Elton Ilirjani mbyll NYFW mes ovacionesh, pesë sfilata dhe pesë versione të ndryshme në pasarelë

Pesë sfilata brenda një edicioni të New York Fashion Week dhe një finale mes ovacionesh. Sezoni i fundit në New York ishte për Elton Ilirjanin më shumë sesa një tjetër paraqitje në kalendarin ndërkombëtar të modës: ishte një rikonfirmim i prezencës së tij si supermodel në pasarelë.
Ilirjani u bë pjesë e pesë shfaqjeve, duke kaluar nga një estetikë në tjetrën dhe duke marrë përsipër role krejt të ndryshme brenda koleksioneve.

Rrugëtimi nisi me Poet-Lab dhe koleksionin “REMEMBER”, një prezantim që këtë herë kishte edhe një lidhje të veçantë me Shqipërinë. Koleksioni përfshiu një dedikim për Parashqevi Simakun, duke e kthyer kujtesën në pikënisjen e gjithë narrativës së shfaqjes.
Më pas erdhën Maison de Arabasque dhe Malan Breton. Për këtë të fundit, Ilirjani u shfaq në një version krejt tjetër, me një look me frymë kauboj që sillte një tjetër karakter në pasarelë.



Ndryshimi i regjistrit vazhdoi me Story Wear Continues, nga një prej emrave të njohur të skenës së modës në Tajvan. Edhe këtu, Ilirjani iu përshtat gjuhës vizuale të koleksionit, duke treguar pikërisht atë që kërkohet nga një model në runway: jo ta bëjë çdo veshje pjesë të të njëjtit personazh, por të ndryshojë personazh bashkë me të.
Kulmi erdhi në ditën e fundit të New York Fashion Week.

Për TARMAFIA, stilistin me bazë në Bangkok, Ilirjani u bë pjesë e “One Night in Bangkok”, duke e mbyllur sezonin me një dalje që solli një prej reagimeve më të forta të publikut. Ovacione, brohoritje dhe duartrokitje shoqëruan paraqitjen e tij, ndërsa nga shfaqja ai u cilësua edhe si “the star of the show”.


Nga Poet-Lab te TARMAFIA, pesë sfilatat nuk kishin shumë të përbashkëta estetikisht. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe suksesi i këtij sezoni për Elton Ilirjanin: pesë stilistë nuk morën pesë versione të së njëjtës dalje, por pesë interpretime.
Pas Tokyo Fashion Week dhe angazhimeve të tjera ndërkombëtare, New York sjell kështu një tjetër kapitull të rëndësishëm për të. Vetëm se këtë herë përfundimi kishte diçka më shumë: një pasarelë, një sallë në këmbë dhe ovacionet e qytetit që Elton Ilirjani vazhdon ta quajë shtëpi.




