Hiqet referenca për serialin “Friends”! Çfarë shkruhet tani në varrin e Matthew Perry?

Një ndryshim i ri është vënë re në vendprehjen e aktorit të ndjerë Matthew Perry, i njohur në mbarë botën për rolin e Chandler Bing në serialin “Friends”. Pllaka e mëparshme përkujtimore është zëvendësuar me një tjetër, më të madhe, ndërsa këtë herë mungon çdo referencë për serialin që e bëri të famshëm.
Sipas një vëzhgimi të raportuar nga revista “Entertainment Weekly”, gazetari që vizitoi varrin e aktorit në një varrezë në Los Angeles konstatoi se mbishkrimi i mëparshëm nuk ndodhej më aty.
Pllaka e vjetër përmbante emrin e plotë të aktorit, Matthew Langford Perry, datat e lindjes dhe të vdekjes, 19 gusht 1969 – 28 tetor 2023, si dhe shprehjen “Much Loved — Friend” (Shumë i dashur – Mik). Kjo e fundit shihej edhe si një referencë simbolike ndaj serialit “Friends”, ku Perry interpretoi për dhjetë sezone.
Ndërkohë, mbishkrimi i ri ka një pamje më të madhe dhe është shkruar me shkronja kapitale. Në krye të tij është vendosur mesazhi “Rest Now” (Tani pusho në paqe), i ndjekur nga emri dhe datat e jetës së aktorit.
Në fund të pllakës është shtuar një dedikim emocional: “We love you with our whole hearts” (Të duam me gjithë zemrën tonë).
Matthew Perry u nda nga jeta më 28 tetor 2023, në moshën 54-vjeçare. Aktori u gjet pa shenja jete në vaskën me hidromasazh në banesën e tij në Los Angeles. Sipas raportit të mjekut ligjor, shkaku kryesor i vdekjes ishte efekti akut i ketaminës.



