Drake shfaqet me shqiponjën dykrenare në klipin e ri, lidhjet e tij me shqiptarët nuk janë vetëm simbolike

Drake ka zgjedhur sërish një simbol shqiptar për një paraqitje muzikore. Në videoklipin e “Ya Hit”, reperi kanadez shfaqet me një varëse të madhe të artë, në qendër të së cilës dallohet shqiponja dykrenare. Aksesori ka tërhequr vëmendjen e fansave shqiptarë, duke rikthyer kureshtjen për lidhjen e tij me vendin tonë.
Projekti muzikor bashkon Future, Drake, Travis Scott dhe Loe Shimmy. Videoklipi u publikua më 10 nëntor, pas daljes së këngës pak ditë më parë.
Kjo nuk është hera e parë që Drake përdor shqiponjën dykrenare. Në nëntor të vitit 2023, në videoklipin e “Polar Opposites”, ai u shfaq me një xhaketë të kuqe me shqiponjën e zezë në shpinë. Në tekstin e këngës përmendet edhe Prishtina, ndërsa pas publikimit reperi falënderoi producentin shqiptar Gentuar Memishi me fjalët: “Bravo shqipe”.
Memishi, i njohur profesionalisht si GENT!, është një nga bashkëpunëtorët shqiptarë të Drake. Ai ka kontribuar në këngët “Privileged Rappers”, “Calling For You”, “What Would Pluto Do” dhe “Polar Opposites”. Pra, përtej simboleve në veshje dhe aksesorë, ekziston edhe një lidhje konkrete profesionale me krijues shqiptarë.
Një tjetër emër është Qendresa, artistja me origjinë nga Kosova, e cila ka bashkëpunuar me të në “Slap the City”. Në një intervistë për Billboard, ajo kishte treguar se kontakti i tyre nisi përmes Instagramit dhe më pas u kthye në shkëmbim materialesh muzikore.
Drake nuk ka shpjeguar çfarë e shtyu të zgjidhte shqiponjën për varësen e klipit të ri. Por kjo paraqitje i shtohet një historie që përfshin tashmë simbole shqiptare, një përmendje të Prishtinës dhe bashkëpunime muzikore. Arsyet personale pas këtyre zgjedhjeve mbeten të panjohura.



