Jonida Maliqi flet hapur për Alessio Aliajn: “Më kthen fëmijën që kam brenda”

Pas muajsh aludimesh dhe daljesh të përbashkëta, Jonida Maliqi ka folur më hapur për marrëdhënien me Alessio Aliajn, duke treguar jo vetëm çfarë i bashkon, por edhe arsyen pse ka zgjedhur ta mbrojë këtë histori nga ekspozimi i tepërt publik.
E ftuar në “Live From Tirana”, këngëtarja foli fillimisht për fazën e jetës në të cilën ndodhet sot. Për Jonidën, të dyzetat kanë sjellë një raport tjetër me veten, me kohën dhe sidomos me rëndësinë që u jep mendimeve të njerëzve të tjerë.
“Mendoj që çdo individ pas të dyzetave fillon dhe reflekton më shumë për veten. Fillon e do veten më shumë dhe fillon të marrë më pak në konsideratë mendimin e të tjerëve”, u shpreh ajo.
Sipas Jonidës, kjo lloj qartësie nuk vjen vetëm me moshën, por edhe me eksperiencat. Sidomos pasi ke kaluar momente që të kanë rrëzuar dhe të kanë detyruar të kuptosh se cilët njerëz dhe cilat gjëra meritojnë realisht energjinë tënde.
Ajo foli edhe për ndjesinë se koha sot kalon shumë më shpejt. Teknologjia, fluksi i vazhdueshëm i informacionit dhe dëshira për të bërë shumë gjëra njëkohësisht, sipas saj, kanë ndryshuar edhe mënyrën se si e perceptojmë përditshmërinë.
Por pjesa më personale e intervistës erdhi kur biseda kaloi te Alessio Aliaj.
Jonida e bëri të qartë se për të është e rëndësishme që një marrëdhënie të ketë një status dhe të mos jetojë në një paqartësi të vazhdueshme. Të dy vijnë nga martesa të përfunduara, janë prindër dhe kanë pas vetes histori të rëndësishme personale, ndërsa edhe ish-partnerët e tyre kanë vazhduar jetët përkatëse.
Këngëtarja pranoi se raporti në distancë nuk ka qenë gjithmonë i thjeshtë. Ka pasur ribashkime të bukura, por edhe momente largësie dhe mosbesimi. Megjithatë, ajo zgjodhi ta përshkruante marrëdhënien përmes asaj që Alessio arrin të zgjojë tek ajo.
“Alessio hera-herës më kthen fëmijën që kam brenda dhe është gjëja më e bukur në botë.”
Dhe këtë herë Jonida shkoi edhe më tej, duke mos e fshehur ndjenjën që ka për të.
Ajo tha se nuk ka turp të pranojë se e do partnerin e saj, por kjo nuk do të thotë se dëshiron ta kthejë marrëdhënien në një histori që duhet konsumuar vazhdimisht publikisht.
Arsyeja lidhet veçanërisht me fëmijët dhe familjet e të dyve. Për Jonidën, ekziston një vijë mes të qenit personazh publik dhe detyrimit për t'i dhënë publikut çdo detaj të jetës private.
Pikërisht këtu ajo kishte edhe një kërkesë për mënyrën se si trajtohen deklaratat e personazheve të njohur: të mos shkëputen nga konteksti dhe të mos përdoren për tituj që ndryshojnë kuptimin e asaj që është thënë.
Pas një vere gjatë së cilës Jonida dhe Alessio janë parë disa herë bashkë, përfshirë edhe dasmën e Kidës në Romë, të dy kanë zgjedhur gradualisht të flasin më shumë për raportin e tyre. Vetëm pak ditë më parë, Alessio deklaronte se jetën personale preferon ta mbajë të tillë, duke shtuar: “Kam qejf t’i shijoj gjërat dhe po e shijoj. Gjërat rrjedhin vetë.”



