Jude Bellingham: Po sikur vena cefalike të jetë simboli i ri i statusit mashkullor?

Që kur Calvin Klein prezantoi fushatën e të brendshmeve me Jude Bellingham, futbollistin anglez të Real Madridit, u rihap një debat i vjetër. Cila pjesë e trupit të një burri është më joshëse?
Fotografitë u bëjnë homazh reklamave të dikurshme të markës, ndonëse shumëkush sheh në to një mënyrë disi të vjetruar të trajtimit të trupit mashkullor si objekt dëshire. Nga gjithë ai fizik i skalitur, do të prisje që vëmendjen ta merrnin muskujt e çeliktë të barkut ose, siç e do moda e #glutemaxxing, vithet prej mermeri. Por nëpër forume po flitet për venën cefalike, atë që ngjitet nga parakrahu dhe bie në sy përgjatë bicepsit.
Gazeta britanike Metro mblodhi disa prej komenteve që përdoruesit kishin shkëmbyer në Reddit dhe në platforma të tjera. Sipas gazetës, fushata ia detyron një pjesë të bujës pikërisht fantazive që ngjallin te shumëkush venat e theksuara në krahët e burrave.
Po çfarë kanë kaq joshëse?
Për të kuptuar arsyen e kësaj tërheqjeje, Metro iu drejtua seksologes Gigi Engle. Sipas saj, për shumë njerëz, venat e theksuara lidhen menjëherë me burrërinë dhe me idenë e një niveli të lartë testosteroni. Ato të sjellin ndër mend forcën fizike dhe një trup me përqindje të ulët dhjami, si ai i atletëve elitarë që stërviten me intensitet të lartë. Me pak fjalë, fiziku i dikujt që i ka të gjitha gjasat të kthehet në ikonë.
Disa komentues, që shpreheshin fare pa dorashka, shkonin edhe më tej. Për ta, mjaftonte një vështrim te vena në krah për të përfytyruar sa fort mund t’i shtrëngonte partneri. Kur ajo spikatej nën lëkurë, u sillte ndër mend dëshirën, tensionin dhe forcën që mund të ndihen në një çast intim.
Mos vallë na kishte shpëtuar deri më sot një detaj kaq sensual?



