Këshilla më e mirë e Melinda French Gates për shëndetin mendor

Nga Class 25 August 2026

images (2).jpg

Melinda French Gates dëshiron t’u japë të tjerëve disa nga mjetet që ajo vetë ka mësuar të përdorë për të përballuar periudhat e vështira të jetës. Filantropistja publikoi vitin e kaluar librin e saj të dytë, “The Next Day: Transitions, Change, and Moving Forward”, ku flet për 60 vjetorin, fundin e martesës me Bill Gates dhe mënyrën si ndërtohet një jetë e re pas një ndryshimi të madh.

Në libër, French Gates e përshkruan periudhën mes divorcit dhe fillimit të kapitullit të ri si një nga më të vështirat e jetës së saj. Por pikërisht aty lindi edhe një nga këshillat që ajo e konsideron më të vlefshme: mos u përpiq të kalosh menjëherë te gjëja tjetër.

“Mos u largoni thjesht dhe të hidheni menjëherë te kapitulli tjetër”, është shprehur ajo. “Merrni pak kohë ditën pas asaj që menduat se ishte momenti i ndryshimit, për të menduar vërtet, për të ndier dhe për të mësuar, sepse një tranzicion mund të sjellë shumë rritje.”

Sipas saj, shumë njerëz janë aq të fokusuar te “çfarë vjen më pas”, sa nuk i japin vetes kohë të kuptojnë çfarë sapo ka ndodhur. Dhe pikërisht ajo hapësirë mes një fundi dhe një fillimi mund të jetë pjesa më e rëndësishme e gjithë procesit.

French Gates këshillon gjithashtu të shkëputemi nga telefoni dhe shpërqendrimet, qoftë edhe vetëm për 10 minuta në ditë. Ato minuta mund të përdoren për një vrap të shkurtër, meditim, një shëtitje apo thjesht për të qëndruar pa zhurmë.

“Dua t’u them të gjithëve të gjejnë kohë për qetësi”, e përmblodhi ajo në një intervistë për Forbes.

Këshilla e saj lidhet drejtpërdrejt me atë që vetë ka kaluar pas divorcit nga Bill Gates. Çifti finalizoi ndarjen në vitin 2021, pas 27 vitesh martesë dhe tre fëmijëve së bashku, Jennifer, Phoebe dhe Rory.

Në një intervistë për CBS News në vitin 2022, Melinda shpjegoi se divorci nuk erdhi nga një ngjarje e vetme. “Nuk ishte një moment apo një gjë specifike. Erdhi një pikë kur kishte mjaftueshëm gjëra sa kuptova se marrëdhënia nuk ishte më e shëndetshme dhe se nuk mund t’i besoja më asaj që kishim.”

Që prej asaj kohe, ajo ka vazhduar punën si sipërmarrëse dhe filantropiste, ka shkruar libra dhe ka folur gjithnjë e më hapur për ndryshimin, humbjen dhe nevojën për të mos e trajtuar çdo kapitull të vështirë si diçka që duhet “kapërcyer” sa më shpejt.

Mesazhi i saj është i thjeshtë: jo çdo boshllëk duhet mbushur menjëherë. Ndonjëherë, pikërisht kur ndalojmë, heshtim dhe i japim vetes kohë të kuptojmë çfarë po ndiejmë, fillon edhe ndryshimi i vërtetë.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon