Ledion Liço rikthehet me edicionin e gjashtë të “Big Brother VIP”

Nga Class• 6 November 2026

Sikundër kishte paralajmëruar, Ledion Liço po bëhet gati të rikthehet në drejtimin e “Big Brother VIP Albania”. Moderatori ka publikuar sot në Instagram promon e edicionit të gjashtë, përmes një postimi të përbashkët me Top Channel.

“Big Brother Vip Albania, së shpejti në Top Channel!”, shkruhet krahas videos, ku shfaqet logoja e sezonit të ri. Njoftimi shënon një hap tjetër drejt rikthimit të spektaklit, por pa zbuluar ende datën kur do të nisë transmetimi.

Sinjalin e parë për ndjekësit e tij, Liço e kishte dhënë më 1 nëntor. “Thonë që ju ka marrë malli…”, shkruante ai krahas një fotografie ku shfaqej pranë logos së programit. Me publikimin e promos së sotme, paralajmërimi i pak ditëve më parë merr tashmë një formë më konkrete. 

Vazhdimësinë në këtë rol, moderatori e kishte konfirmuar edhe në prill, në prag të finales së edicionit të pestë. Gjatë një interviste për “Goca dhe Gra”, i pyetur nëse do ta drejtonte sërish programin, ai ishte përgjigjur: “Po do të jem vitin që vjen, shihemi”. 

Liço mori drejtimin e versionit VIP më 13 janar 2024, me nisjen e edicionit të tretë, duke shënuar edhe rikthimin e tij në një skenë të madhe televizive pas disa vitesh shkëputjeje. Më pas prezantoi edicionin e katërt dhe të pestë, çka e bën sezonin e ardhshëm të katërtin radhazi për të në krye të këtij formati. 

Për momentin, njoftimi i sotëm ndalet te premtimi “Së shpejti”. Data e nisjes dhe detajet e edicionit të gjashtë mbeten për njoftimet e radhës.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon