Ilary Blasi: “Bastian më bëri të rizbuloj kënaqësinë e të qenit në çift”

Ilary Blasi, 45 vjeçe, prezantuesja e edicionit të nëntë të “Grande Fratello Vip”, u martua për herë të dytë më 13 shtator, në Bregdetin Amalfitan, me sipërmarrësin gjerman Bastian Müller-Pettenpohl.
Dhe jetuan të lumtur përgjithmonë. Nëse jeta e Ilary Blasit do të ishte një përrallë, dhe sfidoj këdo të thotë se nuk është, do të kishim mbërritur pikërisht te ajo faqe. Pasi i vuri fjalën “fund” kapitullit të gjatë, herë të lumtur e herë të trazuar, kushtuar mbretit të tetë të Romës, prezantuesja duket se e ka gjetur vërtet princin e saj të kaltër.
Bastian Müller-Pettenpohl ka edhe emër princi. Është i gjatë, i bukur, biond, me sy që të kujtojnë një liqen dhe një buzëqeshje të përsosur. Ditën e martesës së tyre në Ravello, në mesin e shtatorit, nuk mbërriti mbi kalë, kjo është e vërtetë. Por fustani i saj me dantellë dhe fund të gjerë sateni ishte i denjë për një princeshë.
Nga lindi kjo nevojë për t’u martuar?
“Nuk është nevojë të martohesh, është dëshirë. Madje, duhet të jetë kënaqësi. Thjesht donim ta bënim. Partneri im, domethënë bashkëshorti im, o Zot, ende më duket e çuditshme ta them, nuk ishte martuar kurrë dhe e dëshironte jashtëzakonisht shumë.”
E bëtë për të?
“Jo. Kisha dëshirë të bëhesha gruaja e tij. Por ai ishte shumë më i përfshirë në të gjithë këtë: për mua ishte hera e dytë, ishte ndryshe. Edhe pse çdo martesë ka historinë e vet. Sot jam më e pjekur, kam një vetëdije krejt tjetër.”
Festuat, por shumë më larg vëmendjes sesa jemi mësuar nga ju. Mund ta quajmë një ceremoni pa bujë?
“Kështu e doja: të vogël, intime. Kishte vetëm pesëdhjetë të ftuar, familjarë dhe miq të ngushtë. I ndalova celularët. Duhej të ishte pa bujë, por u fol për të një javë të tërë. E kuptueshme, është pjesë e cirkut mediatik.”
Kur firmosët në bashki, në një të natës, kishit veshur shapka me gisht. E kuptoj rehatinë, por një palë balerina nuk bënin punë?
“Më dhembnin këmbët. Pastaj, unë kështu jam, pak e shkujdesur: mund të vishem gjithë stil, por flokët t’i kem kapur me një kapëse të madhe. Mendoja se në atë orë nuk do të më shihte askush.”
Pasuri të përbashkëta apo të ndara?
“Të ndara, gjithmonë. Kështu është e drejtë.”
Çfarë ka Bastian që nuk e keni gjetur te asnjë burrë tjetër?
“Gjithçka tingëllon kaq e rëndomtë kur flitet për dashurinë. Por një gjë po jua them: m’u duk tmerrësisht seksi fakti që donte pikërisht mua. Të ishte me mua. Të bëhesha gruaja e tij. Dhe që nuk kishte turp ta tregonte. Në shoqërinë tonë, për një burrë, shfaqja e ndjenjave shpesh mund të duket si dobësi.”
E pazakontë për një gjerman. Kanë famën se janë të ftohtë.
“Kështu më thoshin. Më besoni: nuk është e vërtetë.”
Bashkëshorti juaj nuk ka dhënë kurrë intervista.
“E kanë kërkuar deri në Gjermani, kanë shkuar edhe në kompani. Por nuk është bota e tij. Mua më shkon shumë mirë kështu: këtë punë e bëj unë.”
Dimë vërtet pak për të.
“Për këtë djalë janë thënë nga të gjitha: fillimisht se ishte një trashëgimtar i pasur, pastaj se ishte maxhordom. Punon në kompaninë e familjes, e cila merret me shpime prej 150 vjetësh.”
Çfarë ju ka zbuluar marrëdhënia me Bastianin për veten, që ende nuk e njihnit?
“Mendoj se e njoh mjaft mirë veten. Di të rri vetëm dhe të ndihem mirë edhe vetëm: është pjesë e karakterit tim. Them gjithmonë se rreth teje mund të ndodhë gjithçka, rëndësi ka të dish të qëndrosh në këmbët e tua. Falë tij rizbulova kënaqësinë e të qenit në çift, të ndarjes së gjërave me dikë. Të kesh një sup ku të mbështetesh. Edhe të ndihesh e mbrojtur.”
Bastian flet gjermanisht. Keni vështirësi në komunikim?
“Flasim anglisht, por kur duam të shprehim diçka më delikate, na duhet të ndihmohemi me një program përkthimi.”
Ju jetoni në Itali, bashkëshorti në Gjermani. Ju rëndon kjo?
“Jo. Kam fëmijët, familjen, mikeshat. Fundjava vjen shpejt. Pastaj, rutina nuk më mungon. Nuk jam fillestare në martesë: burri në shtëpi, darka, divani dhe televizori… Këto i kam bërë për njëzet vjet.”
Jeni përballur me xhelozinë?
“Po jua them qartë, fjalë për fjalë: unë nuk jam xheloze. Nuk kam qenë kurrë, tani edhe më pak. Larg apo afër, çfarë ndryshimi ka? E dimë se, nëse dikush dëshiron, mund të bëjë gjithçka. Por unë nuk dua të jetoj ashtu: duke kontrolluar, duke dyshuar. Nuk e kam bërë kur isha shumë e re dhe isha me atë që isha…”
A është kjo periudha më e bukur e jetës suaj?
“Besoj se po. (Pushon.) O Zot, kam pasur shumë momente të bukura. Nuk jam mërzitur kurrë. Kam një jetë të pasur, të mbushur.”
Keni shumë mikesha: Silvia Toffanin, Michelle Hunziker, menaxherja juaj Graziella. Te “Grande Fratello Vip” punoni me Cesara Buonamici dhe Selvaggia Lucarelli. Çfarë marrëdhënieje keni me publikun femëror?
“Besoj se u pëlqej më shumë grave sesa burrave. E nisa lidhjen në moshën 20-vjeçare, u martova në 24: jam parë gjithmonë si nënë dhe bashkëshorte, nuk kam qenë ndonjëherë ajo bukuroshja seksi. Shumë vajza mund ta gjenin veten tek unë. Tani që jam 45 vjeçe, pastaj, imagjinoje: çfarë seks-simboli mund të jem?”
Nuk mund të jesh seksi në moshën tuaj?
“T’u lëmë hapësirë të tjerave. Sigurisht, mund të jesh një grua e bukur, mund të pëlqehesh… Por seks-simbol, jo, të lutem.”
Ju ka ndodhur të tradhtoheni nga gratë?
“Po, me siguri ka ndodhur. Ndoshta është më e vështirë, por kur gratë bëhen bashkë, dinë të krijojnë lidhje jashtëzakonisht të thella.”
Silvia Toffanin është mikja juaj më e mirë?
“Jemi shumë të lidhura. Por bëjmë jetë të ndryshme, jetojmë në qytete të ndryshme: për fat të keq, nuk arrijmë të kalojmë bashkë gjithë kohën që do të dëshironim.”
Çfarë mendoni për mundësinë që t’ju shohin si mikja e gruas së shefit?
“Shikoni, mua fillimisht më thoshin se isha ‘gruaja e…’, pastaj ‘mikja e…’, pastaj ‘dashnorja e…’. Ka gjithmonë një ‘e dikujt’.”
Edhe “dashnorja e…”?
“Ka pasur edhe nga këto.”
Ju dhe Silvia u njohët te “Passaparola”, në vitin 2001.
“Më në fund e kalova një audicion të mallkuar, pasi kisha bërë tre mijë: ndieja se po lindte një ëndërr. Kisha entuziazmin e hapave të parë drejt asaj që dëshiroja të ishte jeta ime. Tridhjetë vjet më parë, për të bërë televizion, nisej prej andej: bëje asistenten në studio, vajzën e spektaklit. Por e dija se e ardhmja ishte ende një pikëpyetje e madhe. Ishim shumë në fillim, pastaj pati një përzgjedhje. Më pas një tjetër dhe një tjetër akoma.”
Çfarë kujtoni nga Ilary e asaj kohe?
“Vija nga një familje shumë e bashkuar dhe papritur, në moshën 19-vjeçare, u gjenda vetëm në Milano: flija me dritën ndezur. Por isha e lumtur.”
Me çfarë ndjenje e kujtoni atë version të vetes?
“Me admirim. Për guximin që pata: nuk mund ta dija nëse gjithçka do të më çonte vërtet diku apo thjesht po humbisja kohën. Me respekt, ja.”
Ishit shumë: ju dhe Silvia ia dolët. Çfarë kishit më shumë se të tjerat?
“Ishim ‘gratë e…’, apo jo? Le t’u japim njerëzve atë që duan të dëgjojnë.”
Përse patët sukses, vërtet?
“Në jetë ka rastësi, ka fat. Por vjen një pikë kur duhet të tregosh edhe se di ta bësh këtë punë. Ndoshta kam pasur edhe unë ndonjë meritë, apo jo?”
Ose talent. Mund ta thoni.
“Boh, talent nuk e di. Por diçka ka, përndryshe nuk do të isha ende këtu.”
Mes gjithë njerëzve që keni takuar gjatë karrierës, kë do të falënderonit?
“Prindërit, që më kanë mbështetur gjithmonë. Agjentin tim Franchino Tuzio, që nuk jeton më. Më thoshte të kisha durim, se herët a vonë gjërat do të vinin. Por i falënderoj të gjithë ata që më kanë ndihmuar të bëj një hap të vogël përpara: Gerry Scotti, Fabio Fazio, që më dha një hapësirë ndryshe, Giorgio Panariello, që më zgjodhi për Sanremon. Dhe Davide Parenti, me të cilin punova për 11 vjet te ‘Le Iene’, emisioni që më afirmoi përfundimisht.”
Pas kërcimeve të famshme me bikini te “Passaparola”, kaluat te “Che tempo che fa”. Aty ishit e veshur dhe e krehur mirë, por, në thelb, nuk flisnit.
“Të vërtetën? Të dyja rolet ishin pak hipokrite, por njëkohësisht të dobishme. Atëherë, për ta bërë këtë punë, nga diku duhej të filloje. Këtë ofronte televizioni: nëse duhej të kërceje me minifund, atë bëje. Ishin hapa, si të thuash, të nevojshëm dhe të pashmangshëm. Sigurisht, askush nuk mund ta kuptonte nëse ishe inteligjente apo budallaqe. Por ndërkohë ti ishe aty, mësoje, kuptoje çfarë drejtimi të merrje…”
Hapa të detyruar, por vetëm për gratë.
“Po ta shohim mirë, nuk ka ndryshuar edhe aq shumë. Burrat kanë shumë më tepër hapësirë në televizion.”
Keni pasur shumë suksese, por edhe disa dështime.
“Shumë, jo disa.”
Si keni reaguar ndaj dështimeve?
“Nëse eksperimenton me diçka të re, duhet ta marrësh parasysh se mund edhe të mos pëlqehet. Kam thënë shumë herë ‘jo’: për emisionet që kam pranuar të bëj kam qenë gjithmonë e bindur. Dhe nëse nuk shkonin mirë, s’ka gjë. Nuk vdes njeri.”
Një “jo” për të cilën jeni penduar?
“Nuk jam penduar as për ‘po’-të. Disa gjëra mund t’ia kisha kursyer vetes, por çdo përvojë të hyn në punë. Nuk e kam atë tmerrin se, po gabove, nuk të thërret më njeri. Gjithçka ka ulje e ngritje. Unë e ndjek rrjedhën.”
Gabimi më i madh që keni bërë ndonjëherë?
“Me siguri kam bërë plot. Por ndonjë të jashtëzakonshëm nuk kujtoj.”
Po ju ndihmoj: në disa intervista jeni shprehur e penduar për fotografitë nudo që bëtë në moshën 18-vjeçare.
“Nuk e di nëse ishte gabim: atëherë ishin edhe në modë. Pastaj, po përpiqesha të bëja ca lekë. Të bukura nuk ishin, por me paratë e tyre bleva makinën.”
Sa të rëndësishme janë paratë për ju sot?
“Shumë. Nuk jam hipokrite: të japin mundësinë të zgjedhësh. Dhe të kesh mundësi të zgjedhësh është një luks i vërtetë. Por njëkohësisht më neveritin. Mund të prishin marrëdhënie, kam parë familje të tëra të shkatërrohen. Varet si i përdor.”
E dini sa kushton një kilogram patate?
“Dy euro. Më pëlqen jashtë mase të shkoj në supermarket, vërtet.”
Bravo. Flitet se do të prezantoni “Ok, il prezzo è giusto”.
“E kam lexuar edhe unë. Me Mediaset po shqyrtojmë alternativa ndaj reality show-t të mbrëmjes. Është një mundësi, por për momentin nuk mund të konfirmoj asgjë. Shpresojmë.”
E keni përkufizuar jetën tuaj si një “jetë mediatike”. Ishte gabim ta zgjidhnit apo ta pranonit një jetë të tillë?
“Jo. Së pari ishte jeta ime, pastaj ishte edhe mediatike. Isha në një lidhje me kapitenin e Romës: hyra në mekanizmin e thashethemeve dhe fotografëve dhe nuk dola më prej tij. Nuk më shqetësonte, por as më emociononte. Kështu ishte, nuk i kushtoja më as vëmendje.”
Si është sot marrëdhënia juaj me shtypin?
“E përjetoj qetësisht, edhe kur shkruajnë ndonjë budallallëk. Ndodh. Por nuk rri të sqaroj çdo gjë apo të mbyllem në shtëpi që të mos më shohin. E dini pse? Sepse, në thelb, mua nuk më intereson fare. Çfarë shkruajnë, çfarë thonë. Ju betohem.”
Doni t’i përgjigjeni ndonjë “budallallëku” të vogël që është shkruar së fundmi?
“O Zot, prisni. (Përqendrohet, duke vështruar në zbrazëti.) Ka plot, eh… Që lidhja me Bastianin ishte për sy e faqe, që e paguaja. Sikur të kisha nevojë.”
Kaq paradoksale, sa është e pabesueshme…
“Por vazhdoi për një vit. Tani nuk më vjen gjë tjetër në mendje. E shihni që i fshij nga mendja? Do ta mendoj dhe do t’jua them më vonë.”
Në mbrëmje më vjen një njoftim në WhatsApp.
“Që isha zënë me Michelle sepse nuk kisha shkuar në dasmën e Aurorës. Budallallëk.”
“Po përse nuk shkuat?”
“Ishte ditëlindja e nënës sime, mbushte 70 vjeçe.”
“Jo keq si ‘budallallëk’.”
“Pastaj, që marr një pagesë mujore për veten: budallallëk, vetëm për fëmijët.”
Të flasim për “GF Vip”. Nuk mendoni se epoka e reality show-ve ka përfunduar?
“Këtë e kemi thënë edhe vite më parë. Nuk ka më atë pafajësi, atë freski, atë të panjohurën e njerëzve që hynin në shtëpi pa e ditur çfarë do të ndodhte. Sot reality show-t janë për profesionistët e zhanrit. Janë pak si ‘Beautiful’: ndez televizorin dhe e di që janë aty. Një sy do ta hedhësh, jemi gjithmonë pak kureshtarë për jetën e të tjerëve.”
Fati është i paparashikueshëm: po sikur pas dhjetë vjetësh t’ju propozonin të merrnit pjesë si konkurrente?
“Ah, sikur! Sa herë mbaron, e them: më lini të jem konkurrente, jo prezantuese! Adhuroj të luaj!”
Kini kujdes, se Pier Silvio mund t’jua bëjë vërtet. Po kush do ta prezantonte?
“Nuk e di, po ç’më duhet mua?”
U rikthyet te “GF Vip” pas edicioneve të drejtuara nga Alfonso Signorini. Çfarë mendimi keni krijuar për çështjen që e përfshiu?
“Më erdhi keq për të: u kthye në një linçim mediatik, të cilin, pavarësisht gjithçkaje, nuk ia uroj askujt. U thanë dhe u ngatërruan shumë gjëra. Është e vështirë të kuptosh ku fillon dhe ku mbaron e vërteta. Ka shumë viktima në këtë histori. Por edhe shumë njerëz që përfituan prej saj.”
Çfarë marrëdhënieje keni me kritikat?
“Kur kanë të drejtë, më bëjnë të mendohem. Por këtë e pranoj vetëm me vete, jam krenare.”
Për shembull?
“Një herë lexova: ‘Ilary bërtet shumë’. Kishin të drejtë, është diçka e pakëndshme. Edhe kur thonë se mbetem gjithmonë pak vajzë lagjeje, kanë të drejtë. Nuk mërzitem, është e vërtetë: herë pas here më del ajo vajza e periferisë që kam brenda.”
Një kritikë që ju ka lënduar sepse ishte e pavërtetë?
“Ajo që është e vërtetë për dikë mund të jetë e pavërtetë për një tjetër. Nuk e kam ankthin që t’u pëlqej të gjithëve. Për cilat kritika e kishit fjalën?”
Për shembull, ju akuzojnë se e keni tepruar me ndërhyrjet estetike.
“U jap aq peshë sa meritojnë. Dhe nuk po jua them për t’u dukur e fortë: më pëlqen të tallem me të tjerët dhe më pëlqen që të tjerët të tallen me mua. Vërtet, nuk jam tip që mbetet hatri. Fare.”
Selvaggia Lucarelli komentoi martesën tuaj, duke ju “akuzuar” se jeni bërë pak borgjeze.
“Por tha edhe se u martova si një vajzë lagjeje, me fustanin pompoz dhe dronët.”
Çfarë ka borgjeze tek ju?
“Asgjë fare. Ju dukem borgjeze?”
Në çfarë shkolle kanë shkuar fëmijët tuaj?
“Dakord, në shkollën angleze, por vetëm sepse doja të mësonin gjuhën. Jo për rrethin shoqëror. Jam përpjekur t’u jap pak finesë, por në fund janë pa shumë ceremoni, si unë.”
Në kohën e librit tuaj “Che stupida” dhe serialit “Unica”, Lucarelli ju kritikoi se kishit përfituar financiarisht nga palumturia.
“Ajo më ka pëlqyer gjithmonë, edhe kur në të shkuarën më ka kritikuar ashpër: vlerësoj penën e saj, mendjen e mprehtë, pak cinike. Nuk tha diçka të gabuar. Së pari, doja të tregoja të vërtetën time, sepse e kishin treguar të gjithë përveç meje. Por nuk fshihem pas gishtit: sigurisht që kam fituar para.”
Ju ndodh të shihni në televizion njerëz për të cilët nuk e kuptoni përse kanë sukses?
“Ndodh, por nuk rri të pyes veten si ia bëjnë të jenë aty: me siguri kanë arsyet e tyre. Nuk dua të përmend emra. Më lini të jem pak borgjeze, të paktën në këtë pikë.”
Kush është sot gruaja më e pushtetshme e televizionit italian?
“Më vjen një emër në mendje, por… Jo, nuk dua ta them, sepse pushtetin e ka Pier Silvio.”
Maria De Filippi?
“Nuk e di nëse i saji është vërtet pushtet apo aura e pushtetit. Bën emisione të suksesshme, mbush programacionin, por në ato pak raste që e kam takuar nuk më ka dhënë ndjesinë e dikujt që thotë: ‘Unë jam unë, kurse ju s’jeni një mut’.”
Ishte e vështirë për fëmijët tuaj të krijonin një marrëdhënie me bashkëshortin tuaj?
“Aspak. Hyri me shumë kujdes në jetët e tyre. E fitoi besimin e Isabelës, më të voglës, duke kaluar kohë me të, duke luajtur bashkë, edhe duke u munduar. Derisa ajo e kuptoi se Bastian nuk mund të ishte pengesë në marrëdhënien tonë nënë e bijë.”
