Franca miraton ligjin për vdekjen e asistuar në rastet e sëmundjeve të pashërueshme

Franca njihet si një nga shtetet më laike të Europës dhe, deri diku, kjo është e vërtetë. Megjithatë, ekziston edhe një pjesë e vendit thellësisht fetare, për të cilën flitet më pak. Dhe nuk bëhet fjalë për komunitetin e madh mysliman francez, por për atë katolik.
Katolikët në Francë përbëjnë rreth 77 për qind të popullsisë dhe vitet e fundit po vërehet një rikthim i besimit të krishterë. Sipas Konferencës Ipeshkvnore Franceze, kërkesat për pagëzim mes të rinjve 18 deri në 25 vjeç janë rritur me 150 për qind.
Edhe Libération, gazeta e së majtës parisiene e njohur historikisht për qëndrimet e saj antiklerikale, i ka kushtuar fenomenit një investigim të gjerë.
Në Le Monde, historiani Charles Mercier, profesor në Universitetin e Bordosë, ka nënvizuar karakterin më të përgjithshëm të këtij “rikthimi të spiritualitetit te të rinjtë në moshë madhore”.
“Në disa sondazhe të opinionit publik të zhvilluara gjatë tri viteve të fundit, sidomos në atë të Ifop Nouvelle Vague në vitin 2021, besimi në Zot bëhet mazhoritar te grupmosha 18–30 vjeç. Diçka e tillë nuk kishte ndodhur që nga fillimi i viteve ’80”, ka shpjeguar ai.
Për këtë arsye, por edhe për shkak të forcave politike ultrakonservatore që përfaqësojnë pjesën më radikale të katolicizmit francez, miratimi i ligjit për vdekjen e asistuar nuk ishte aspak i sigurt.
Megjithatë, të mërkurën, më 15 korrik, teksti u miratua nga Asambleja Kombëtare.
Rruga drejt miratimit të ligjit për fundin e jetës
Procesi drejt miratimit përfundimtar ka qenë i gjatë dhe kompleks, i shoqëruar nga protesta të shumta të grupeve ultrakatolike, të cilat organizuan tubime përpara dhomës së ulët të parlamentit francez në përpjekje për ta ndaluar ligjin.
Teksti u miratua me një diferencë të vogël votash: 291 deputetë votuan pro, ndërsa 241 kundër.
Tani kryeministri Sébastien Lecornu duhet t’ia dërgojë pjesë të projektligjit Këshillit Kushtetues francez për shqyrtimin përfundimtar, përpara se ai të hyjë plotësisht në fuqi.
Por çfarë parashikon ligji që e ka ndarë politikën franceze në dy kampe?
Ligji legalizon vdekjen e asistuar për personat madhorë me shtetësi franceze që vuajnë nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme, e cila rrezikon jetën në një fazë të avancuar ose terminale dhe shkakton vuajtje të vazhdueshme fizike ose psikologjike, të konsideruara të padurueshme.
Për të pasur akses në këtë procedurë, personi duhet gjithashtu të jetë në gjendje ta shprehë vullnetin e tij në mënyrë të lirë dhe të informuar.
Teksti parashikon një proces të rregulluar dhe të mbikëqyrur nga personeli shëndetësor, me një periudhë reflektimi dhe me vlerësimin e gjendjes së pacientit nga profesionistë të ndryshëm.
Mjeku të cilit i drejtohet kërkesa ka 15 ditë për të marrë një vendim. Vendimi duhet të jetë i pavarur, por i mbështetur nga konsultimet me profesionistë të tjerë dhe me persona që e njohin situatën e pacientit.
Në veçanti, mjeku duhet të konsultojë të paktën një specialist të sëmundjes përkatëse dhe një infermier ose kujdestar që e njeh pacientin. Mund të kërkohet gjithashtu mendimi i mjekëve, psikologëve dhe personave të tjerë të afërt me të.
Ligji përfshin edhe klauzolën e ndërgjegjes për mjekët dhe infermierët që nuk dëshirojnë të marrin pjesë në procedurë. Megjithatë, ata duhet t’i japin pacientit informacionin për profesionistë të tjerë të gatshëm për ta marrë përsipër çështjen.
Nuk parashikohet, nga ana tjetër, që një strukturë e tërë shëndetësore të mund ta kundërshtojë praktikën. Një lloj “kundërshtimi kolektiv” ishte kërkuar nga disa klinika dhe shtëpi private kujdesi, të drejtuara kryesisht nga kongregacione fetare.
Situata në Europë
Vota e së mërkurës në Asamblenë Kombëtare i hap rrugën Francës që t’u bashkohet vendeve të tjera europiane që, në forma dhe kushte të ndryshme, e kanë dekriminalizuar vdekjen e asistuar.
Një debat po aq i gjatë po zhvillohet edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Një projektligj për legalizimin e saj në Angli dhe Uells u bllokua në fillim të këtij viti dhe pritet të rikthehet në parlament në muajin shtator.
Në Gjermani, asistimi i një personi në fundin e jetës nuk dënohet në rrethana të caktuara. Personi duhet të veprojë në mënyrë të përgjegjshme, me vullnet të lirë, të jetë madhor dhe të ketë aftësi të plotë juridike.
Megjithatë, personi që e asiston nuk mund ta kryejë vetë veprimin që shkakton vdekjen. Eutanazia aktive mbetet e ndaluar në Gjermani.
Aktualisht, vendi nuk ka një ligj të posaçëm për këtë çështje, por një vendim i vitit 2020 e cilësoi ndalimin si antikushtetues dhe përcaktoi se duhet të ekzistojë “hapësirë e mjaftueshme që një individ të ushtrojë të drejtën për një vdekje të vetëvendosur”.
Holanda ishte vendi i parë në botë që dekriminalizoi eutanazinë në vitin 2002, e ndjekur nga Belgjika, e cila është gjithashtu i vetmi vend i Bashkimit Europian ku kjo lejohet edhe për shtetasit e huaj.
Spanja miratoi në vitin 2021 një ligj që rregullon si eutanazinë aktive, ashtu edhe vdekjen e asistuar, në kushte të caktuara.
Zvicra ishte vendi i parë që e lejoi këtë praktikë në rrethana të caktuara. Ajo është e ligjshme gjithashtu në Luksemburg që prej vitit 2009, në Austri që prej vitit 2022 dhe në Portugali që prej vitit 2023.
Në Francë, ligji u mbështet nga Emmanuel Macron
Gjatë vitit të fundit, miratimi i tekstit është ngadalësuar disa herë nga kundërshtimi i Senatit, i cili ka shumicë konservatore.
Senati hodhi poshtë në mënyrë të përsëritur versione të ndryshme të ligjit dhe refuzoi të diskutonte versionin e fundit, duke e rrëzuar që në nisje.
Ligji u miratua përfundimisht sepse sistemi francez, ndryshe nga ai italian me bikameralizëm të barabartë, i jep qeverisë mundësinë që, në rast mosmarrëveshjeje mes dy dhomave, fjalën e fundit t’ia kalojë Asamblesë Kombëtare.
Dhe ishte pikërisht Asambleja ajo që, me një diferencë shumë të vogël votash dhe mes emocioneve të presidentes së saj Yaël Braun-Pivet, një nga mbështetëset më të forta të ligjit, arriti ta miratonte.



