Drake në Shqipëri në vitin 2027? Alessio Alia zbulon çfarë di dhe u përgjigjet aludimeve për një romancë

Nga Class• 13 November 2026

Drake në Shqipëri në vitin 2027? Alessio Alia zbulon

Drake mund ta përfshijë Shqipërinë në turneun e tij të ardhshëm. Kështu është shprehur Alessio Alia në emisionin “Shqipëria Live”, ku u diskutua lidhja e reperit kanadez me shqiptarët dhe përdorimi i shqiponjës dykrenare në projektet e tij muzikore.

Alia tregoi se ka informacion për një vizitë të mundshme gjatë vitit 2027, por zgjodhi të mos zbulonte se kush ia kishte komunikuar.

“Drake do të vijë edhe në Shqipëri. Kam informacion dhe nuk do të flas shumë, nuk do të them se kush. Ma merr mendja se ky ka turneun vitin tjetër dhe mund të jetë në Shqipëri. Ma merr mendja 90% po”, deklaroi ai.

Gjatë bisedës, ku të ftuar ishin edhe Aldor Nini dhe Xhani Demika, Alia e lidhi afrimitetin e Drake me shqiptarët me miqësi të hershme në Kanada. Sipas tij, reperi ruan mirënjohje për njerëzit që i kanë qëndruar pranë përpara se të bëhej i famshëm.

“Ka një shoqëri shumë të mirë me shqiptarët kur ka jetuar në Kanada dhe ka një dashuri shumë të madhe për Shqipërinë. E tregon herë pas here këtë dashuri që ka për vendin tonë. Për sa informacione kam, ai i bën këto gjëra para Festës së Flamurit. Është rritur me disa çuna nga Kosova dhe veriu i Shqipërisë. Është rritur me ta në Kanada dhe ka shoqëri shumë të fortë. Nuk i harron asnjëherë, sepse gjërat që kanë bërë për të kur nuk ka qenë i famshëm, nuk ua ka harruar asnjëherë. Drake e do shumë Shqipërinë. Kam folur disa herë me të kur kam bërë turin në Evropë”, u shpreh Alia.

Ai kujtoi edhe një bisedë me artistin, gjatë së cilës i kishte folur për vëmendjen që u jep shqiptarëve. Për Alian, shfaqja e shqiponjës në projektet e Drake është një gjest që meriton të vlerësohet edhe nga artistët shqiptarë.

“Drake, për sa kam folur, ka respekt shumë të madh, sepse i di për burra që e mbajnë fjalën dhe kanë qenë gjithmonë aty për të. Një herë, kur i thashë: ‘Drake, je si Mother Teresa për Shqipërinë’, ai më tha: ‘No way’. Kështu që i bën përshtypje shumë, sepse e dashuron shumë pjesën e shqiponjës. Do t’u japë një mësim shqiptarëve, sepse gjithmonë, nga fillimi deri në fund, e ka bërë klipin me shqiponjën. Nuk kam parë një këngëtar shqiptar që ta ketë flamurin nga fillimi deri në fund. Them të drejtën se duhet të mësojnë shumë shqiptarë nga ky”, tha ai.

Biseda preku edhe aludimet se pas interesimit të reperit për Shqipërinë mund të qëndrojë një histori dashurie. Alia e kundërshtoi këtë ide, duke thënë se Drake nuk ka qenë i dashuruar me një vajzë shqiptare dhe se afërsia e tij lidhet me miqësitë dhe pëlqimin për shqiponjën e flamurin shqiptar.

Xhani Demika, ndërkohë, e pa si të mundshme një romancë, por e paraqiti këtë si përshtypjen e tij, jo si një informacion të konfirmuar.

“Drake është artist i madh. Uroj që të vijë në Shqipëri, siç kanë ardhur artistë të tjerë botërorë. Unë kam përshtypjen që ai do të ketë lidhje me një vajzë shqiptare, është dashuruar aq keq dhe ajo do t’i ketë treguar aq shumë për Shqipërinë. Pse të mos vijë për pushime në Shqipëri?”, u shpreh Demika.

Një këndvështrim më të rezervuar solli Aldor Nini. Sipas tij, përdorimi i simboleve kombëtare nga një artist ndërkombëtar duhet parë edhe si një mënyrë për të tërhequr vëmendjen e një audience të caktuar, pa i dhënë domosdoshmërisht një shpjegim personal apo romantik.

Sa i përket ardhjes në Shqipëri, gjatë bisedës nuk u dha një datë, një vend koncerti apo një njoftim nga ekipi i Drake. Për momentin, mundësia e një vizite në vitin 2027 mbështetet te deklarata e Alessio Alias, i cili shprehu bindjen se reperin mund ta shohim së shpejti edhe përpara publikut shqiptar.

Intervistë

Prapaskenat e setit fotografik për kopertinën e këtij muaji

Beauty Tutorial

Si të arrini grim natyral për përditshmëri në 5 minuta

Vlog

Një ditë në Javën e Modës në Paris me të ftuarit tanë

Street Style

Trendet kryesore të rrugës që dalluam këtë sezon