Kush do të jetë James Bond i ri?

Mediat amerikane raportojnë se Denis Villeneuve, regjisori i filmit të ri të James Bond-it, po i afrohet vendimit për aktorin që do të interpretojë agjentin sekret më të famshëm të kinemasë.
Zgjedhja e James Bond-it të ri është kthyer prej muajsh në një nga temat më të diskutuara të kinemasë. Aktori që do të marrë përsipër trashëgiminë e Daniel Craig, Pierce Brosnan dhe Sean Connery pritet të prezantohet zyrtarisht në javët e ardhshme. Sipas mediave amerikane, mes tyre Deadline, regjisori Denis Villeneuve, i njohur për “Dune”, dhe skenaristi Steven Knight, krijuesi i “Peaky Blinders”, po përgatiten për fazën përfundimtare të provave me tre aktorët e përzgjedhur pas muajsh audicionesh.
Emrat e tyre kanë qarkulluar prej kohësh, ndonëse deri tani vetëm si pjesë e spekulimeve për të ardhmen e sagës, kontrolli krijues i së cilës kaloi nga familja Broccoli tek Amazon MGM Studios në shkurt të vitit 2025. Bëhet fjalë për Callum Turner, Jack Lowden dhe Josh O’Connor. Dy të parët janë të njohur edhe në kronikën rozë për lidhjet e tyre me Dua Lipën dhe Saoirse Ronan. Sipas Variety dhe revistave të tjera amerikane, këta janë tre aktorët që po konkurrojnë për rolin aq të lakmuar.
Pesha e të qenët James Bond-i i ri
Filmi i ri i Villeneuve mbart një përgjegjësi të dyfishtë artistike. Ai do të jetë kapitulli i parë i sagës nën drejtimin e Amazon dhe, njëkohësisht, filmi që do të prezantojë një interpretues të ri të agjentit 007.
Aktorit të zgjedhur do t’i duhet të ruajë vazhdimësinë e personazhit të krijuar nga shkrimtari britanik Ian Fleming, por edhe të imazhit që kanë ndërtuar paraardhësit e tij. Nga “Dr. No”, më 1962, deri te “No Time to Die”, më 2021, aktorët që kanë veshur smokingun e agjentit sekret në shërbim të Madhërisë së Saj i kanë dhënë Bond-it tipare që publiku i njeh menjëherë.
Callum Turner shihet si favorit, ndërsa Jacob Elordi duket jashtë garës
Pas largimit të Daniel Craig nga saga, në media janë përmendur shumë emra si pasardhës të mundshëm: nga Regé-Jean Page, i njohur si duka në “Bridgerton”, tek Aaron Taylor-Johnson, Henry Cavill dhe Jacob Elordi. Ky i fundit, sipas raportimeve të javëve të fundit, duket se ka dalë nga lista e kandidatëve. Nuk dihet nëse është tërhequr vetë, nëse vendimi lidhet me vizionin artistik të filmit apo me angazhimet e tij në projekte të tjera.
Turner, Lowden dhe O’Connor janë tre emra të njohur e të vlerësuar të kinemasë britanike. Turner ka luajtur në “One Night Only”, përkrah Monica Barbaro-s; Lowden është një nga protagonistët e serialit “Slow Horses”; ndërsa O’Connor, i njohur për rolin e tij në “The Crown”, ka bashkëpunuar me Luca Guadagnino-n në “Challengers” dhe me Steven Spielberg-un në “Disclosure Day”.
Të tre kanë përvoja të rëndësishme artistike, por sfida është që aftësitë e tyre të përputhen me karizmën dhe karakterin e James Bond-it. Pikërisht për këtë arsye, shumëkush e sheh Turner-in si kandidatin me pamjen dhe praninë më të përshtatshme për rolin. Aktori 36-vjeçar e nisi karrierën në modë, përpara se të kalonte në kinema dhe televizion.
Provat përfundimtare dhe e ardhmja e Bond-it
Sipas The Hollywood Reporter, provat përfundimtare pritet të zhvillohen fundjavën e ardhshme në Londër. Aktorët që kanë mbërritur deri në këtë fazë do të provohen në skena aksioni, në interpretimin e dialogëve dhe në praninë e tyre përpara kamerës.
Sepse James Bond-i nuk përcaktohet vetëm nga pamja e aktorit që e interpreton. Po aq rëndësi kanë qëndrimi, siguria dhe mënyra se si ai e mishëron personazhin. Nuk është rastësi që Sean Connery është zgjedhur vazhdimisht nga publiku si James Bond-i më i mirë i të gjitha kohërave.
Filmi ende nuk ka një datë zyrtare premiere. Ndërkohë, realizimi i këtij kapitulli të ri është shoqëruar me skepticizëm për kalimin e kontrollit nga familja Broccoli, e cila e kishte drejtuar sagën për rreth 60 vjet, tek Amazon. Një pjesë e publikut druhet se ky ndryshim mund ta dobësojë një nga sagat më jetëgjata të kinemasë, madje të shënojë fillimin e fundit të saj.
Përpjekjet për ta përshtatur Bond-in me kohën kanë nisur më herët. Që në vitin 2019, gjatë realizimit të “No Time to Die” me Daniel Craig, u synua të rifreskoheshin disa nga marrëdhëniet dhe skemat e përsëritura rreth personazhit, veçanërisht mënyra se si paraqiteshin gratë e njohura si “Bond Girls”. Për këtë, ekipit të skenaristëve iu bashkua Phoebe Waller-Bridge, krijuesja e serialit të suksesshëm “Fleabag”.
Megjithatë, pavarësisht thirrjeve për një James Bond më të ndjeshëm ndaj barazisë gjinore, një ndryshim rrënjësor i natyrës së tij duket pak i mundshëm. Villeneuve dhe Steven Knight vazhdojnë të ruajnë heshtjen, ndërsa punojnë për të gjetur agjentin e ri 007.
Është një rol ikonë një cilësim shpesh i tepruar, por në këtë rast i merituar. James Bond-i ka përcaktuar karrierën e aktorëve që e kanë interpretuar dhe ka krijuar një univers pamor e rrëfimtar që, deri më sot, duket se i ka rezistuar çdo ndryshimi.