Çfarë u keni mësuar fëmijëve për dashurinë?
“Përpiqem t’u mësoj, para së gjithash, dashurinë për veten. Kur e do dhe e respekton veten, e ke më të lehtë të kuptosh kë duhet të kesh pranë. Pastaj, që gjërat nuk shkojnë gjithmonë siç do të dëshironim: dashuritë mund të mbarojnë, ndonjëherë mirë, herë të tjera me përplasje më të forta. Rëndësi ka të ngrihesh dhe të vazhdosh përpara. Jeta të merr, jeta të jep. Mjafton të dish të presësh. Me besim.”
Të rinjtë e Gen Z duket se nuk kanë më besim te mundësia e një të ardhmeje të drejtë. Prandaj dalin në sheshe dhe protestojnë.
“Po jetojmë një periudhë historike shumë të vështirë: ajo që shoh është katastrofë, çfarë t’ju them? Por të jetosh në ankth apo frikë nuk të bën të ndihesh më mirë. Përpiqem ta ruaj, sa të jetë e mundur, mendimin pozitiv.”
Nëse fëmijët tuaj do të kishin dalë në protestë, çfarë do të kishit menduar?
“As nuk e kam marrë parasysh si mundësi, i njoh mirë.”
Në vitin 2018 deklaruat: “Dashuria, në fund të fundit, është diçka e thjeshtë”. E mendoni ende?
“Sigurisht. Çfarë ka për të kuptuar, për të studiuar? Do të jesh me mua? Rrimë bashkë dhe ndihemi mirë. Je mërzitur? Mund të ikësh. Unë nuk mbaj askënd me zor. Çfarë ka më të thjeshtë?”
Sa kohë ju duhet për ta kuptuar se është dashuri, se doni të jeni me një njeri?
“Nuk jam nga ato që dashurohen me shikim të parë, nuk është se lëshohem menjëherë. Sigurisht, tërheqjen e kuptoj. Por për pjesën tjetër duhet të kem besim.”
Kujt i besoni vërtet?
“Eh, kujt i besoj…? Vetes.”
Po kur keni një sekret, kujt ia tregoni?
“Nënës sime i besoj shumë; këshillat ia kërkoj asaj. Por sa për sekretet, kohët e fundit nuk mban dot asgjë për vete.”
Atëherë, kujt?
“Rregulli im është: nëse është vërtet një sekret, sekret… Duhet ta mbash për vete. Vetëm atëherë e di që është i sigurt.”
Keni sekrete?
“Më lini të mendohem… Jo, tani nuk kam më. Kam pasur, për shumë vite. Nuk është aspak e lehtë t’i ruash të tilla, por është edhe jashtëzakonisht zbavitëse.”
Si e shihni veten pas njëzet vjetësh?
“Nëse flasim për karrierën, do të më pëlqente të tërhiqesha nga ekrani dhe të punoja prapa kuintave. Për pjesën tjetër, më pëlqen ideja të udhëtoj kur të kem dëshirë dhe ta shijoj jetën.”
Vetëm?
“Jo moj, me bashkëshortin tim. Pastaj do të jetë familja, do të jem gjyshe. Por me masë. Ua kam thënë fëmijëve: ‘Mos mendoni se do të rri të bëj gjyshen 24 orë në ditë’.”
Në vitin 2008, pikërisht për Vanity Fair, thoshit: “Sot duhemi, kemi synime të përbashkëta, fëmijë për të rritur. Pas njëzet vjetësh, ku i dihet, mund të ndodhë gjithçka”. Si një parashikuese.
“Jo, është thjesht filozofia ime. Nuk trembem kurrë: gjithçka përballohet, gjithçka rregullohet. Po të më kishit thënë dhjetë vjet më parë se do të divorcohesha dhe do të martohesha sërish, do t’ju kisha thënë: ‘Po çfarë thua, je budalla?’. Por pastaj jeta të befason. Nëse je e gatshme ta lejosh të të befasojë.”
Kisha premtuar se nuk do të bëja pyetje për Francesco Tottin dhe nuk bëra. Vetëm një: në Instagram ende e ndiqni. Përse?
“Edhe ai më ndjek mua. Po pse jo?”



