“Isha feministe shumë ekstreme, por Mentori më uli shpatat”/ Orgesa Zaimi rrëfen si e ndryshoi dashuria

E drejtpërdrejtë, me karakter të fortë dhe një zë që nuk kalon pa u vënë re! Orgesa Zaimi ka treguar se pas një marrëdhënieje të gjatë dhe të bukur në çift fshihet edhe një sekret: aftësia për të dëgjuar, për të kuptuar dhe për të pranuar se dashuria nuk është një luftë për të fituar, por një rrugëtim ku dy njerëz mësojnë të ecin së bashku.
E ftuar në emisionin “The Garden Club”, në Class Media, moderuar nga Manjola Nallbani dhe Sindi Tona, këngëtarja ka folur hapur për marrëdhënien 20-vjeçare me bashkëshortin e saj, Mentor Beqa, duke zbuluar se sa i rëndësishëm është mendimi i tij në jetën e saj. Zaimi ka rrëfyer gjithashtu se dashuria dhe jeta në çift kanë ndikuar edhe në mënyrën se si ajo e sheh sot veten dhe marrëdhëniet mes njerëzve.
Me një sinqeritet të veçantë, artistja pranoi se në fillimet e saj kishte një qasje shumë më ekstreme ndaj feminizmit, por përvoja e dashurisë e ka ndihmuar të kuptojë se të jesh e fortë dhe e pavarur nuk do të thotë të mos kesh nevojë për dikë tjetër.
“Ashtu siç e ka emrin Mentori, ashtu është dhe për mua. Domethënë, ka 20 vite që në këtë marrëdhënien tonë… E di sa e dua gjykimin e tij, ose mendimin e tij, opinionin e tij? Domethënë, në fillimet e mia mund të kem qenë një feministe shumë ekstreme. Mund të them që dashuria dhe marrëdhënia me Mentorin më ka bërë që t’i ul pak ato shpatat, domethënë atë luftën, e të kuptoj që ti ke nevojë për tjetrin”, u shpreh Orgesa.
Ndiqni episodin e plotë në YouTube të Class Media:



