Elton Ilirjani nderon Parashqevi Simakun në New York Fashion Week, “E duam lumturinë” pushton pasarelën

Një fustan rozë, tingujt e “E duam lumturinë” dhe kujtimi i një prej figurave më ikonike të muzikës shqiptare. Parashqevi Simaku u bë pjesë e New York Fashion Week përmes një homazhi të menduar deri në detaje, me Elton Ilirjanin protagonist në pasarelë.
Gjithçka ndodhi gjatë prezantimit të koleksionit “REMEMBER AW27” nga Poet-Lab i Giuseppe Iacofanos, me produksion të Global Fashion Collective. Vetë titulli “Remember” përcaktonte edhe frymën e koleksionit: një udhëtim përmes kujtesës, historive dhe figurave që koha nuk arrin t’i zbehë.

Dhe mes këtyre figurave ishte edhe Parashqevi Simaku.
Ideja lindi pikërisht nga Elton Ilirjani, i cili i kishte treguar stilistit Giuseppe Iacofano historinë e këngëtares shqiptare dhe vendin e veçantë që ajo vazhdon të ketë për publikun në Shqipëri dhe Kosovë.

Për Iacofanon, ndërkohë, Shqipëria nuk ishte një referencë krejt e panjohur. Gjatë një vizite të mëparshme në vend, ai kishte realizuar së bashku me Eltonin disa sete fotografike në lokacione ikonike shqiptare, duke krijuar kështu një lidhje që këtë herë u zhvendos nga Shqipëria në pasarelat e New York-ut.
Referencat ndaj Parashqevi Simakut nisën që në hapjen e show-t. Shfaqja u çel me dy fjali të shkëputura nga një intervistë e saj e viteve ’90, ndërsa një fotografi e këngëtares duke performuar gjatë viteve ’80 ishte përfshirë në moodboard-in që frymëzoi koleksionin.

Por homazhi mori formën e tij të plotë në finale.
Elton Ilirjani u shfaq në runway me një fustan rozë me siluetë engjëllore, ndërsa në sfond nisën të dëgjoheshin tingujt e “E duam lumturinë”, kënga me të cilën Parashqevi Simaku fitoi Festivalin e Këngës. Dalja ishte konceptuar si një rikthim simbolik te një prej imazheve më të njohura të artistes dhe njëkohësisht si një përkthim i tij në gjuhën e modës.
Një fragment i memories kolektive shqiptare, këtë herë në një pasarelë të New York-ut.

Në sallë ndodhej edhe një prej figurave që ka shkruar historinë e modës amerikane, Fern Mallis, themeluesja e New York Fashion Week, e cila ndoqi prezantimin së bashku me një drejtues të CFDA.
Kështu, “REMEMBER AW27” nuk mbeti vetëm një koleksion mbi kujtesën në kuptimin abstrakt të saj. Për disa minuta, kujtesa kishte një emër, një ngjyrë dhe një këngë: Parashqevi Simaku, rozë dhe “E duam lumturinë”.
Nga skena shqiptare e viteve ’80 në pasarelën e New York Fashion Week, një imazh i ruajtur prej dekadash në kujtesën e shqiptarëve gjeti një jetë tjetër, këtë herë përmes modës.

Fotografitë: Getty Images / Arun Nevader
Poet-Lab: Giuseppe Iacofano



