Dy shqiptarë tentojnë të grabisin rezidencën e Princit William dhe Kate Middleton

Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar në Angli, pasi dyshohet se kanë tentuar të grabisin rezidencën private të Princit William dhe Kate Middleton në Norfolk.
Sipas mediave britanike, të arrestuarit janë M.Doku, 34 vjeç, dhe A.Ndoci, 32 vjeç. Ata dyshohet se kanë hyrë pa leje në pronën Anmer Hall mbrëmjen e së hënës, me qëllim kryerjen e një vjedhjeje.
Pas një telefonate për lëvizje të dyshimta pranë pronës, policia ndërmori një operacion kërkimi ku u angazhuan efektivë të specializuar, qen policie, dronë dhe një helikopter. Dy shqiptarët u arrestuan pak para orës 21:00 në territorin e Sandringham.
Ata akuzohen për hyrje në një banesë me qëllim vjedhjen dhe shkelje të një zone të mbrojtur. Të dy ndodhen në paraburgim dhe pritet të paraqiten përpara Gjykatës së Magjistraturës në Norwich.
Në momentin e ngjarjes, asnjë prej anëtarëve të familjes mbretërore nuk ndodhej në rezidencë.
Anmer Hall është një pronë madhështore me 10 dhoma gjumi, pishinë private dhe fushë tenisi, e cila iu dhurua Williamit dhe Kate nga Mbretëresha Elizabeth II pas martesës së tyre. Edhe pse banesa kryesore e çiftit ndodhet në Windsor, kjo rezidencë përdoret prej tyre gjatë pushimeve.
Pallati Kensington nuk ka pranuar të komentojë ngjarjen, duke iu referuar çështjeve të sigurisë.



