Larg Hollywood-it/ Penélope Cruz flet për zhvendosjen e partnerit në qytetin e saj të lindjes

Pasi jetuan për një kohë të gjatë në Los Anxhelos, Penélope Cruz dhe bashkëshorti i saj, Javier Bardem, vendosën rreth dhjetë vjet më parë të zhvendoseshin me fëmijët, Leo dhe Luna, në Madrid, qytetin e lindjes së aktores fituese të çmimit Oscar.
Në një intervistë për The Perfect Magazine, Penélope ka shpjeguar se këtë zgjedhje e bënë pikërisht për fëmijët, sot 15 dhe 12 vjeç, të cilët “meritojnë” të rriten në një mjedis të mbrojtur, larg presionit mediatik të Hollywood-it.
“Në Madrid, fëmijët e mi kanë më shumë liri dhe privatësi. Pastaj, këtu kemi të gjithë familjarët dhe miqtë e fëmijërisë e të adoleshencës.”
Kjo lidhje me rrënjët ua bën “më të lehtë të kenë një jetë normale, të vërtetë e pa shtirje”.
“Leo dhe Luna e meritojnë, e meritojnë plotësisht. Më vonë do të mund të vendosin çfarë dëshirojnë të bëjnë me punën dhe gjithçka tjetër. Por tani kanë nevojë për këtë liri. Për mua dhe Javierin, më e rëndësishmja është t’u japim fëmijëve tanë një jetë normale, pavarësisht se sa shumë na vendos puna jonë në qendër të vëmendjes. Duam të rriten si gjithë fëmijët e tjerë.”
Kjo përpjekje për “normalitet” pasqyrohet edhe në mënyrën si i edukojnë. Si Penélope Cruz, ashtu edhe Javier Bardem, kanë rregulla të rrepta për përdorimin e teknologjisë: nuk u kanë lejuar fëmijëve të përdorin celularë para moshës 14-vjeçare dhe rrjete sociale para moshës 16-vjeçare.
“Jam shumë e shqetësuar për ndikimin e rrjeteve sociale te të rinjtë. Mendoj se të mos ua lejosh përdorimin deri në një moshë të caktuar është një mënyrë për t’i mbrojtur. Dua të jetojnë jetën reale, jo atë virtuale”, ka shpjeguar Penélope.
Edhe Javier Bardem kishte folur për Leon dhe Lunën në një intervistë rreth dy vjet më parë, duke theksuar rëndësinë e pranisë së përditshme në jetën e tyre.
“Unë dhe Penélope jemi shumë të pranishëm në jetën e fëmijëve tanë. Kjo është gjëja më e rëndësishme për ne. Përpiqemi gjithmonë t’i organizojmë angazhimet e punës në mënyrë që njëri prej nesh të jetë vazhdimisht me ta. Unë nuk qëndroj kurrë më shumë se dy javë larg shtëpisë. Kurrë, kurrë, kurrë dhe prapë kurrë. Nuk kërkoj më shumë para, nuk kërkoj një rulotë më të madhe. Them vetëm: ‘Dua të jem me familjen time’.”
Në një tjetër intervistë, Bardem kishte pranuar se ai dhe bashkëshortja janë madje “tepër të pranishëm” në jetën e fëmijëve. Edhe sepse vetë, kur ishte i vogël, nuk kishte mundur të mbështetej te prania e vazhdueshme e të dy prindërve.
Nëna e tij, aktorja Pilar, duhej të punonte për ta rritur e vetme. Ndërsa babai mungonte.
“Prindërit e mi u ndanë pak pas lindjes sime dhe babai nuk ishte shumë i pranishëm gjatë viteve kur rritesha. Nëna ime ishte gjithçka: babai, nëna, mikja.”



