Katy Perry dhe Justin Trudeau, dashuri në udhëtim: tri shtete europiane brenda një jave

Nga tapeti i kuq në West Hollywood te rrugët e Parisit, Milanos dhe Barcelonës. Katy Perry dhe Justin Trudeau kanë kaluar një javë në Europë, duke ndërthurur angazhimet profesionale me kohën për njëri-tjetrin.
Më 19 nëntor, çifti u fotografua përpara hotelit Ritz në Paris, me veshje të përshtatura për ditët e ftohta të vjeshtës. Këngëtarja kishte zgjedhur një xhaketë kamoshi në ngjyrë kafe të çelët dhe pantallona të zeza, ndërsa ish-kryeministri kanadez kishte kombinuar blunë e errët me grinë.
Po atë ditë, ata ishin parë edhe në Itali, duke dalë nga hoteli Four Seasons në Milano. Dy ditë më parë, më 17 nëntor, ndodheshin në Barcelonë, ku morën pjesë në konferencën “Metafuturo” të organizuar nga Atresmedia. Trudeau ishte një nga folësit e aktivitetit. elle.com
Perry ka ndarë herë pas here në Instagram çaste nga marrëdhënia e tyre, megjithëse, në kohën kur Elle raportoi për udhëtimin, ende nuk kishte publikuar fotografi nga këto ndalesa në Europë.
Në fillim të muajit, këngëtarja tregoi se e kishte festuar edhe ditëlindjen e saj të 42-të me Trudeau-n, gjatë një tjetër udhëtimi.
“Këtë javë arrita nivelin 42! Nuk ndieja ndonjë emocion të veçantë për këtë moshë, që më dukej diku në mes… Pastaj më shpjeguan se 42 është, në fakt, përgjigjja për gjithçka. Edhe pse ende nuk e kuptoj, për mua është në rregull të mbush 42 vjeç, për sa kohë mund t’i mbush me ty. Po i rikthehem jetës…”, shkroi ajo.
Kjo nuk ishte hera e parë që artistja fliste hapur për rëndësinë që ka marrë Trudeau në jetën e saj. Në një intervistë për People në shtator, ajo e përshkroi si dashurinë e jetës.
Duke reflektuar për vitin që kishte kaluar, Perry tha:
“Mësova t’i rikthehem asaj që i jep kuptim jetës sime dhe nga ky turne, ‘Lifetimes’, mora dhuratën më të madhe: njoha dashurinë e jetës sime.”
Këngëtarja tregoi se, përpara se të niste marrëdhënien me Trudeau-n, kishte folur shpesh me terapisten për dashurinë që dëshironte të përjetonte.
“Gjithmonë kam dashur një dashuri epike, legjendare. Flisja me terapisten time për këtë: gjithçka në jetën time është epike, por kjo ishte pjesa që i mungonte mozaikut… Pastaj erdhi”, rrëfeu ajo.
Perry vlerësoi veçanërisht mënyrën si partneri e mbështet në karrierën muzikore dhe entuziazmin me të cilin e ndjek punën e saj.
“I di fjalët e këngëve, më mbështet dhe mahnitet nga ajo që bëj. Kjo më bën jashtëzakonisht mirë. Është vërtet një njeri që udhëhiqet nga zemra dhe mendoj se në këtë pikë jemi shumë në sintoni. Ndihem shumë mirënjohëse.”



