Dua Lipa feston martesën e kushëririt: “Patëm një dasmë të madhe shqiptare!”

Dua Lipa e kaloi fundjavën në Kosovë për një gëzim familjar. Djali i hallës së këngëtares kurorëzoi dashurinë, ndërsa ajo iu bashkua familjarëve në një festë ku muzika dhe vallet shqiptare nuk munguan.
Pasi disa pamje nga dasma kishin nisur të qarkullonin në rrjet, Dua publikoi vetë, më 27 shtator, një album me fotografi dhe video nga ceremonia. Krahas tyre, artistja ndau edhe urimin për çiftin, duke e përshkruar me entuziazëm festën familjare.
“Kushëriri im u martua me gruan e ëndrrave të tij dhe patëm një dasmë të madhe shqiptare!!!”, shkroi ajo.
Në videot e publikuara, këngëtarja shihet duke iu bashkuar valleve dhe duke shijuar muzikën mes njerëzve të saj të afërt. Albumi përfshin momente të ndryshme të dasmës, nga marrja e nuses te festa që pasoi, duke u dhënë ndjekësve një vështrim brenda traditave të familjes së saj.
Për ta mbyllur urimin, Dua zgjodhi një shprehje në shqip. Pas mesazhit në anglisht për kushëririn dhe nusen, ajo shtoi me humor: “Po na rritet rrethi!”



