Ky snack i fëmijërisë është një ushqimi perfekt sot për këdo

Kur vrapova maratonën time të parë, në vitin 2010, mbaj mend se u habita nga ajo që më ofruan pasi kalova vijën e finishit.
Jo, nuk po flas për medaljen që mora pasi përshkova 42 kilometrat e mi me një ritëm të ngadaltë, por konstant. Po flas për një kuti Tetra Pak me qumësht me kakao.
Vura re se maratonistët e tjerë përreth meje po e pinin me kënaqësi dhe, ndonëse pak e habitur, por shumë e etur, bëra të njëjtën gjë.
Ajo që nuk dija atëherë ishte se pirja e qumështit me kakao pas një gare sportive nuk është aspak një çudi, por një praktikë që ka një bazë shkencore.
Këtë e konfirmon edhe trajnerja Alysha Flynn.
“Po, pirja e qumështit me kakao pas aktivitetit fizik mund të ketë përfitime”, thotë ajo. “Kjo pije ofron një kombinim të mirë karbohidratesh dhe proteinash, dy elemente të rëndësishme për rikuperimin e muskujve pas stërvitjes, dhe përmban gjithashtu elektrolite që ndihmojnë rihidratimin.”
Në një kohë kur të gjithë dukemi të fiksuar pas proteinave dhe stërvitjes, është e mundur që suplementi më i fundit teknologjik apo konsumimi i sasive të mëdha të mishit pas palestrës të mos jenë gjithmonë zgjidhja më funksionale.
Ndonjëherë, një pije e thjeshtë që të kujton fëmijërinë mund ta bëjë shumë mirë punën.
Pse është kaq i rëndësishëm vakti pas stërvitjes?
Në shumë bare proteinike apo ushqime funksionale të krijuara për sportistë shfaqen fjalët “pre-workout”, “during workout” apo “post-workout”.
Nëse thjesht po kërkoni një snack të shëndetshëm, këto etiketa mund të duken konfuze. Por për dikë që stërvitet rregullisht, momenti kur konsumohen disa lëndë ushqyese mund të ketë rëndësi për performancën dhe rikuperimin.
Në ushqyerjen sportive dallohen zakonisht tri momente: përpara stërvitjes, për t’i dhënë trupit energji; gjatë aktivitetit, për të shmangur rënien e energjisë në seanca të gjata; dhe pas stërvitjes, kur synimi është të rikthehen rezervat e glikogjenit dhe të mbështetet riparimi i mikrodëmtimeve që aktiviteti fizik krijon në muskuj.
Glikogjeni, forma në të cilën organizmi ruan glukozën, është një nga burimet kryesore të energjisë dhe rikthimi i rezervave të tij është i rëndësishëm sidomos pas një aktiviteti të gjatë ose intensiv.
Pse qumështi me kakao funksionon mirë pas stërvitjes?
Në mënyrë disi të papritur, kombinimi i qumështit dhe kakaos mund të jetë shumë praktik menjëherë pas aktivitetit fizik.
Është një pije e dendur, freskuese dhe mjaftueshëm e ëmbël për të ndihmuar në rikthimin e energjisë pas një stërvitjeje.
Sigurisht, gjithçka varet edhe nga lloji i qumështit që përdoret.
Qumështi i plotë përmban proteina dhe yndyra. Qumështi i skremuar ka shumë pak yndyrë dhe ruan proteinat. Ndërsa alternativat bimore ndryshojnë dukshëm mes tyre për nga kaloritë dhe përmbajtja proteinike.
Sot ekzistojnë edhe pije bimore të fortifikuara me proteina që mund të jenë alternativa të vlefshme.
Pika e fortë e qumështit me kakao është kombinimi i karbohidrateve, proteinave, lëngjeve dhe elektroliteve.
Për ata që bëjnë aktivitete aerobike me konsum më të madh energjie, si vrapi apo Hyrox, nevojat pas stërvitjes mund të jenë më të larta si në kalori, ashtu edhe në proteina dhe lëngje.
1. Ndihmon në rikuperimin e muskujve dhe hidratimin
“Qumështi me kakao ka një raport karbohidratesh ndaj proteinave afërsisht 3 me 1, një kombinim i dobishëm për rikthimin e rezervave të glikogjenit dhe rikuperimin e muskujve pas një vrapi të gjatë ose një seance të fortë stërvitore”, shpjegon Flynn.
Qumështi përmban gjithashtu lëngje dhe elektrolite si kaliumi dhe natriumi, të cilat humbasin përmes djersës dhe duhen zëvendësuar pas aktivitetit fizik.
2. Mbështet shëndetin e kockave
Qumështi është i pasur me kalcium dhe, kur është i fortifikuar, mund të përmbajë edhe vitaminë D.
Këto lëndë ushqyese janë të rëndësishme për mirëmbajtjen e kockave.
Ky aspekt është veçanërisht i rëndësishëm për gratë me kalimin e moshës, pasi pas menopauzës ulja e estrogjenit mund të ndikojë në densitetin kockor.
Kakaoja, nga ana tjetër, përmban flavonoide, antioksidantë që lidhen me prodhimin e oksidit nitrik dhe me funksionimin normal të enëve të gjakut.
3. Është burim i plotë proteinash
Një tjetër avantazh i qumështit është se përmban të nëntë aminoacidet esenciale, të cilat organizmi nuk është në gjendje t’i prodhojë vetë.
Për këtë arsye konsiderohet një proteinë e plotë.
“Nëse shtojmë faktin që është relativisht ekonomik dhe ka shije të mirë, nuk është e habitshme që shumë sportistë e përdorin qumështin me kakao si pije rikuperimi”, thotë Flynn.
Sipas saj, mund të konsumohet brenda disa orëve pas stërvitjes për të mbështetur rikuperimin.
Përfitimet e qumështit me kakao, shkurtimisht
Qumështi me kakao mund të jetë një zgjedhje e mirë pas stërvitjes sepse:
ofron një raport të favorshëm mes karbohidrateve dhe proteinave;
përmban proteinë të plotë me të nëntë aminoacidet esenciale;
siguron lëngje dhe elektrolite si natriumi dhe kaliumi;
mund të ndihmojë në rikthimin e glikogjenit;
kakaoja përmban flavonoide që lidhen me funksionin vaskular.
Sa qumësht me kakao duhet të pimë pas stërvitjes?
Sasia varet nga intensiteti dhe kohëzgjatja e aktivitetit fizik, si edhe nga nevojat individuale.
Flynn sugjeron se rreth 500 ml mund të jenë të mjaftueshme pas një stërvitjeje të rëndësishme.
“Kjo sasi jep një kombinim të mirë proteinash, karbohidratesh dhe lëngjesh, të dobishme për rikuperimin dhe rihidratimin”, thotë ajo.
Megjithatë, për një seancë të lehtë aktiviteti fizik, mund të mos jetë e nevojshme e njëjta sasi.
A ka të njëjtat përfitime qumështi pa kakao?
Qumështi me kakao zakonisht përmban edhe sheqer të shtuar, ndaj lind natyrshëm pyetja nëse qumështi i zakonshëm mund të japë rezultate të ngjashme.
“Nga pikëpamja ushqyese, qumështi me kakao është në thelb qumësht lope me kakao dhe ëmbëlsues të shtuar”, shpjegon Flynn.
Përfitimet bazë të qumështit mbeten të ngjashme.
Dallimi kryesor është se kakaoja shton flavonoidet, ndërsa sheqeri shtesë rrit sasinë e karbohidrateve që mund të jenë të dobishme pas një stërvitjeje të gjatë ose intensive.
Një profil i ngjashëm mund të krijohet edhe duke kombinuar qumështin e zakonshëm me një burim karbohidratesh, si një banane ose një fetë bukë me gjalpë kikiriku.
Avantazhi i qumështit me kakao është se gjithçka ndodhet në një pije të vetme.
Po nëse nuk toleroni produktet e qumështit?
Për personat me intolerancë ndaj laktozës, versionet e qumështit pa laktozë mund të jenë një alternativë shumë e mirë.
Sa u përket pijeve bimore, profili ushqyes ndryshon shumë sipas produktit.
Disa pije me sojë të fortifikuara me proteina mund t’i afrohen më shumë profilit të qumështit të lopës, ndërsa pijet e bajames ose tërshërës shpesh kanë më pak proteina.
Prandaj, nëse përdoren si pije post-workout, është e rëndësishme të kontrollohet etiketa për përmbajtjen e proteinave, karbohidrateve dhe elektroliteve.
Në fund të fundit, qumështi me kakao nuk është ndonjë formulë magjike. Por për një person që sapo ka mbaruar një stërvitje të gjatë ose intensive, kombinimi i karbohidrateve, proteinave dhe lëngjeve e bën një opsion të thjeshtë, praktik dhe nostalgjik për rikuperim.



