën më 31 gusht 1997, pas aksidentit automobilistik në Paris, një ngjarje që tronditi Britaninë dhe pjesën tjetër të botës.

Që atëherë, marrëdhënia e saj me familjen mbretërore dhe sidomos me Charles-in është rikthyer vazhdimisht në qendër të librave, dokumentarëve dhe rrëfimeve personale.

Por reagimi i drejtpërdrejtë i Buckingham Palace ndaj kujtimeve të Spencer është i pazakontë pikërisht sepse familja mbretërore ka preferuar tradicionalisht të mos hyjë në debat me botime të këtij lloji.

Charles Spencer, nga ana tjetër, e ka ndërtuar librin rreth marrëdhënies së tij me motrën dhe kujtimeve të viteve të fundit të jetës së saj.

Pretendimi për frazën e Charles-it është një nga pjesët më të forta të memoir-it, sepse lidhet me ditët më të ndjeshme pas vdekjes së Diana-s dhe me perceptimin publik për mënyrën si familja mbretërore reagoi ndaj humbjes së saj.

Tani, pothuajse tre dekada më vonë, ajo periudhë po rikthehet edhe një herë në qendër të vëmendjes.

Vetëm se këtë herë, Buckingham Palace ka zgjedhur të mos heshtë.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon