Mara Venier u hoq nga DomenicaIn sepse është "shumë e vjetër"

Nga Class• 13 November 2026

Mara Venier u hoq nga DomenicaIn sepse është "shumë e

Nga Giovanna Gallo, ELLE Italia

Sot duket sikur Rai nuk bën dot pa Mara Venier. Prezantuesja është një nga shtyllat e televizionit publik italian dhe “Domenica In” i saj arrin t’i bëjë ballë konkurrencës së fortë të “Verissimo”, programit të Mediaset. “Teto Mara”, siç e quajnë me përkëdheli ndjekësit besnikë, ka pas vetes dekada pune dhe transmetimesh të drejtpërdrejta. Por është edhe një artiste që kalon natyrshëm nga televizioni në kinema: ka qenë pjesë e kastit të “Diamonds” të Ferzan Özpetek dhe do të shfaqet edhe në filmin e tij të ri, “Nella gioia e nel dolore”.

Megjithatë, nuk ka qenë gjithmonë kështu. Sidomos në vitin 2014.

Ai vit shënoi një kthesë në karrierën e saj. E ftuar në podkastin BSMT të Gianluca Gazzolit, Venier iu rikthye asaj periudhe me trishtim, keqardhje dhe një zemërim ende të kuptueshëm. Në vitin 2014, pas vitesh të suksesshme në drejtimin e “Domenica In”, ajo u largua nga emisioni sepse ishte “tepër e moshuar”. Sipas rrëfimit të saj, kështu e kishte cilësuar Giancarlo Leone, drejtuesi i atëhershëm i Rai.

Por ajo derë që iu mbyll në fytyrë i hapi edhe mundësi të reja, të cilat sot i kujton me kënaqësi. Në atë moment të vështirë, ishte Maria De Filippi që i zgjati dorën. E ftoi në “Tu sì que vales” dhe i dhuroi tre vjet gjatë të cilëve puna iu bë më e lehtë dhe më e gëzueshme.

Mara Venier dhe “Domenica In”, një lidhje e fortë, por e trazuar

Pas përvojës në Mediaset, Mara u rikthye në Rai në vitin 2018, duke rimarrë drejtimin e emisionit të së dielës. Por katër vjet më parë, siç kujtoi me hidhërim në BSMT, televizioni kishte vendosur t’ua besonte programin kolegëve të tjerë. Në vitet që pasuan, në drejtimin e tij u alternuan Paola Perego, Cristina Parodi dhe Pippo Baudo, edhe ky një emër historik i “Domenica In”. Arsyet e largimit të Venier nuk u bënë zyrtarisht publike.

“Preferoj ta di si qëndrojnë gjërat, sesa të më vënë në lojë. E vërteta ishte se Rai dhe drejtori i asaj kohe kishin vendosur që unë të mos kthehesha, sepse isha tepër e moshuar”, i tha ajo Gazzolit, duke përsëritur arsyetimin që, sipas saj, i ishte dhënë atëherë.

Mënyrën e paqartë me të cilën iu komunikua vendimi, Venier vazhdon ta konsiderojë “pa takt” dhe “të ulët”. Një sjellje që duket se i ka lënë një hidhërim ende të pashuar.

Maria De Filippi: “Më ndihmoi në një moment të vështirë”

Nga ajo periudhë e trazuar, Mara Venier kujton mbi të gjitha mbështetjen e Maria De Filippit.

“Maria më ka ndihmuar shumë. Është njeriu që më ka zgjatur dorën më shumë në atë moment të vështirë. Nuk ishte vetëm goditja në punë. Kisha edhe nënën të sëmurë me Alzheimer. Por kur ke probleme, puna të ndihmon. Mund të bëhet një ilaç, të largon mendjen, të shtyn të reagosh. Pikërisht atëherë më telefonoi Maria.”

Bashkëpunimi mes tyre, që prej kohësh ishin mikesha, nisi me një mesazh: një ftesë për të marrë pjesë si anëtare jurie në episodin e parë të “Tu sì que vales”, formati i ri i prodhuar nga Fascino, kompania e De Filippit.

Për shkak të një keqkuptimi, propozimi mbeti pezull deri pak ditë para xhirimeve. Mara ndodhej në Nju-Jork, me pushime me bashkëshortin, Nicola Carraro. Ishte ai që ndryshoi rezervimet e fluturimeve, që ajo të mund të merrte pjesë në programin e Marias. E shihte sa e rëndonin largimi nga “Domenica In” dhe sëmundja e së ëmës.

