Kush është Fatima Ezzahra El Mansouri, gruaja e parë që emërohet kryeministre e Marokut

Nga Class• 2 October 2026

Kush është Fatima Ezzahra El Mansouri, gruaja e parë që

Mbreti Mohammed VI ka emëruar Fatima Ezzahra El Mansouri në krye të qeverisë së Marokut, duke shënuar një precedent në historinë politike të vendit. Për herë të parë që nga pavarësia, një grua do të drejtojë ekzekutivin maroken. Ajo bëhet gjithashtu gruaja e dytë që drejton një qeveri në botën arabe, pas Najla Bouden në Tunizi. 

Emërimi erdhi pas zgjedhjeve parlamentare të 23 shtatorit, ku Partia e Autenticitetit dhe Modernitetit, PAM, doli forca e parë me 97 nga 395 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve. Pjesëmarrja në votime ishte rreth 38 për qind. Reuters

Emërimi i saj është një moment i pa precedent për Marokun, por edhe një hap që duhet parë brenda strukturës së veçantë politike të vendit. 

Sipas Kushtetutës së vitit 2011, mbreti duhet ta zgjedhë kreun e qeverisë nga partia që del e para në zgjedhjet parlamentare. Pikërisht mbi këtë bazë Mohammed VI zgjodhi El Mansouri-n.

Megjithatë, Maroku mbetet një monarki kushtetuese ku sovrani ruan kompetenca të gjera. Ai kryeson Këshillin e Ministrave, është kreu suprem i Forcave të Armatosura dhe mban rol qendror në vendimet strategjike të shtetit. Reforma kushtetuese e vitit 2011 i transferoi më shumë kompetenca qeverisë dhe kryeministrit, por nuk e hoqi rolin e fuqishëm të monarkisë në sistem. 

El Mansouri, 50 vjeçe, ishte deri në emërimin e saj kryetare e Bashkisë së Marrakech-it dhe ministre e Planifikimit Kombëtar, Urbanistikës, Strehimit dhe Politikave të Qytetit. Tani detyra e saj e parë është krijimi i një koalicioni që mund të sigurojë shumicën parlamentare. 

Pas audiencës me mbretin, ajo e përshkroi emërimin si “një moment historik” dhe si një burim krenarie jo vetëm personale, por për gratë marokene. Sipas artikullit, El Mansouri tha se konsultimet do të nisnin brenda PAM dhe më pas do të zgjeroheshin te partitë e tjera, pa vendosur paraprakisht “vija të kuqe”. Reuters ka raportuar gjithashtu se ajo është shprehur e hapur për negociata me forcat e tjera politike.  

Kush është Fatima Ezzahra El Mansouri?
E lindur në Marrakech në vitin 1976, Fatima Ezzahra El Mansouri vjen nga një familje e njohur në jetën publike të qytetit. Babai i saj, Abderrahmane El Mansouri, ishte avokat, ish pasha i Marrakech-it dhe më pas ambasador i Marokut në Emiratet e Bashkuara Arabe. Morocco World News

Edhe ajo zgjodhi fillimisht ligjin.

El Mansouri është diplomuar për të drejtë private në Universitetin Mohammed V në Rabat, ka kryer studime pasuniversitare për të drejtën e kontratave të biznesit në Universitetin e Montpellier në Francë dhe studime në të drejtën anglosaksone në Pace University në SHBA. Ka ushtruar profesionin e avokates në Marrakech, me fokus te e drejta e pronësisë. 

Në politikë hyri në fund të viteve 2000 dhe u bë një nga figurat themeluese të PAM.

Në vitin 2009 u zgjodh kryetare e Bashkisë së Marrakech-it, gruaja e parë që mbante këtë post në qytet. Më pas u bë deputete, drejtoi Këshillin Kombëtar të PAM dhe u rikthye si kryetare bashkie pas zgjedhjeve të vitit 2021. Po atë vit iu bashkua qeverisë së Aziz Akhannouch si ministre e Planifikimit të Territorit, Urbanistikës, Strehimit dhe Politikës së Qytetit. 

Në vitin 2014, emri i saj u përfshi nga Forbes mes grave të reja afrikane me ndikim, ndërsa më vonë u bë një nga figurat kryesore drejtuese të PAM. 

Një qeveri nën presionin e ekonomisë dhe Botërorit 2030
Qeveria që El Mansouri duhet të formojë po merr detyrën në një moment delikat.

PAM nuk ka shumicën absolute dhe duhet të krijojë një koalicion. RNI mori 66 mandate, ndërsa Istiqlal 65. Reuters ka raportuar se El Mansouri nuk ka përjashtuar negociatat me këto parti. 

Ekonomia është një tjetër sfidë e rëndësishme. Qeveria e re pritet të përballet me pakënaqësinë e të rinjve, papunësinë, inflacionin dhe kërkesat për rritje të pagave dhe vende të reja pune. El Mansouri ka premtuar krijimin e një milion vendeve të punës. 

Një pjesë e madhe e vëmendjes do të jetë gjithashtu te përgatitjet për Kupën e Botës 2030, të cilën Maroku do ta organizojë së bashku me Spanjën dhe Portugalinë. Për këtë arsye, administrata që po formohet është quajtur në disa media edhe “qeveria e Botërorit”. Investimet e lidhura me turneun pritet të jenë një nga çështjet kryesore të mandatit të saj. 

Një grua në krye të qeverisë, në një vend ku pabarazitë mbeten të mëdha
Emërimi i El Mansouri-t është një moment i rëndësishëm simbolik për përfaqësimin politik të grave, por nuk do të thotë se hendeku gjinor në Marok është mbyllur.

Ligjet dhe praktikat që lidhen me të drejtat e grave mbeten objekt debatesh dhe reformash. Human Rights Watch vëren se barazia mes burrave dhe grave në trashëgimi nuk është arritur ende dhe se aborti vazhdon të jetë i kriminalizuar, me përjashtime të kufizuara kur jeta ose shëndeti i gruas është në rrezik. 

Artikulli kujton se ndër vite janë bërë edhe ndryshime të rëndësishme ligjore dhe politike për gratë, nga pjesëmarrja në jetën publike te masat kundër dhunës me bazë gjinore, por sfida të mëdha mbeten ende.  

Edhe shifrat e tregojnë këtë.

Në Global Gender Gap Report 2025 të World Economic Forum, Maroku renditej në vendin e 137 nga 148 ekonomi, me një rezultat prej 62.8 për qind në indeksin e përgjithshëm të barazisë gjinore. 

Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë gjithashtu një hendek të madh në tregun e punës: në vitin 2025, pjesëmarrja e grave në forcën e punës ishte rreth 19.7 për qind, krahasuar me 68.1 për qind për burrat. 

Pikërisht për këtë arsye, rëndësia e emërimit të El Mansouri-t shkon përtej faktit se një grua ka marrë për herë të parë postin më të lartë qeveritar në vend.

Ajo do të gjykohet tashmë mbi të njëjtat çështje që përcaktojnë çdo mandat politik në Marok: ekonominë, punësimin, marrëdhëniet me monarkinë, formimin e një koalicioni funksional dhe përgatitjen e vendit për një prej ngjarjeve më të mëdha ndërkombëtare që ka organizuar ndonjëherë.

Emërimi është historik. Se çfarë ndryshimi konkret do të sjellë qeveria e saj, kjo do të varet nga vendimet që do të marrë dhe nga hapësira reale politike që do të ketë për t’i zbatuar ato.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon