Eni Çobani rrëfen historinë tronditëse të një çifti të njohur: “Në publik putheshin e përqafoheshin, në familje jetonin një dramë”

Një çift shumë i njohur për publikun shqiptar, një martesë që nga jashtë dukej e lumtur dhe një realitet familjar krejtësisht i ndryshëm. Eni Çobani ka rrëfyer një prej rasteve më të forta që ka hasur gjatë punës së saj si ndërmjetësuese, duke zbuluar një histori që, pavarësisht personazheve të njohur të përfshirë, nuk është bërë asnjëherë publike.
E ftuar në “Grida Duma Podcast”, juristja tregoi se bëhet fjalë për një familje shumë të pasur shqiptare, ku të dy bashkëshortët kishin krijuar marrëdhënie jashtë martesës, ndërsa nga një prej këtyre historive kishte ardhur në jetë edhe një fëmijë.
“Një familje shumë të pasur në Shqipëri, ku unë u ndodha padashur pjesë e ndërmjetësimit të çiftit, ku preka nga afër se çfarë kishte ndodhur në atë familje. Me shumë qetësi më është përcjellë dhe nga bashkëshorti dhe nga bashkëshortja historitë që kishin jetuar edhe pse bashkë në mënyrë të përveçme”, rrëfeu Çobani.
Sipas saj, për një kohë të gjatë bashkëshortët kishin zgjedhur të silleshin sikur nuk e dinin çfarë po ndodhte në jetën e tjetrit, megjithëse realiteti ishte bërë i pamundur për t'u anashkaluar.
“Fatkeqësisht bënin sikur nuk dinin, por në fakt ajo dihej sepse kur je në një çati dhe kur mungon me ditë të tëra dhe kur vjen në jetë dhe një fëmijë që nuk ka atësinë e një personi që ti bashkëjeton, ti duhet ta kuptosh që diçka ka ndodhur.”
Ajo që e kishte tronditur veçanërisht juristen ishte kontrasti mes jetës reale të çiftit dhe imazhit që përcillnin jashtë shtëpisë.
“E them këtë si më të fortën sepse emrat e përfshirë janë emra shumë publikë dhe të njohur. Dhe kjo sigurisht tek unë solli edhe atë tronditjen brenda vetes për të parë dhe kuptuar që si është e mundur, sepse unë ata i kisha takuar herë pas here si ajo familja që vetëm putheshin dhe përqafoheshin dhe ndërkohë ata kishin një dramë brenda familjes, ku sytë e tyre nuk e shprehnin jashtë, por ata vuanin”, tregoi ajo.
Por pse nuk u divorcuan?
Sipas Eni Çobanit, një rol vendimtar në këtë histori luante pasuria. Ndarja e saj do të hapte një tjetër konflikt dhe çifti përfundimisht zgjodhi një zgjidhje të pazakontë: martesa vazhdon ligjërisht, por ata nuk jetojnë më bashkë dhe secili ka vazhduar jetën e tij sentimentale.
“Pasuria ishte elementi për të cilin ata nuk do gjenin kurrë qetësi. Sigurisht arritëm në një zgjidhje. Situata u çlirua, janë të padivorcuar, vazhdojnë në dashuritë e tyre dhe sigurisht që nuk jetojnë fizikisht bashkë, por martesa vazhdon.”
Çobani tregoi gjithashtu se, sipas asaj që kishte mësuar gjatë ndërmjetësimit, bashkëshortja kishte përjetuar më rëndë situatën. Marrëdhëniet e përsëritura jashtëmartesore të bashkëshortit, sipas saj, e kishin shtyrë edhe gruan të vepronte në të njëjtën mënyrë.
“Traumën më të madhe e përjetonte bashkëshortja. Arritja e saj deri në ato pika, deri në ardhjen e një fëmije, ishte pak në inat të marrëdhënieve të herëpashershme të bashkëshortit. Pra nuk flasim për një person që kishte vetëm një njeri, por kishte disa dhe kjo çonte ujë në pjesën e gruas, e cila vendosi gjithashtu të bënte të njëjtën gjë.”
Juristja nuk zbuloi identitetin e çiftit dhe theksoi se historia nuk ka dalë asnjëherë në publik. Për këtë arsye, çdo përpjekje për ta lidhur rrëfimin me emra konkretë do të mbetej vetëm spekulim.
Ajo që mbetet nga rrëfimi i saj është kontrasti i fortë mes imazhit publik dhe asaj që mund të ndodhë pas dyerve të mbyllura: një çift që para të tjerëve “puthej dhe përqafohej”, ndërsa privatisht kishte kohë që jetonte dy jetë të ndara.