“Duhej të merrja pjesë vetëm në një episod, por në fund qëndrova tre vjet. Jam argëtuar shumë dhe ajo përvojë më solli edhe një publik tjetër, shumë më të ri se ai që kisha më parë.”

“Alessia Marcuzzi më hapi Instagramin. Kështu fitova edhe publikun e ri”

Pas “Tu sì que vales”, Venier u përfshi edhe në projekte të tjera të Mediaset: nga prezantimi i “Striscia la notizia” te roli i opinionistes në “L’Isola dei famosi”, që drejtohej nga Alessia Marcuzzi.

Nëse Maria De Filippit i është mirënjohëse për mbështetjen në një moment të vështirë profesional, Alessia Marcuzzit i detyrohet për hyrjen në Instagram. Ishte ajo që i hapi llogarinë në platformën që më pas e ndihmoi të krijonte dhe të forconte marrëdhënien me një publik më të ri, duke e kthyer në një yll të rrjeteve sociale.

Një përvojë që ka funksionuar edhe për kolegun e saj, Gerry Scotti. Edhe ai është bërë “xhaxhi” për një pjesë të madhe të përdoruesve, të cilët e ndjekin me përkushtim dhe i shpërndajnë vazhdimisht postimet, duke i bërë virale.

A do t’i japë lamtumirën “Domenica In”? “Puna është ilaçi im, por ky është sezoni i fundit”

Mara Venier u rikthye përfundimisht në Rai në vitin 2018, pas përvojës së suksesshme në Mediaset. Që prej atëherë drejton sërish “Domenica In”, ku pas rikthimit është bërë edhe një nga figurat kryesore në hartimin e përmbajtjes së emisionit.

Vitet e fundit ka tentuar disa herë të largohet, por Rai ka bërë gjithçka për t’ia ndryshuar mendjen. Edhe gjendja shëndetësore e bashkëshortit, Nicola, e ka shtyrë të mendojë për tërheqjen. Megjithatë, lamtumira është shtyrë vazhdimisht, aq sa njoftimet e saj të përsëritura janë kthyer tashmë në një refren të njohur.

Për ta mbajtur dhe për t’ia lehtësuar ngarkesën, televizioni i ka vënë në krah bashkëprezantues. Këtë sezon me të janë Tommaso Cerno dhe Enzo Miccio. Por, me sa duket, për Marën kjo nuk mjafton.

“Në këto tetë vitet e fundit televizioni ka ndryshuar, por tek unë nuk ka ndryshuar asgjë. Spontaniteti është pjesë e jetës sime, edhe pse nuk mund të jesh gjithmonë plot energji. Janë vite shumë të vështira për mua, për shkak të sëmundjes së Nicolas. Është një burrë 83-vjeçar që ka kaluar një pankreatit të rëndë. Unë kam dalë gjithmonë në transmetim, por sigurisht që brenda vetes mban një brengë, një përgjegjësi të madhe. Këtë vit isha shumë e pavendosur, nuk doja ta bëja ‘Domenica In’. Pastaj u mendova dhe kuptova se për mua është si një ilaç. Duhet të reagosh ndaj asaj që të ndodh në jetë dhe puna mund të të ndihmojë. Kur ndizet kamera, harroj gjithçka. Përqendrohem tek ajo që duhet të bëj. Prandaj jam ende këtu këtë vit.”

Herët a vonë, momenti i largimit do të vijë. Sipas asaj që i tha Gazzolit, ai duhet të jetë në përfundim të sezonit aktual. Këtë herë prezantuesja u shpreh me siguri: “Ky është sezoni i fundit.”

A do të ndodhë vërtet? Publiku nuk dëshiron ta lërë të largohet, ndërsa Rai po kërkon një pasues të denjë. Një nga emrat e mundshëm është ai i mikut të saj të ngushtë, Alberto Matano.

“Unë di vetëm të flas me zemër. Këtë kam bërë gjatë gjithë këtyre viteve. Jam shfaqur gjithmonë ashtu siç jam, me gafat e mia, me të qeshurat e mia të tepruara. Por, nëse pas 33 vjetësh jam ende këtu me ‘Domenica In’, do të thotë se diçka të mirë e kam bërë.”

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon