Dua Lipa mbërrin në Kosovë për Sunny Hill Festival, shijon gatimet tradicionale shqiptare

Dua Lipa ka mbërritur në Prishtinë për edicionin e shtatë të Sunny Hill Festival, i cili ka nisur këtë të premte dhe do të vijojë edhe më 1 dhe 2 gusht.
Artistja me famë botërore e ndau lajmin me ndjekësit përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehu emocionet për rikthimin në Kosovë dhe atmosferën që paraprin festivalin.
Dua zbuloi se një natë më parë kishte vizituar ambientet e festivalit për të parë nga afër përgatitjet finale, duke u shprehur krenare për punën e familjes së saj dhe të gjithë ekipit që qëndron pas organizimit të një prej festivaleve më të mëdha muzikore në rajon.
Përveç përgatitjeve për Sunny Hill, këngëtarja ndau edhe një moment të veçantë nga jeta personale, duke treguar se së fundmi është bërë kumbarë, një ngjarje që, sipas saj, e bëri këtë vizitë edhe më të veçantë.
Në fotot e publikuara nuk munguan as gatimet tradicionale shqiptare. Dua tregoi se po shijon mikpritjen kosovare me një tryezë të mbushur me specialitete si flia, pitja, specat e mbushur, ajvari dhe sallata e freskët, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen e saj të ngushtë me traditat dhe rrënjët shqiptare.
Me mesazhin "Shihemi sonte, Prishtinë!", artistja ka rritur edhe më shumë entuziazmin e mijëra fansave, të cilët pritet të mbushin hapësirat e Sunny Hill Festival gjatë tri netëve të festivalit.



