Kida dhe Ajbi martohen sonte në Romë, nga vila luksoze te të ftuarit VIP, zbulohen detajet e dasmës

Dita e shumëpritur ka mbërritur për Kidën dhe Ajbin. Këngëtarja kurorëzon sonte dashurinë me partnerin e saj në Romë, në një ceremoni që pritet të mbledhë disa prej emrave më të njohur të muzikës shqiptare.
Për ditën e madhe, çifti ka zgjedhur Villa Miani, një prej rezidencave historike dhe më elegante të kryeqytetit italian, e pozicionuar në majën e Monte Marios dhe me një pamje panoramike mbi Romën.
Edhe organizimi pritet të jetë në përmasat e një eventi luksoz. Është raportuar se vetëm qiraja e hapësirës mund të arrijë deri në 25 mijë euro, ndërsa së bashku me stafin dhe elementët e tjerë të organizimit, shpenzimet mund të kalojnë 70 mijë euro.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe menusë së mbrëmjes, e cila pritet t'u besohet profesionistëve të nivelit Michelin, ndërsa sistemi profesional i ndriçimit dhe zërit raportohet se mund të kushtojë deri në 18 mijë e 500 euro.
Por përveç detajeve të dasmës, kuriozitet të madh ka ngjallur edhe lista e të ftuarve.
Mes emrave që pritet të jenë sonte në Villa Miani është Dafina Zeqiri, së bashku me bashkëshortin e saj, Kreshnik Gjergji. Prania e Dafinës merr një vëmendje të veçantë pas raportimeve të mëparshme për një ftohje mes dy artisteve. Kida mungoi në dasmën e saj, por duket se çdo keqkuptim tashmë i përket së kaluarës.
Në Romë kanë udhëtuar gjithashtu Shkurte Gashi dhe bashkëshorti i saj Albert Limani, ndërsa mes të ftuarve pritet të shihen edhe Ermal Fejzullahu, Yll Limani dhe Mozzik.
Dhe sigurisht, në një dasmë ku nusja është një prej këngëtareve më të njohura shqiptare, muzika nuk mund të mbetej në plan të dytë.
Atmosfera e mbrëmjes pritet t'i besohet Ramadan Krasniqit, Danit, i cili do të performojë për çiftin dhe të ftuarit në natën e tyre më të rëndësishme.
Pas muajsh përgatitjesh dhe një historie dashurie që Kida ka preferuar ta ruajë kryesisht larg syrit të publikut, sonte ajo dhe Ajbi nisin zyrtarisht kapitullin e tyre të ri si burrë e grua, në zemër të Romës.



