Flokët bëhen me yndyrë menjëherë pas larjes? Ndoshta po anashkaloni këtë hap

Nga Class• 24 November 2026

 

Flokët bëhen me yndyrë menjëherë pas larjes? Ndoshta po

Flokët yndyrosen menjëherë pas larjes? Ndoshta po anashkalojmë këtë hap në rutinën tonë

A ka diçka më bezdisëse sesa të lajmë flokët, t’i thajmë dhe të vërejmë se rrënjët duken sërish të yndyrshme? Apo të ndiejmë skalpin të rënduar, edhe pse sapo kemi dalë nga dushi?

Përpara se të fajësojmë shampon që përdorim, ndoshta duhet t’i hedhim një sy më nga afër rutinës sonë të kujdesit për flokët. Shampoja pastruese në thellësi (clarifying shampoo) mund të jetë pikërisht hapi që na mungon.

Në përditshmërinë tonë përdorim një sërë produktesh për stilimin dhe kujdesin e flokëve. Shampoja e thatë, llaku, vajrat dhe serumet lënë gradualisht mbetje në flokë dhe në skalp, të cilat jo gjithmonë largohen me larjen e zakonshme. Me kalimin e kohës, kjo akumulim produktesh mund t’i bëjë rrënjët të duken më të rënda dhe më të yndyrshme, ndërsa skalpi mund të shfaqë edhe thatësi apo luspa të vogla.

Shampoja clarifying është një produkt i krijuar posaçërisht për pastrim të thellë. Ajo ndihmon në largimin e yndyrës së tepërt, qelizave të vdekura dhe mbetjeve të produkteve të kujdesit apo stilimit të flokëve. Mund ta krahasojmë me metodën double cleansing në kujdesin e lëkurës, me ndryshimin se këtë herë vëmendja përqendrohet te skalpi.

Dallimi kryesor mes saj dhe një shampoje të zakonshme qëndron në aftësinë për të larguar mbetjet më kokëforta. Edhe nëse i lajmë flokët rregullisht, disa prej tyre mund të mbeten në rrënjë dhe të ndikojnë në ndjesinë e pastërtisë. Një pastrim më i thellë ndihmon në eliminimin e këtyre papastërtive, duke e lënë skalpin më të pastër dhe flokët më të lehtë e më të freskët.

 

Sa shpesh duhet të përdorim shampon pastruese në thellësi?

Edhe pse pastrimi i thellë mund të jetë veçanërisht i dobishëm, përdorimi tepër i shpeshtë i një shampoje clarifying mund të largojë edhe një pjesë të vajrave natyralë të skalpit, duke shkaktuar thatësi. Për këtë arsye, nuk rekomandohet ta përdorim në çdo larje.

Një herë në javë mund të shërbejë si një orientim për përdorimin e saj, në mënyrë që të largojmë mbetjet e akumuluara pa prishur ekuilibrin natyral të skalpit. Kjo shampo duhet të jetë një plotësim i rutinës sonë të zakonshme, duke ofruar një pastrim më intensiv sa herë që flokët kanë nevojë për të.

 

Si të zgjedhim shampon clarifying të duhur?

Jo të gjithë flokët kanë të njëjtat nevoja.

Një gjë është të përpiqemi të kontrollojmë yndyrën në rrënjë dhe krejt tjetër të kemi skalp të thatë apo akumulim të theksuar të produkteve të stilimit. Lloji i flokut, tekstura dhe nevojat specifike të skalpit luajnë një rol të rëndësishëm në zgjedhjen e produktit të duhur.

Prandaj, duhet të marrim në konsideratë më shumë sesa thjesht ndjesinë e pastërtisë pas larjes. Qëllimi është të largojmë mbetjet që i rëndojnë flokët, duke ruajtur njëkohësisht rehatinë dhe ekuilibrin natyral të skalpit.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon