“Mazonakis nuk është mirë”, infermierja rrëfen çfarë pa në minutat kritike para vdekjes së këngëtarit

Nga Class• 1 October 2026

“Mazonakis nuk është mirë”, infermierja rrëfen

Hetimi për vdekjen e Giorgos Mazonakis po nxjerr në dritë detaje të reja nga orët e fundit të këngëtarit në klinikën private në rrugën Karneadou, në Kolonaki. Një infermiere 53-vjeçare, e cila punonte prej rreth një viti e gjysmë në strukturë, ka dëshmuar për herë të parë para hetuesit, duke përshkruar ndryshimin që vuri re te artisti gjatë seancës së plazmaferezës dhe panikun që pasoi kur gjendja e tij u përkeqësua.

Sipas dëshmisë së saj, infermierja ndodhej në klinikë gjatë procedurës dhe kishte hyrë dy herë në dhomën ku ishte Mazonakis, brenda një intervali prej rreth gjysmë ore, për të ndihmuar mjeken.

“Ndodhesha në ambientet e klinikës dhe hyja e dilja nga dhoma ku kryhej plazmafereza. Hyra në dhomën ku ishte Giorgos Mazonakis dy herë për të ndihmuar mjeken, brenda një intervali prej rreth gjysmë ore. Bashkë me mua hynte edhe një infermiere tjetër dhe e ndihmuam këngëtarin në çështje procedurale. Ishte diçka që e bënim të gjitha çdo ditë”, mësohet të ketë deklaruar ajo. 

Ajo tregoi se në fillim të trajtimit Mazonakis dukej në gjendje të mirë dhe komunikonte normalisht. Por kur u rikthye në dhomë, pamja e tij kishte ndryshuar.

“Giorgos Mazonakis në fillim të trajtimit ishte funksional dhe mirë, por herët e tjera që hyra në ambient nuk kishte të njëjtën pamje. Megjithatë, nuk mund ta kuptoja se po i ndodhte diçka”, deklaroi infermierja. 

Momenti kritik, sipas saj, erdhi kur mjekja që po kryente procedurën iu drejtua bashkëshortit të saj, gjithashtu mjek dhe tashmë i akuzuar në këtë çështje.

“Kur ndodhi incidenti, mjekja shkoi te bashkëshorti i saj dhe i tha: ‘Mazonakis nuk është mirë’. Në atë moment mbizotëroi paniku”, rrëfeu ajo.

Infermierja dha detaje edhe për mbërritjen e ambulancës së EKAB-it. Ajo tha se stafit i kishte bërë përshtypje fakti që asnjë nga mjekët e klinikës nuk e shoqëroi këngëtarin drejt spitalit.

“Erdhi EKAB-i dhe na bëri përshtypje që asnjë nga mjekët nuk e shoqëroi Giorgos Mazonakis deri në spital”, është shprehur ajo. 

Sipas dëshmisë, punonjëset e klinikës nuk e kishin kuptuar menjëherë përmasën e ngjarjes dhe më vonë kishin mësuar për vdekjen e artistit përmes internetit.

“Ne shkëmbyem edhe mesazhe me njëra-tjetrën, duke pyetur nëse do të shkonim në punë ditën tjetër. Nuk e kishim kuptuar se çfarë kishte ndodhur”, deklaroi ajo.

Dëshmia e re i shtohet materialeve të tjera që po shqyrtohen nga autoritetet greke. Një tjetër infermiere kishte deklaruar më herët se Mazonakis ishte seduar gjatë procedurës dhe se, kur gjendja e tij u përkeqësua, ishte kërkuar ilaçi për të kundërvepruar sedacionin. Ajo kishte pohuar gjithashtu se në klinikë po kryheshin njëkohësisht dy procedura plazmafereze.

Të dhënat e pajisjes së përdorur po analizohen gjithashtu. Sipas raportimeve greke, hetuesit po shqyrtojnë kronologjinë e saktë të procedurës dhe reagimin e stafit në momentet kur gjendja e këngëtarit u rëndua. 

Ndërkohë, hetimi është zgjeruar edhe te mënyra se si funksiononte klinika. Shoqata Mjekësore e Athinës ka deklaruar se aty kryheshin seanca plazmafereze edhe jashtë orareve të deklaruara të punës, ndërsa autoritetet po verifikojnë nëse procedurat ofroheshin në përputhje me autorizimet dhe rregullat mjekësore. 

Dy mjekët e përfshirë në çështje ndodhen nën hetim, ndërsa autoritetet po analizojnë dëshmitë, komunikimet telefonike dhe të dhënat e pajisjeve për të përcaktuar saktësisht çfarë ndodhi në klinikë më 9 shtator.

Dëshmitë e infermiereve përfaqësojnë versionet e tyre para hetuesve dhe nuk përbëjnë ende përfundime gjyqësore mbi përgjegjësinë për vdekjen e Giorgos Mazonakis.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon