Harry Styles flet për ish-të dashurën që i ndryshoi jetën dhe sindromën e impostorit

Nga Class• 12 October 2026

Harry Styles flet për ish-të dashurën që i ndryshoi

Harry Styles dhe Thom Yorke, frontmani i Radiohead, janë ulur përballë njëri tjetrit për të folur jo vetëm për muzikën, por edhe për jetën e përditshme. Ish anëtari i One Direction ka treguar se si ecjet e ndihmojnë të lidhet sërish me botën, ka folur për sindromën e impostorit, për marrëdhënien e tij thuajse inekzistente me kompjuterin dhe madje edhe për aftësitë në kuzhinë.  

Styles dhe Yorke u takuan në formatin Musicians on Musicians të Rolling Stone. Por në fakt nuk ishte hera e parë që rrugët e tyre kryqëzoheshin.

Takimi i parë kishte ndodhur rastësisht në Romë, disa vite më parë.

“Pashë një tip me një kapele shumë të bukur dhe pastaj mendova: ‘Prit pak, është ai?’”, kujtoi Harry. “Po dëgjoja A Moon Shaped Pool me kufje, e ndalova muzikën dhe të përshëndeta.”

Yorke iu përgjigj duke kujtuar reagimin e tij: “Më kujtohet që të pyeta: ‘Çfarë dreqin po bën këtu në mes të rrugës?’”

“Dhe po atë mbrëmje shkova në koncertin e Radiohead”, shtoi Styles.

“Kur isha në One Direction, më dukej sikur nuk ishte e sigurt të dilja”
Mes rrëfimeve më personale të Harry Styles është edhe ai për ankthin që kishte zhvilluar ndaj botës jashtë gjatë viteve të para të famës me One Direction.

“Në fillim, kur isha në One Direction, një pjesë e madhe e jetës nëpër hotele më bënte të ndihesha i mbyllur. Kisha ndjesinë se nuk ishte e sigurt të dilja.”

Gjërat ndryshuan falë një marrëdhënieje të asaj kohe.

“Kisha një të dashur shumë ekstroverte që do të vinte në Londër dhe mendova: ‘Nëse qëndrojmë të mbyllur në shtëpi për tri ditë, do të mendojë se jam i çmendur’.”

Kështu nisën të dilnin çdo ditë për të ecur.

“Dhe kuptova se ishte në rregull të dilja. Në njëfarë mënyre, kjo e theu atë mekanizëm.”

Ishte një ndryshim i vogël në dukje, por që, sipas Styles, ndikoi thellësisht në mënyrën si ai e përjeton ende sot botën.

“Kjo më ndryshoi shumë. Kështu qëndron i lidhur me botën. Kam lexuar diku se ecja është një lloj eksplorimi për artistët, sepse je në nivelin e rrugës dhe sheh gjëra që nuk do t’i shihje po të ishe në makinë.”

Në rrjetet sociale, natyrisht, nisi menjëherë loja e hamendësimeve se cilës prej ish të dashurave të famshme të Styles i referohej. Por këtë herë emri ka pak rëndësi. Ajo që mbetet është ndikimi që pati ajo marrëdhënie dhe mënyra si një zakon aq i thjeshtë sa të ecësh me dikë e ndihmoi të ndryshonte raportin me frikën dhe botën jashtë.

Kompjuteri i Harry Styles nuk punon prej gjashtë vitesh
Më pas vjen një rrëfim që, në epokën kur pothuajse gjithçka kalon nga një ekran, tingëllon thuajse si luks.

“Kompjuteri im nuk funksionon prej gjashtë vitesh. As nuk e di ku e kam karikuesin”, tha Styles.

Yorke, dukshëm i habitur, iu përgjigj me humor: “Epo, mund të të ndihmojmë.”

Dhe më pas e pyeti: “Atëherë ku i ruan idetë?”

“Në telefon”, u përgjigj Styles. “Përdor shumë GarageBand dhe regjistroj plot voice notes. Jam goxha rudimentar nga kjo pikëpamje.”

“Mendoja se duhej të kaloja muaj në studio që puna ime të kishte vlerë”
Duke folur për procesin krijues, Styles pranoi se për një kohë të gjatë e kishte lidhur vlerën e artit me sasinë e kohës dhe mundit që kërkohej për ta realizuar.

“Më parë fokusohesha shumë te puna dhe te koha që duhej për të krijuar diçka. Nëse po ecja dhe shihja një pikturë, mendoja: ‘Kjo nuk mund t’i ketë marrë më shumë se dhjetë minuta’. Dhe ndieja se, që ta justifikoja punën time, duhej të kaloja muaj në studio.”

Yorke e kuptoi menjëherë çfarë donte të thoshte.

“Kjo është sindroma e impostorit që po flet. Më ndodh edhe mua.”

Është një kontradiktë që prek shumë artistë: edhe kur suksesi dhe aftësia janë të dukshme, mbetet ndjesia se duhet ta dëshmosh vazhdimisht vlerën tënde përmes lodhjes, sakrificës dhe orëve të gjata të punës. Sikur intuita, spontaniteti apo një ide e mirë që vjen shpejt të vlejnë më pak.

Londra është vendi ku Harry Styles ndihet në shtëpi
Pasi kanë kaluar vite duke udhëtuar nëpër botë për punë, Thom Yorke i bëri Styles një pyetje të thjeshtë: “Ku ndihesh në shtëpi?”

Harry nuk pati shumë dyshime.

“Mendoj se Londra është vendi ku ndihem më shumë në shtëpi. Jetoj në të njëjtën shtëpi prej rreth 12 vitesh.”

Ajo shtëpi, për të, mban brenda shumë versione të vetes.

“Është vendi ku ndiej se kam kaluar nëpër shumë versione të ndryshme të vetes, duke qëndruar gjithmonë në të njëjtin vend. Jam rritur shumë në atë shtëpi.”

Styles kujtoi se ishte transferuar aty pak pas ditëlindjes së 19-të.

“Është kuzhina vendi ku më shumë se kudo tjetër mendoj: ‘Po, këtu jetoj’.”

Një imazh krejt i zakonshëm dhe intim për një njeri që pjesën më të madhe të jetës së tij e ka kaluar nën vëmendjen e publikut.

Dhe, meqë biseda përfundoi në kuzhinë, pyetja tjetër erdhi natyrshëm: di të gatuajë Harry Styles?

Nuk e shpalli veten chef, por as nuk u tregua modest deri në fund.

“Gatuaj. Ia dal.”

Mes ecjeve që e ndihmojnë të qëndrojë i lidhur me botën, një shtëpie që ka parë të gjitha versionet e tij dhe një kompjuteri që nuk punon prej gjashtë vitesh, Harry Styles duket se ka gjetur mënyrën e tij për të mos u shkëputur plotësisht nga jeta e zakonshme.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon