Manikyri i frymëzuar nga vera është tashmë trendi më viral i vjeshtës

Një bordo e thellë, elegante dhe gjithmonë e pagabueshme do të ngjyrosë thonjtë këtë sezon.
Mes trendeve të manikyrit që rikthehen herë pas here dhe pushtojnë rrjetet sociale, ka një rregull të pashkruar: shpesh bëhen virale pikërisht klasikët e mëdhenj, të cilët, pasi marrin një emër të ri dhe më tërheqës, papritur duken si diçka krejt e re.
Kështu po ndodh edhe me Merlot manicure, versioni më i fundit i nuancës së verës që do ta shohim kudo në thonj këtë vjeshtë.
Vetë emri të çon menjëherë te një gotë verë e kuqe, e dendur dhe elegante. Dhe në fakt, nuk mund të kishte përkufizim më të saktë. Bëhet fjalë për një ngjyrë të thellë, të ngrohtë dhe të sofistikuar, diku mes burgundy, vinaccia dhe bordosë së errët.
E njohim shumë mirë këtë nuancë, por këtë sezon ajo vjen me një tjetër energji falë TikTok-ut.
Më misterioze dhe më diskrete se e kuqja klasike, ngjyra e verës është një nga ato tone që duken sikur janë krijuar posaçërisht për sezonin e ftohtë. Kur ditët shkurtohen dhe garderoba nis të mbushet me ngjyra më të errëta, bordo gjen vendin e saj natyral.
Karakteri i saj ndryshon sipas nuancës që zgjedhim. Mund të jetë më e errët dhe dramatike kur afrohet me kafen dhe të zezën, ose më e butë dhe më e lehtë për t’u mbajtur kur shkon drejt toneve të verës së kuqe të zbutur.

Arsyeja pse bordo, ose më saktë merlot, funksionon kaq mirë është se plotëson dëshirën tonë vjeshtore për ngjyra të errëta, pa shkuar domosdoshmërisht te dramatizmi i kafes së thellë, blusë së errët apo të zezës.
Është një nuancë që përshtatet më lehtë me lëkurën dhe duket veçanërisht harmonike kur zgjidhet një nën ton që shkon me ngjyrën natyrale të duarve. Kështu krijohet një efekt i balancuar, i kuruar dhe mbi të gjitha shumë elegant.
Si të gjitha ngjyrat e errëta, merlot duket veçanërisht bukur në thonj mesatarë ose të gjatë. Shkon mirë edhe në thonj të shkurtër, sidomos kur sipërfaqja e thoit është mjaftueshëm e gjerë. Në thonj shumë të vegjël dhe shumë të shkurtër, ngjyrat e errëta mund të krijojnë efektin sikur i zvogëlojnë edhe më shumë.
Por, si gjithmonë, gjithçka varet nga efekti që dëshironi të arrini dhe nga sa ju pëlqen ta mbani bordonë. Mund ta kombinoni me veshjen, me aksesorët ose thjesht ta lini si detajin kryesor të look-ut.
Dhe nuk është e nevojshme të zgjidhni patjetër një manikyr me ngjyrë të plotë në të gjithë thoin. Këtë nuancë mund ta përdorni edhe për french shumë të hollë, mikro dizajne, si bazë për nail art minimal, me detaje të vogla dhe dekorime 3D, ose për efekte më moderne si cat eye dhe krom.
Me pak fjalë, ka një botë të tërë për të eksploruar.
Merlot manicure nuk është bërë viral rastësisht. Mjafton të dilni pak jashtë versionit klasik që njohim dhe menjëherë zbuloni një univers më kreativ, por sërish shumë të rafinuar. Fiks si një gotë e mirë verë franceze.
Ide për ta provuar
Merlot në thonj të shkurtër
Një version elegant dhe praktik, ideal për ato që duan ngjyrë të errët, por pa e bërë manikyrin shumë dramatik.
Efekti aura
Bordoja merr më shumë thellësi kur kombinohet me një efekt të butë, të shpërndarë, që i jep thonjve pamje më moderne.
Merlot cat eye në thonj të gjatë
Një nga mënyrat më interesante për ta bërë këtë nuancë më magnetike. Efekti cat eye i jep lëvizje dhe shkëlqim ngjyrës së verës.
Micro french në ngjyrë vere
Për ato që nuk duan një manikyr të plotë bordo, french shumë i hollë në nuancë merlot është alternativa më elegante.
Manikyr në thonj katrorë
Në formë katrore, bordoja duket më grafike, më e pastër dhe më fashion. Një zgjedhje klasike, por me shumë karakter.



