Dua Lipa flet për herë të parë për dasmën: “Ishte magjike”

Dua Lipa ka folur për herë të parë më hapur për martesën me Callum Turner, duke ndarë disa nga detajet më intime të një prej ditëve më të rëndësishme të jetës së saj.
Në një intervistë për “Vogue Italia”, këngëtarja tregoi se ceremonia kishte qenë pikërisht ashtu siç e kishin ëndërruar dhe se, mes gjithë këshillave që morën për organizimin e dasmës, ajo dhe Callum vendosën të mbanin vetëm dy prej tyre.
Çifti u martua në maj në Old Marylebone Town Hall, në Londër, ndërsa festimet vijuan më pas në Siçili, me një festë treditore në Palermo.
“Dita e dasmës ishte magjike”, u shpreh Dua, duke treguar se një nga gjërat më të rëndësishme për ta kishte qenë të mos humbisnin njëri-tjetrin mes gjithë njerëzve, emocioneve dhe ritmit të asaj dite.
“Vendosëm ta jetonim sikur të ishim edhe ne të ftuar dhe të kërkonim vazhdimisht njëri-tjetrin mes turmës”, tregoi këngëtarja.
Në vend që të kalonin gjithë mbrëmjen duke u përpjekur të përmbushnin pritshmëritë e të gjithëve, Dua dhe Callum zgjodhën ta përjetonin dasmën si një festë të tyren, duke gjetur vazhdimisht momente për t’u rikthyer tek njëri-tjetri.
Edhe Callum Turner ka folur së fundmi për martesën, duke e përshkruar si një nga ditët më të bukura të jetës së tij. Aktori ka treguar se ndihet me fat që ka gjetur një person me të cilin dëshiron të ndajë të ardhmen.
Madje, ai nuk e ka fshehur as dëshirën për të krijuar familje. Në një intervistë të fundit, 36-vjeçari u shpreh se do të donte të bëhej baba dhe të rriste disa fëmijë.
Edhe Dua ka folur më herët për mëmësinë, duke pranuar se është një kapitull që e imagjinon në jetën e saj, por pa dashur ta vendosë në një kalendar të përcaktuar.
Për momentin, çifti po shijon muajt e parë të martesës, ndërsa pas një historie që nisi larg zhurmës dhe u kthye në një nga romancat më të komentuara të showbiz-it ndërkombëtar, Dua dhe Callum duket se po e jetojnë këtë kapitull të ri pikërisht siç e kanë dashur: bashkë dhe larg presionit për ta bërë çdo gjë perfekte.



