Ledri Vula përjetëson në trup një kujtim me Poem Blu, tatuazhi me domethënie të veçantë

Ledri Vula ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të përjetësuar lidhjen me vajzën e tij, Poem Blu, duke kthyer një vizatim fëmijëror në tatuazhin e tij më të ri.
Reperi ka ndarë në rrjetet sociale disa momente nga një ditë e kaluar së bashku me të bijën, e cila përkoi edhe me një etapë të rëndësishme për të voglën, hapat e saj të parë në shkollë.
Mes momenteve babë e bijë, vëmendjen e mori tatuazhi i ri i Ledrit. Ai zgjodhi të realizonte në trup një vizatim të thjeshtë fëmijëror, ku shfaqen dy figura që përfaqësojnë pikërisht atë dhe Poin.
Larg tatuazheve të komplikuara apo dizajneve të kuruara deri në detaj, këtë herë vlera qëndron pikërisht te thjeshtësia e vizatimit dhe historia personale që ai mbart.
Fotografia e tatuazhit u publikua nga vetë artisti, duke treguar kështu se një kujtim i vogël nga fëmijëria e së bijës tashmë do ta shoqërojë përgjithmonë.
Por Poem Blu nuk mbeti pas.


Pasi pa tatuazhin e të atit, edhe ajo deshi të kishte të vetin. Sigurisht, për të voglën u zgjodh versioni i përkohshëm, një tatuazh ngjitës i përshtatshëm për fëmijë, të cilin e vendosi në krah përpara se të pozonte e lumtur për kamerën.
Një ditë e zakonshme babë e bijë, mes shkollës, kohës së kaluar së bashku dhe një vizatimi, përfundoi kështu me një kujtim që për Ledrin nuk do të jetë aspak i përkohshëm.



