Jacob Elordi bëhet biond

Nga Class• 13 November 2026

Jacob Elordi bëhet biond

Jacob Elordi ka ndryshuar sërish pamje. Aktori australian, flokët e errët dhe të shkujdesur të të cilit janë bërë pothuajse po aq të dallueshëm sa koleksioni i tij i çantave Bottega Veneta, duket se këtë herë ka vendosur të provojë bionden.

Në fotografitë e siguruara nga Deuxmoi, Elordi është parë të shtunën në mbrëmje në Nju-Jork, duke ndjekur shfaqjen “Paranormal Activity” në Broadway, në shoqërinë e partneres së tij, Kendall Jenner. Megjithëse mbante një kapuç të zi, fijet bionde në nuancë rëre që dilnin poshtë tij nuk kaluan pa u vënë re. Ndryshimi nga flokët e zakonshëm në ngjyrë kafe çokollatë është i dukshëm, edhe pse kapuçi nuk na lejon ende të shohim transformimin e plotë. 

Për një aktor, emri i të cilit përflitet mes kandidatëve për të interpretuar James Bond-in e ardhshëm, pamja e re sugjeron një lojë tjetër fjalësh: James Blond.

Natyrisht, Elordi nuk e ka për herë të parë që eksperimenton me pamjen. Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Marrakech, në vitin 2024, u shfaq me një mjekër të dendur e të çrregullt. Më pas erdhën basetat e theksuara për rolin e Heathcliff-it në “Wuthering Heights”. Së fundmi, është rikthyer te mustaqet dhe prerja mullet me frymë nga vitet ’90, me atë çrregullsinë e menduar deri në detaj, duke provuar ndërkohë edhe mjekrën në stilin goatee. Me sa duket, tendencat që ndajnë opinionet për pamjen mashkullore janë pikërisht ato me të cilat Elordi ndihet më rehat.

Pas këtij ndryshimi të fundit mund të fshihet një rol i ri. Aktori po xhiron “Scapegoat”, filmin e ardhshëm të A24 me regji nga Ari Aster, i njohur për “Midsommar” dhe “Hereditary”. Në kast janë edhe Scarlett Johansson dhe Jude Law.

Sipas raportimeve, filmi ndjek historinë e një kirurgu, karriera e të cilit vihet në rrezik pasi një personazh i njohur i rrjeteve sociale vdes gjatë një ndërhyrjeje rutinë. Megjithatë, hollësitë e projektit mbeten të rezervuara dhe nuk është konfirmuar nëse flokët biondë lidhen me personazhin që Elordi interpreton. Duke pasur parasysh ndryshimet që ka bërë në pamje për role të mëparshme, kjo mbetet një mundësi.

Nëse ka nevojë për ndonjë këshillë për bionden, Kendall Jenner ka përvojën e duhur. Në shtator të vitit 2024, modelja zëvendësoi flokët e saj karakteristikë të errët me një bionde të artë, të frymëzuar nga Carolyn Bessette-Kennedy, realizuar nga specialistja e ngjyrosjes Jenna Perry. Më herët, Jenner ka eksperimentuar edhe me nuanca të kuqe bakri.

Nëse për Elordin kjo është thjesht një aventurë e shkurtër me dekoloruesin apo fillimi i një etape të re në pamjen e tij, mbetet për t’u parë. Për momentin, kapuçi na ka zbuluar aq sa për të na bërë kuriozë.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon