Kim Kardashian zbulon sa dado ka për katër fëmijët që ndan me Kanye West

Kim Kardashian ka zbuluar se ka pesë dado që e ndihmojnë në kujdesin për katër fëmijët që ka me ish bashkëshortin Kanye West.
Biznesmenia miliardere ka gjithmonë një nga dadot në turn kur fëmijët, North 13 vjeçe, Saint 10 vjeç, Chicago 8 vjeçe dhe Psalm 7 vjeç, janë me të. Këtë e ka treguar vetë në një profil të publikuar nga Sunday Times Style Magazine.
Megjithatë, pavarësisht ndihmës së madhe që ka në shtëpi, Kardashian thotë se kujdeset vetë për disa momente të përditshme me fëmijët. Ajo i çon dhe i merr nga shkolla, ndërsa çdo mbrëmje ulet me ta për darkën familjare.
“Mendoj se jam një prind mesatarisht i rreptë”, tha 45 vjeçarja. “Jam jashtëzakonisht e duruar dhe e dashur. Ende kam ndonjë nga fëmijët që fle në krevatin tim kur do. U lexoj libra fëmijëve çdo natë.”
Themeluesja e Skims nuk foli për gjendjen aktuale të marrëdhënies së saj me Kanye West, por tregoi se, kur bëhet fjalë për fëmijët dhe projektet e tyre, komunikimi mes tyre funksionon më mirë. Sidomos për North, e cila po ndërton rrugën e saj në muzikë.
“Kjo është diçka për të cilën unë dhe babai i saj kemi komunikim më të mirë”, u shpreh Kim. “Sigurohemi që të jemi në një linjë dhe që ajo të jetë pjesë e projekteve që i miratojmë të dy.”
Kim Kardashian dhe Kanye West, të cilët ishin të martuar nga viti 2014 deri në vitin 2022, kanë pasur ndër vite një marrëdhënie të trazuar si bashkëprindër.
Reperi i “Donda” ka reaguar publikisht në rrjete sociale, pasi Kardashian e përshkroi veten si “mbajtësja kryesore” e fëmijëve.
Gjatë një interviste në vitin 2024 në podcastin What’s in the Winkler, ylli i reality show-t pranoi se shpesh ndihet “vetëm” në rritjen e fëmijëve, pavarësisht faktit se ka disa dado.
Ajo tha se ka “sisteme shumë të mira mbështetjeje”, por vështirësitë bëhen më të ndjeshme në mes të natës, kur fëmijët flenë në krevatin e saj, e shkelmojnë ose qajnë.
Kardashian pranoi se nuk flet shpesh për këto vështirësi, sepse nuk dëshiron të gjykohet, por këmbënguli se, në thelb, po rrit “katër fëmijë vetë”.
“Njerëzit gjithmonë hidhen menjëherë te: ‘Po ti ke mundësi të kesh dado dhe ndihmë’”, tha ajo.
Ndër vite, Kim ka vazhduar të jetë jashtëzakonisht aktive profesionalisht, duke ndërtuar një perandori miliardere.
Përveç pjesëmarrjes në reality show që nga viti 2007, ajo nisi në vitin 2018 studimet për drejtësi përmes programit California Law Office Study Program, i cili kërkonte 18 orë punë në javë.
Në vitin 2019, ajo lançoi linjën e saj të veshjeve formësuese, Skims.
Kardashian vazhdon të punojë për të kaluar provimin e avokatisë pas disa tentativave të pasuksesshme. Një burim i tha Page Six në maj se ajo kishte bërë një pauzë nga studimet për t’u përqendruar te xhirimet dhe prodhimi i disa projekteve.
Së fundmi, Kim i shtoi CV-së edhe rolin e aktores, pasi iu bashkua serialit All’s Fair të Ryan Murphy si Allura Grant në vitin 2025. Ajo ka përfunduar së fundmi xhirimet për sezonin e dytë.
Ndërkohë, Kardashian po menaxhon edhe një lidhje të re me pilotin e Formula 1, Lewis Hamilton.
Sa për Kanye West, ai u martua me modelen Bianca Censori në dhjetor 2022, më pak se një muaj pasi finalizoi divorcin nga Kim Kardashian.



