Harry Styles ironizon dasmën e ish të dashurës Taylor Swift

Harry Styles nuk e humbi rastin për të bërë një batutë për dasmën e ish të dashurës së tij, Taylor Swift, me Travis Kelce, pikërisht në vendin ku çifti u martua vetëm pak javë më parë.
Gjatë koncertit të 29 gushtit në Madison Square Garden, këngëtari 32 vjeçar po fliste për historinë dhe përdorimet e shumta të arenës së famshme të New Yorkut, kur shtoi me humor:
“Jemi në Madison Square Garden, shtëpia e kampionëve të botës, New York Knicks! Dhe këtu bëjnë edhe dasma.”
Komenti nuk kaloi pa u vënë re nga fansat, duke qenë se Taylor Swift dhe Travis Kelce u martuan pikërisht në MSG më 3 korrik, përpara rreth 1000 familjarëve dhe miqve të tyre më të afërt.
Styles dhe Swift kanë qenë në një lidhje mes viteve 2012 dhe 2013, ndaj çdo referencë e tij ndaj këngëtares vazhdon të tërheqë menjëherë vëmendjen.
E fejuara e Harry Styles, Zoë Kravitz, ishte e pranishme në dasmën e Swift dhe Kelce, çka u interpretua si një tjetër shenjë se mes ish çiftit nuk ka më asnjë tension. Vetë Styles nuk mundi të merrte pjesë për shkak të angazhimeve me turneun “Together, Together”. Vetëm disa orë përpara ceremonisë, ai po performonte në Wembley Stadium në Londër.
Megjithatë, historia e tij me Taylor Swift u rikthye edhe në një tjetër moment të koncertit. Styles interpretoi këngën “Two Ghosts”, baladën e vitit 2017 që prej vitesh është lidhur nga fansat me ndarjen e tij nga Taylor.
Në tekstin e këngës ai këndon për dy njerëz që nuk janë më ata që kanë qenë dikur dhe që kanë mbetur “si dy fantazma” në vendin ku dikur ekzistonte një çift.
Ndërkohë, dasma e Taylor Swift dhe Travis Kelce mblodhi një numër të madh emrash të njohur të showbizit, mes tyre Selena Gomez, Gigi Hadid dhe Brad Pitt.
Ceremonia u drejtua nga Adam Sandler, i cili, sipas Andy Reid, i dha çiftit edhe një këshillë të thjeshtë për martesën: të mos ndalonin kurrë së puthuri njëri tjetrin.
“Është e vështirë të grindesh kur i jep një puthje gruas ose kur ajo të puth ty”, tha Reid duke treguar këshillën e Sandler. “Bëjeni çdo ditë, sa herë që keni mundësi.”
Pavarësisht përmasave të eventit dhe listës së gjatë të të ftuarve të famshëm, ceremonia kishte edhe një dimension të fortë familjar. Vëllai i Taylor, Austin Swift, ishte personi i saj kryesor i nderit, ndërsa vëllai i Travis, Jason Kelce, mbajti rolin e Best Man.
George Stephanopoulos, i cili ishte gjithashtu i pranishëm në dasmë, e përshkroi ceremoninë si emocionale, intime dhe njëkohësisht plot humor.
“Betimet ishin gjithçka që do të shpresoje të dëgjoje, të vërteta, të ndjeshme, serioze dhe qesharake. Plot dashuri. Kush do ta kishte menduar se një dasmë në Madison Square Garden mund të ndihej kaq intime?”
Dhe tani, më pak se dy muaj më vonë, Harry Styles u rikthye në të njëjtën arenë dhe e përmendi dasmën me vetëm disa fjalë, por aq sa duhej për të ndezur sërish internetin.



