“Jam në Harvard! Kush e mendonte?”, Ilva Tare nis një kapitull të ri akademik në SHBA

Një tjetër kapitull i rëndësishëm nis për Ilva Taren. Gazetarja shqiptare ka bërë të ditur se është përzgjedhur për t’u bërë pjesë e Weatherhead Center for International Affairs në Harvard University, ku do të qëndrojë gjatë këtij viti akademik, deri në korrik 2027.
Lajmin e ndau vetë Ilva përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e përshkruar këtë mundësi si diçka që vetëm pak vite më parë nuk e kishte imagjinuar.
“Jam në Harvard! Kush e mendonte para disa vitesh?! Në Weatherhead Center for International Affairs do të jem këtë vit akademik deri në korrik 2027”, shkruan ajo.
Pas pesë vitesh jetë në Shtetet e Bashkuara, Tare tregon se rrugëtimi amerikan i ka hapur një mundësi të re, këtë herë për t’iu rikthyer studimit dhe kërkimit akademik.
“Në këtë rrugëtim 5-vjeçar në Amerikë nuk e kisha menduar se do më jepej mundësia të thelloja studimet dhe kërkimet akademike në Harvard, por e bukura e këtij vendi është se të nxit kuriozitetin dhe të ofron mundësi të guxosh, edhe kur mendon se është e paarritshme, se nuk është për ty. Në këtë vend nuk ka moshë, as racë, ngjyrë. Ka vetëm një ligj. Të ëndërrosh. Të mos ndalesh!”, shkruan ajo.
Pjesë e rëndësishme e këtij kapitulli do të jetë kërkimi shkencor për Ballkanin, një fushë ku Ilva Tare do të sjellë jo vetëm perspektivën akademike, por edhe eksperiencën e gjatë profesionale në rajon dhe njohjen e institucioneve të politikëbërjes në Washington DC.
“Ndjehem me fat që u përzgjodha për të qenë pjesë e kërkimit shkencor për Ballkanin dhe mezi pres të zbuloj, por edhe të kontribuoj me njohuritë dhe eksperiencën time në rajon dhe në institucionet e politikëbërjes në Kongres dhe Departamentin e Shtetit në Washington DC”, shprehet Tare.
Muajt e ardhshëm do të jenë gjithashtu një ushtrim ekuilibri mes jetës familjare, angazhimit profesional në Atlantic Council dhe auditorëve të Harvardit.
Ilva nuk e fsheh se rrugëtimi i saj pesëvjeçar në SHBA ka pasur edhe ditë të vështira, ndërsa veçon fëmijët, Melody dhe Thomas, si “kohën më të lumtur” të jetës së saj. Për realizimin e kësaj eksperience të re, ajo falënderon familjen, Eduardin dhe miqtë që i kanë qëndruar pranë.
Nga gazetaria dhe eksperienca në rajon, te institucionet e politikëbërjes në Washington dhe tashmë kërkimi akademik në Harvard, për Ilva Taren ky duket se është një tjetër hap në një rrugëtim që, siç shkruan vetë ajo, ka një parim të thjeshtë: “Të ëndërrosh. Të mos ndalesh!”



