Kida kishte natën, Luanës i dha mesnatën

Çdo vit ka të paktën shtatë “dasma të vitit”, çka do të thotë se ose viti martohet shpesh, ose ne emocionohemi shumë shpejt nga tavolinat me lule.
I shohim të gjitha. Numërojmë fustanet, komentojmë të ftuarit, zmadhojmë fotot për të kuptuar kush ishte në tavolinën e parë dhe kush, me sa duket, nuk është më shoqe me nusen. Për dy ditë dimë sa metra ishte velloja, sa kate ishte torta dhe kush u vesh me të bardha, duke i shkatërruar ditën nuses.
Pastaj kalojnë ca javë dhe harrojmë gjithçka… lulet, tavolinat dhe zakonisht edhe fustanin e tretë. Gjërat që kujtojmë gjithmonë janë shpesh gjërat shumë më të vogla.
Dhe dua t’ju tregoj se çfarë do të mbaj mend unë nga dasma e Kidës, që është cilësuar si një nga dasmat e vitit.
Kida kishte gjithë të drejtën e botës ta mbante të gjithë mbrëmjen për vete. Ishte nusja. Madje, nëse ka një ditë kur protagonizmi i tepruar nuk konsiderohet ves karakteri, është pikërisht dita e dasmës.
Gjithçka atë natë ishte organizuar rreth Kidës dhe Ajbit. Roma, ceremonia, muzika, të ftuarit, fustanet dhe të gjitha ato detaje që kërkojnë muaj punë, shumë njerëz dhe, me shumë gjasa, disa telefonata ku dikush ka thënë: “Jo, kjo nuancë nuk është ivory, është champagne”.
Dhe pastaj ora kaloi dymbëdhjetë.
Erdhi 2 shtatori dhe bashkë me të ditëlindja e Luana Vjollcës, e ftuar në dasmë.
Kida ia dha asaj gjithë momentin. Qirinjtë, muzikën, urimet, sallën, të ftuarit dhe vëmendjen. Për disa minuta, nusja bëri një hap pas dhe për disa minuta një grua tjetër u gjend në qendër të mbrëmjes.
Jo, nuk po them se Kida bëri ndonjë sakrificë biblike. Nuk i dha Luanës fustanin, dhëndrin apo vendin e Papës.
Pra, nuk do ta shpallim tani Shën Kidën e Romës. Ishte një gjest i vogël dhe le të mbetet i tillë. Por gjestet e vogla kanë zakonin e bezdisshëm të tregojnë gjëra të mëdha.
Ne jetojmë në një kohë ku njerëzit e duan shumë dritën. Ndonjëherë më shumë se ç’duan vetë momentin. Lumturia dhe kënaqësia e shumë njerëzve vijnë shpesh në përpjesëtim të drejtë me sa janë parë, sa janë fotografuar, sa është folur për ta. Dhe në një dasmë, ku gjithçka është ndërtuar pikërisht rreth dy njerëzve, tundimi për ta mbajtur gjithë skenën për vete është pothuajse i ligjshëm.
Prandaj më pëlqeu që Kida nuk u soll sikur disa qirinj të ndezur për Luanën do t’i fiknin ndonjë gjë asaj. Nuk u tremb se, duke ia dhënë dikujt tjetër skenën për pak minuta, do të bëhej më pak e rëndësishme.
Përkundrazi.
Njerëzit që janë të sigurt në vendin e tyre nuk e ruajnë atë me bërryla. Nuk alarmohen kur vëmendja zhvendoset për pak. E dinë se drita nuk është tortë dasme që, po mori dikush një copë, mbetesh ti pa ngrënë.
Dasma mund të ketë qenë madhështore. Lulet mund të kenë qenë të rralla, tavolinat perfekte dhe fustanet aq të bukura sa për të prodhuar materiale për njerëzit deri në fund të javës.
Por të gjitha këto, herët a vonë, futen në arkiv.
Por unë do ta kujtoj gjatë një nuse që, për disa minuta, nuk pati aspak frikë t’i thoshte një gruaje tjetër:
Merre pak dritën. Kam boll.



