Fenomeni Alban Skënderaj në vetën e parë shumës

Fjala “fenomen” në median shqiptare duhet të marrë leje vjetore.
Ka punuar shumë.
E përdorim për këngë që kanë jehonë më të shkurtër se të një vere, për videon në TikTok që mbledhin disa milionë klikime, për banorin e një reality show që ka prodhuar dy meme dhe një sherr në prime, për çiftin e rrjeteve sociale që ndahet e ribashkohet në sy të publikut, dhe për njeriun që të hënën është kudo, ndërsa të dielën duhet të na kujtojnë pse u bë i famshëm.
E kemi shtypur në aq shumë vende, sa fjala pothuajse nuk thotë më asgjë.
“MOTIV” nisi në Air Albania me rreth 25 mijë njerëz. Një natë madhështore në Tiranë, dhe pas saj fjala “historike” e vendosur me shkronja kapitale. “MOTIV” hyn në histori si turneu i parë ndërkombëtar i një artisti solo shqiptar që pushton disa prej arenave më ikonike dhe prestigjioze të Europës.
Historia e muzikës tregon se paratë mund të blejnë ekrane, drita, skenografi dhe efektet për ta bërë një koncert të jashtëzakonshëm. Por, nuk blejnë dot tri orë repertor që publiku e njeh nga fillimi në fund. Nuk u mësojnë 25 mijë njerëzve tekstin. Këtu fillon ai që mund të quhet, pa teprim, fenomeni Alban Skenderaj.
Tani që MOTIV po i afrohet përfundimit, bilanci i vënë në dispozicion për turin flet për rreth 100 mijë spektatorë që nga viti 2024. Megjithatë, do të më dukej e varfër ta përkthenim këtë marrëdhënie vetëm në bileta. Një repertor i gjatë e vë artistin përballë vetes në mosha të ndryshme. Duhet të këndojë sërish diçka që e ka shkruar me padurimin e rinisë, ndoshta me bindje që sot do t’i shprehte ndryshe. Edhe dëgjuesi ndërkohë ka lëvizur. Një këngë që dikur i dukej premtim mund t’i tingëllojë sot si kujtim; një tjetër, që e kalonte pa vëmendje, mund ta kuptojë më në fund. Në këtë kuptim, një koncert që përshkon mbi dy dekada krijimtari të jep edhe kënaqësinë e çuditshme të takimit me shijet e tua të dikurshme, pa qenë i detyruar të kthehesh në njeriun që ishe.
Sepse jetëgjatësia në muzikë është shumë më mizore se suksesi. Suksesi të falet ndonjëherë nga koha. Jetëgjatësinë duhet ta fitosh. Dhe Albani ka arritur të ndërtojë një nga repertorët më të qëndrueshëm të pop-it shqiptar, jo vetëm si interpretues, por si kantautor, kompozitor dhe autor i materialit të vet. ‘MOTIV’ nuk mbështetet mbi një katalog të krijuar nga dhjetëra autorë dhe producentë që kanë ndërruar identitetin e artistit nga epoka në epokë. Boshti i tij është i njëjti njeri që shkruan, kompozon dhe këndon.
Mund të kishte mbaruar aty. Por, Albani e paketoi të gjithë koncertin dhe e nisi në udhëtim.
Të njëjtin koncept artistik, të njëjtin produksion, orkestrën, skenografinë, dhe një ekip që, sipas të dhënave të projektit, numëron rreth 70 njerëz. Një show prej afro tri orësh, me 25 instrumentistë dhe muzikë live nga fillimi deri në fund.
Katër net radhazi në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë. Pastaj Unipol Forum në Milano, Hammersmith Apollo në Londër, dy net në Porsche Arena në Stuttgart, Galatsi Olympic Hall në Athinë, THE HALL në Zurich dhe, së shpejti, Annexet Arena në Stockholm.
Ne kemi qenë gjithmonë zemërgjerë me fjalën “turne” duke u mjaftuar me disa data në disa shtete, krah disa flamujve në postera. Por “MOTIV” nuk është vetëm Alban Skënderaj që këndon në një club jashtë Shqipërisë. Është një produksion shqiptar që zhvendoset i plotë nga një shtet në tjetrin dhe hyn në arena europiane pa e zvogëluar veten gjatë rrugës.
Shqiptarët jashtë vendit janë mësuar të mblidhen në ndeshje të kombëtares dhe, fatkeqësisht, në ndonjë radhë konsullate.
“MOTIV” u dha një arsye tjetër.
Mijëra njerëz kanë udhëtuar nga qytete dhe shtete të ndryshme për të qenë në të njëjtën arenë. Për një natë, Milano, Londra, Stuttgart, Athina apo Zürichi janë kthyer në pika takimi të një publiku që jeton larg njëri-tjetrit, por njeh të njëjtat këngë.
Koncerti është bërë një lloj qyteti i përkohshëm shqiptar ku shqiptarët bashkohen për të qenë mes njerëzve që kuptojnë të njëjtën gjuhë, të njëjtat vargje dhe, shpesh, të njëjtën mungesë.
Kjo është arsyeja pse rreth “MOTIV” u krijua edhe diçka që muzikës shqiptare i kishte munguar: një kulturë e vërtetë turneu. Publiku nuk pret më vetëm që artisti të vijë në lokalin më të afërt. Udhëton drejt show-t, planifikon, blen biletën dhe e trajton koncertin si ngjarje.
Për Alban Skënderajn flasim shpesh si për artistin korrekt. I qetë, familjar, larg skandaleve, serioz në punë. Të gjitha të vërteta dhe të gjitha pak të pamjaftueshme. Është thuajse si të lavdërosh një shkrimtar sepse paraqitet në orar dhe të harrosh të flasësh për librat.
Merita e Albanit nuk është vetëm se është sjellë mirë për më shumë se njëzet vjet. Merita është se, gjatë atyre viteve, ka ditur të shkruajë këngë. Jo një apo dy që i mbijetuan rastësisht kohës, por aq sa sot mund të mbajnë një tur historik.
Ai erdhi nga një periudhë kur artistët lindnin në festivale dhe televizion, kaloi në epokën e YouTube, të streaming dhe të TikTok-ut, pa u veshur muzikalisht si njëzetvjeçar sa herë ndryshoi moda.
Dhe ky është fenomen.
Fenomeni Alban Skënderaj.



