Kylie Jenner na fut brenda shtëpisë së ëndrrave 15 milionë $ që po ndërton prej 6 vitesh

Gjashtë vjet pasi bleu për 15 milionë dollarë një truall në Hidden Hills, Kalifornia, Kylie Jenner ka vendosur të tregojë për herë të parë nga afër shtëpinë e saj të re, ende në ndërtim.
29-vjeçarja publikoi në YouTube një vlog nga kantieri, ku u tregoi ndjekësve disa nga detajet që ka zgjedhur vetë për rezidencën, të cilën e përshkruan si “shtëpinë e bukur italiane të ëndrrave”.
“Do të shkoj te kantieri im. Duhet të miratoj disa gjëra dhe ju do të vini me mua. Hajde të shkojmë”, tha ajo në fillim të videos.
Një shtëpi italiane, me ullinj të vjetër dhe kopsht trëndafilash
Tour-i nisi që jashtë.
Jenner tregoi shkurre livandoje, ullinj të vjetër, një rrugicë me kalldrëm të rikuperuar dhe një kopsht me trëndafila që planifikon të krijojë.
Arsyeja?
“Thjesht dua të ndihem si princeshë”, tha ajo me humor.
Më pas iu afrua shtëpisë, të cilën e quajti “shtëpia ime e bukur italiane e ëndrrave”.
Stili që po ndërton është larg estetikës ultra moderne dhe minimaliste që shpesh lidhet me familjen Kardashian-Jenner. Kylie duket se ka zgjedhur një atmosferë më të ngrohtë, me materiale të vjetra, dru të rikuperuar, gur, tulla dhe elemente vintage.
Brenda, Jenner tregoi dyshemetë prej druri të rikuperuar, për të cilat u shpreh entuziaste, si edhe mostrat e suvasë mes të cilave po zgjedh ngjyrën për hapësirat kryesore.
Në hyrje do të vendoset një oxhak i vjetër që aktualisht ndodhet ende i çmontuar, i kombinuar me tulla të vjetra.
Edhe kuzhina është ende në proces. Kylie tregoi mobiliet prej druri përpara trajtimit përfundimtar të ngjyrës dhe përfundimeve.
Në pjesë të tjera të shtëpisë do të ketë edhe oxhaqe të tjerë, duke e çuar edhe më tej idenë e një rezidence me karakter italian dhe detaje që duken sikur kanë qenë aty prej dekadash.
Në bodrum, Kylie ka planifikuar një palestër dhe një zonë spa.
Edhe banjot e miqve janë menduar si pjesë e rëndësishme e dizajnit. Në video ajo tregoi detaje prej guri që i quajti “mahnitëse”, ndërsa një tjetër banjë do të ketë pllaka vintage.
Pra, edhe pse prona është një mega-rezidencë moderne e ndërtuar nga e para, Jenner po përpiqet t’i japë pamjen e një shtëpie me histori.
Jashtë do të ketë edhe një fushë sportive me zhavorr, një shatërvan dhe një furrë picash, të menduar për darka, festa dhe ditëlindje.
Në fund të videos, Kylie nuk e fshehu padurimin pas viteve të punës.
“Kaq ishte për të gjitha miratimet e sotme dhe gjërat e reja. Jam shumë e emocionuar. Kam punuar për këtë prej kaq shumë kohësh dhe thjesht jam gati që të përfundojë. Dhe të futem brenda.”
Jenner e bleu pronën prej rreth pesë acre në prill 2020 për 15 milionë dollarë.
Në të njëjtin muaj bleu edhe një kompleks luksoz në Holmby Hills për 36.5 milionë dollarë.
Fillimisht, ajo nuk kishte ndërmend ta dokumentonte procesin e ndërtimit, por më vonë ndryshoi mendim.
“Gjithsesi është pak a shumë kudo në internet”, u tha ndjekësve.
Gjatë viteve, ajo kishte treguar herë pas here fragmente nga projekti në Instagram, mes tyre një laundry room që e përshkroi si “yummy” dhe një walk-in closet gjigant.



