Jeta e trazuar e Giorgos Mazonakis, nga konflikti me familjen te akuzat për abuzim seksual dhe shtrimi i detyruar në psikiatri

Nga Class• 10 September 2026

Giorgos Mazonakis ishte për më shumë se tri dekada një nga zërat më të njohur të muzikës greke. Pas suksesit, skenës dhe një karriere që e bëri të njohur edhe jashtë Greqisë, vitet e fundit të jetës së tij u shoqëruan nga një periudhë shumë më e trazuar personale. Vetëm pak kohë përpara ndarjes së papritur nga jeta në moshën 54 vjeçare, artisti kishte folur hapur për konfliktin me familjen, shtrimin e pavullnetshëm në spitalin psikiatrik Dromokaiteio dhe një akuzë për sjellje të pahijshme seksuale, të cilën e mohonte kategorikisht.

Në një intervistë për “Tet a Tet” në Alpha Cyprus, Mazonakis e përshkruante vitin e fundit si një periudhë “plot aventura”, që e kishte detyruar të ndryshonte edhe mënyrën se si përballej me ekspozimin publik.

“Kam mësuar të flas kur dua unë të flas, jo kur duan të tjerët. Është diçka që e kam fituar me kalimin e viteve”, shprehej ai.

Për një njeri që kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës nën vëmendjen e publikut, heshtja ishte kthyer në një formë mbrojtjeje.

“Dua ta kuptoj një situatë përmes fakteve dhe ta shoh nga larg, jo përmes nervave. Nuk ndoqa asgjë nga ato që thuhej për mua. Për shumë vite ekspozimi publik më shkaktonte frikë, por pas kësaj eksperience kuptova se ndonjëherë heshtja është më e mirë.”

Në qendër të krizës personale ishte marrëdhënia me familjen dhe veçanërisht me motrën e tij, Vaso, me të cilën kishte bashkëpunuar për vite. Mazonakis këmbëngulte se ajo nuk kishte qenë menaxherja e tij, por bashkëpunëtore, ndërsa vendimet për karrierën i kishte marrë gjithmonë vetë. Sipas versionit të tij, raporti mes tyre u përkeqësua pas mosmarrëveshjeve që përfshinin një pronë dhe një autorizim ligjor.

Ai tregonte se për vite kishte qenë një nga mbështetësit kryesorë financiarë të familjes, por njëkohësisht kishte toleruar situata që më vonë besonte se duhej t’i kishte kundërshtuar.

“M’u deshën shumë biseda për të kuptuar se nuk mund të vazhdonim më të punonim bashkë. Pastaj nisi vallja e absurdit. Gjithçka u kthye në kaos dhe duhej ta zgjidhnim ngadalë atë nyje. Kam 100 për qind pjesën time të përgjegjësisë për atë që ndodhi me familjen time. Përmes kësaj historie zbulova shumë gjëra që kisha pranuar si të miat, edhe pse nuk ishin të miat. Nuk reagoja. Kisha një lloj mirësjelljeje që mund të më shkatërronte. Rrija aty dhe prisja që gjërat të ndryshonin vetë.”

Pika më dramatike erdhi kur Mazonakis u dërgua në mënyrë të pavullnetshme në spitalin psikiatrik Dromokaiteio. Ai e kujtonte momentin me shumë detaje. Kishte dalë për një shëtitje dhe, kur u kthye në shtëpi, në derë u paraqitën dy policë me rroba civile.Megjithatë, tregonte se brenda institucionit kishte gjetur një pritje krejt tjetër nga ajo që kishte imagjinuar.

“Më treguan dokumentin dhe më thanë se duhej të shkoja në Dromokaiteio. Në atë moment po gatuaja. Hëngra, bëra dush, hipa në makinën e policisë dhe shkova në Dromokaiteio. Mendoja se do të më linin të ikja. Por kishte diçka tjetër poshtë gjithë kësaj që unë nuk e kuptoja. U bëra gëzimi i Dromokaiteio-s. Disa thoshin: ‘Në rregull, mirë jemi, përderisa është edhe Mazonakis këtu’.”

Ai mohonte se kishte qenë ndonjëherë rrezik për veten dhe thoshte se një nga frikërat më të mëdha gjatë asaj periudhe ishte dëmi që ngjarja mund t’i shkaktonte karrierës.

“Kjo ishte ajo që më frikësonte, puna ime.”

Sipas tij, një frazë që dëgjonte vazhdimisht nga njerëzit e familjes ishte se “nuk e dinte çfarë po thoshte”. Pikërisht kjo e kishte bërë të ndiente se po humbiste kontrollin mbi mënyrën se si perceptohej nga të tjerët.

Mazonakis kishte deklaruar se synonte të ndiqte rrugën ligjore për shtrimin e pavullnetshëm dhe kishte ngritur pretendime për dëmshpërblim prej 1 milion eurosh.

E gjithë periudha kishte lënë gjurmë edhe fizikisht. Në një moment, ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente për heqjen e tëmthit.

“E dija që gjithë ajo që po përjetoja do të më dilte diku. Fillova të humbisja tokën nën këmbë. Si ishte e mundur që familja ime, me të cilën kishim qenë kaq të afërt, të thoshte gjëra të tilla?”

Megjithatë, edhe pas konfliktit të fortë, nuk fliste për familjen me urrejtje.

“Nuk do të resht kurrë së dashuruari. Sigurisht që jam i lënduar dhe i ftohur. Por gjithmonë kam një shpresë që nuk shuhet.”

Falja, pranonte ai, ishte ende larg.

“Vetëm Zoti fal. Unë ende po luftoj që një ditë të mund të fal.”

Në të njëjtën periudhë, emri i tij u përfshi edhe në një tjetër çështje të rëndë. Këngëtari i ri Stefanos Papadopoulos e akuzoi për sjellje të pahijshme seksuale.

Mazonakis e mohoi kategorikisht akuzën dhe pretendoi se pas saj qëndronte një konflikt më i gjerë profesional. Sipas versionit të Mazonakis, raporti me këngëtarin e ri kishte qenë vetëm profesional. Ai tregonte se e kishte takuar në ambientet e punës dhe se në një rast madje i kishte dhënë një kostum për të dalë në skenë.

“Po them se akuza është e rreme. Dhe, për më tepër, as nuk është tipi im”, tha ai.

Edhe për këtë çështje kishte deklaruar se kishte ndërmarrë hapa ligjorë.

Nga suksesi që nisi në fillim të viteve ’90, te këngët që e bënë një prej artistëve më të njohur grekë, e deri te përplasjet familjare dhe ligjore të viteve të fundit, jeta e Giorgos Mazonakis kishte kaluar mes ekstremeve.

Dhe ndoshta një nga deklaratat e tij të fundit e përmbledh më mirë mënyrën se si ai vetë e shihte gjithë atë periudhë:

“Ajo që njerëzit e konsiderojnë errësirë, për mua shumë herë është ditë. Nga gjithë kjo histori mendoj se dal shumë më mirë sesa isha më parë.”

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon