Ish-menaxherja padit Rita Orën për më shumë se 3.2 milionë paund

Rita Ora është përfshirë në një përballje ligjore me ish-menaxheren e saj, Sarah Stennett, e cila pretendon se kompanisë së saj, FAE Ventures, i detyrohen më shumë se 3.2 milionë paund.
Sipas dokumenteve të paraqitura në Gjykatën e Lartë në Mbretërinë e Bashkuar, kompania pretendon se këngëtarja nuk ka respektuar disa prej kushteve të marrëveshjes së menaxhimit dhe se një pjesë e të ardhurave të saj nga turnetë dhe angazhimet televizive nuk është pasqyruar siç duhej në pagesat e komisioneve.
Sarah Stennett e menaxhoi Rita Orën që prej vitit 2009 dhe konsiderohet një nga njerëzit që luajtën rol të rëndësishëm në ndërtimin e karrierës së saj ndërkombëtare. Bashkëpunimi i tyre përfundoi në vitin 2024 dhe në atë kohë ndarja u duk miqësore. Tashmë, megjithatë, mosmarrëveshja ka kaluar në gjykatë.
Pjesa më e madhe e shumës së kërkuar lidhet me më shumë se 1.7 milionë paund që FAE Ventures i cilëson si “zbritje të palejueshme” për shërbime të ndryshme profesionale, përfshirë reklamat, kontabilitetin dhe sigurimet.
Në dokumentet e padisë përmendet edhe “Phoenix World Tour”, turneu i Rita Orës i zhvilluar gjatë viteve 2019 dhe 2020. Kompania pretendon se më shumë se 1.1 milionë paund të ardhura nga ky turne nuk janë raportuar si pjesë e llogaritjeve për komisionet që i takonin menaxhmentit.
Sipas pretendimit të FAE Ventures, pagesat e bëra nuk përfshinin të gjitha të ardhurat që Rita kishte marrë ose që ishin arkëtuar në emër të saj gjatë periudhës së kontratës.
Në dokumentet gjyqësore përmenden gjithashtu të ardhura nga koncertet që, sipas kompanisë, arrinin në rreth 6 milionë paund dhe nuk ishin reflektuar plotësisht në deklaratat përkatëse.
Pjesë e çështjes është edhe puna televizive e artistes. FAE Ventures pretendon se të ardhurat e Rita Orës nga pjesëmarrja si anëtare jurie në sezonin e pestë të “The Masked Singer” nuk janë deklaruar në mënyrë të plotë dhe se disa prej faturave nuk pasqyronin shumën që, sipas kontratës, duhej të merrej në konsideratë për komisionet.
Për të verifikuar financat, pala e Sarah Stennett kërkoi edhe një auditim të librave financiarë të këngëtares. Sipas dokumenteve, një kompani e specializuar në kontabilitetin e industrisë muzikore shqyrtoi deklaratat financiare të Rita Orës për një periudhë gjashtëvjeçare, nga korriku 2018 deri në qershor 2024.
Megjithatë, FAE Ventures pretendon se gjatë procesit nuk iu dorëzuan të gjitha dokumentet që kishte kërkuar.
Deri tani, Rita Ora nuk ka paraqitur publikisht një përgjigje të detajuar ndaj pretendimeve të ish-menaxheres. Akuzat e ngritura nga Sarah Stennett dhe kompania e saj mbeten pretendime të një pale në një proces civil dhe do të duhet të shqyrtohen nga gjykata.
Nga një bashkëpunim që zgjati rreth 15 vite dhe ndihmoi në ngritjen e një prej karrierave më të mëdha të një artisteje shqiptare në skenën ndërkombëtare, marrëdhënia mes Rita Orës dhe ish-menaxheres së saj ka përfunduar tashmë në një debat financiar shumë milionësh.



