Fjalimi i Rosalías në Latin Grammy Awards 2026

Rosalía përjetoi një nga netët më të rëndësishme të karrierës së saj në ceremoninë e Latin Grammy 2026, të mbajtur më 12 nëntor në Las Vegas. Artistja katalanase ishte ndër fitueset kryesore të mbrëmjes, duke rrëmbyer edhe dy prej trofeve më të rëndësishëm: “Albumi i vitit” për “LUX (Complete Works)” dhe “Kënga e vitit” për “La Perla”.
Por, krahas muzikës, vëmendje morën edhe fjalët e saj. Teksa pranonte çmimin për “La Perla”, Rosalía iu drejtua grave që kanë takuar ndonjë “perlë” gjatë jetës, duke e përdorur fjalën me ironi dhe duke luajtur me titullin e këngës.
“Për të gjitha ato që kanë ndeshur ndonjë ‘perlë të rrallë’, shpresoj që jeta të ketë rezervuar një diamant. Nuk jemi më të gatshme të humbasim kohë me bizhuteri të lira”, tha ajo nga skena.
Këngëtarja kishte mbërritur në ceremoni si një nga favoritet, me shtatë nominime. Në fund, fitoi pesë çmime: “Albumi i vitit”, “Albumi më i mirë i muzikës alternative”, “Kënga e vitit”, “Kënga më e mirë pop” dhe “Videoklipi më i mirë në format të shkurtër” për “Sauvignon Blanc”. Një trofe i gjashtë për “LUX” iu dha ekipit teknik, në kategorinë e realizimit më të mirë të regjistrimit të një albumi. Ndërsa çmimi “Regjistrimi i vitit” shkoi për “Niño” të Milo J. grammy.com
Mes fituesve ishte edhe Laura Pausini, e cila mori Latin Grammy-n e pestë të karrierës, këtë herë për “Yo Canto 2”, në kategorinë “Albumi më i mirë pop tradicional”.
Gjatë falënderimeve, Rosalía kishte një mesazh edhe për ata që dikur kishin vënë në dyshim talentin dhe zgjedhjet e saj artistike.
“Është nder të jem këtu për të marrë këtë çmim. Por dëgjoni, për të gjithë ata që më kanë thënë se nuk vleja apo se muzika ime është tepër e çuditshme: pikërisht sepse s’ua vura veshin fare, sot po e fitoj këtë çmim”, u shpreh ajo teksa pranonte trofeun për “La Perla”.
Artistja falënderoi gjithashtu Meksikën për frymëzimin muzikor dhe kujtoi Paquita la del Barrio, këngëtaren e njohur për këngë si “Rata de dos patas”. Sipas Rosalía-s, figura dhe trashëgimia e saj kishin qenë vendimtare për krijimin e “La Perla”.
“Faleminderit Meksikës për frymëzimin, për këngët ranchera, sepse, siç e kam thënë edhe më parë, pa Paquita la del Barrio, ‘La Perla’ nuk do të ekzistonte”, deklaroi ajo.
Menjëherë më pas erdhi dedikimi për gratë që kanë takuar ndonjë “perlë”, me urimin që jeta t’u sjellë një “diamant”.
Rosalía nuk përmendi emra dhe nuk sqaroi se kujt mund t’i referohej nga jeta e saj. Këngëtarja, e cila sipas Elle është aktualisht në një lidhje me modelen Loli Bahía, zgjodhi ta vazhdonte fjalimin me humor.
“Sot festojmë, sot duhet festuar. Dhe tani, ta pimë një rum me kola nga kjo gotëz e artë. Për shëndetin tuaj! Faleminderit të gjithë anëtarëve të Akademisë!”
Një tjetër moment emocional erdhi pak më vonë, kur Juanes i dorëzoi çmimin “Albumi i vitit”. Rosalía e kishte fituar më parë këtë kategori me “El mal querer” dhe “Motomami”, por fakti që këtë herë trofeun po ia jepte dikush që e kishte mbështetur që në fillimet e karrierës, e bëri momentin edhe më të veçantë.
“Mbaj mend që, kur karriera ime sapo kishte nisur, ti ishe ndër të parët që vije në koncertet e mia, kur në një sallë në Madrid kishte vetëm 100 veta. Më ke ndihmuar jashtëzakonisht shumë në fillimet e karrierës sime dhe vazhdon të më qëndrosh pranë. Të jam shumë mirënjohëse, faleminderit nga zemra. Nuk mund ta besoj që je pikërisht ti ai që ma dorëzon këtë çmim. Është diçka e jashtëzakonshme”, i tha ajo e emocionuar.
Më pas, Rosalía foli për vendin që zë “LUX” në rrugëtimin e saj artistik.
“Faleminderit Akademisë për këtë çmim. Është hera e tretë që e fitoj. Nëse ‘El mal querer’ ishte një ëndërr dhe ‘Motomami’ një bast, ‘LUX’ për mua ishte një kërcim në të panjohurën. Besoj se është shumë e rëndësishme të thuash të vërtetën tënde dhe që edhe të tjerët të mund të thonë të tyren. Ky album është e vërteta ime.”
Gjatë mbrëmjes, këngëtarja foli edhe për ambicien e saj dhe për gjithçka që dëshiron të arrijë më tej.
“E di që kam shumë për të mësuar dhe që ndoshta ende nuk e kam krijuar veprën time më të mirë, por e di që kam gjithçka duhet për të qenë më e mira.”
Në falënderime nuk mungoi as nëna e saj.
“Faleminderit, mami, që më ke bërë kështu, sepse ti gjen gjithmonë një zgjidhje për çdo gjë.”
Në fund, Rosalía u kthye te kuptimi i emrit të albumit, duke e mbyllur fjalimin me një urim:
“E quajtëm ‘LUX’, sepse në latinisht do të thotë dritë. Uroj të ketë më shumë dritë në botë.”



