Donald Trump flet për largimin e Harry dhe Meghan

Donald Trump ka komentuar rikthimin e Princit Harry dhe Meghan Markle në Londër, duke u shprehur hapur kundër vendimit të familjes mbretërore për t’i afruar sërish me të.
Gjashtë vjet pas Megxit, kthimi i Dukës dhe Dukeshës së Sussex-it në Britani ka rikthyer edhe një herë debatin mbi marrëdhënien e tyre me familjen mbretërore. Nuk dihet ende si e ka pritur personalisht Mbreti Charles këtë zhvillim, por mundësia për të kaluar më shumë kohë me nipërit Archie dhe Lilibet shihet si një nga aspektet më personale të gjithë historisë.
Megjithatë, ndërsa Buckingham Palace vazhdon t’i përmbahet linjës tradicionale “never complain, never explain”, Trump nuk ka pasur të njëjtën përmbajtje.
“Ishin shumë mosrespektues ndaj familjes mbretërore”
I pyetur në Shtëpinë e Bardhë për Harry-n dhe Meghan-in dhe vendimin e tyre të dikurshëm për t’u larguar nga Mbretëria e Bashkuar, presidenti amerikan tha:
“Jam i kënaqur. Nuk kam qenë fans i tyre.”
Më pas shtoi:
“Mendoj se kanë qenë shumë mosrespektues ndaj familjes mbretërore. Nuk më ka pëlqyer.”
Trump ka folur edhe më herët me tone pozitive për marrëdhënien e tij me monarkinë britanike dhe këtë herë rikujtoi lidhjet me Mbretëreshën Elizabeth dhe Mbretin Charles.
“Kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyer me Mbretëreshën. Vërtet, vërtet të shkëlqyer. E kam njohur shumë mirë. Kam gjithashtu një marrëdhënie shumë të mirë me Mbretin Charles.”
Pastaj erdhi komenti më i drejtpërdrejtë:
“Po të isha familja mbretërore, nuk do t’i kisha pranuar sërish.”
Frika nga një “oborr paralel”
Sipas disa komentatorëve mbretërorë të cituar nga mediat britanike, një nga shqetësimet që mund të ekzistojë brenda familjes mbretërore është se Harry dhe Meghan mund të krijojnë një lloj “oborri paralel”, duke ruajtur një profil publik shumë të lartë pa qenë working royals.
Në këtë skenar, vëmendja mediatike që shoqëron çiftin mund të konkurrojë me angazhimet zyrtare të familjes mbretërore dhe veçanërisht me figurat e Princit William dhe Catherine.
Megjithatë, kjo mbetet një interpretim i komentatorëve mbretërorë dhe jo një qëndrim i konfirmuar publikisht nga Princi William apo Buckingham Palace.
Çfarë do të bëjnë Harry dhe Meghan në Londër?
Edhe pas rikthimit të tyre, mbeten shumë pikëpyetje.
Nuk është ende e qartë se ku do të vendosen, sa gjatë do të qëndrojnë dhe çfarë roli do të kenë në raport me familjen mbretërore.
Një rikthim formal si working royals duket i përjashtuar, por prania e tyre në Britani mund të krijojë një situatë të re dhe të vështirë për t’u menaxhuar nga Pallati.
Eksperti mbretëror Richard Fitzwilliams ka argumentuar se një nga problemet mund të jetë pikërisht mbivendosja mediatike.
Sipas tij, ekziston rreziku që angazhimet zyrtare të Kurorës të errësohen nga vendimet, lëvizjet dhe projektet e Harry-t dhe Meghan-it.
“Makthi për Pallatin është se çifti nuk mund të kontrollohet”, ka thënë ai për Fox News Digital.
Me fjalë të tjera, Harry dhe Meghan mbeten figura autonome, me projekte, media dhe aktivitet tregtar jashtë strukturës së familjes mbretërore.
Dhe kjo e bën çdo afrimitet me Pallatin më kompleks.
Charles mes familjes dhe institucionit
Për Mbretin Charles, situata është ndoshta më e ndërlikuar se për këdo tjetër.
Nga njëra anë është kreu i monarkisë.
Nga ana tjetër është një baba që prej vitesh përballet me një marrëdhënie të vështirë mes dy djemve të tij.
Sipas raportimeve mediatike, Charles vazhdon të shpresojë që një ditë Harry dhe William të arrijnë një lloj pajtimi, ndërsa rikthimi i Harry-t në Londër mund t’i japë gjithashtu mundësinë të ketë më shumë kontakt me Archie-n dhe Lilibet-in.
Por përtej dëshirave private, çdo hap i familjes mbretërore duhet të menaxhohet edhe në plan institucional.
Dhe pikërisht këtu qëndron problemi.
Një gjest familjar mund të lexohet si sinjal politik apo institucional.
Një takim privat mund të kthehet menjëherë në titull global.
Një afrim mund të interpretohet si rikthim.
Donald Trump, në këtë rast, nuk ka lënë shumë vend për interpretime.
Sipas tij, dera nuk duhej të ishte hapur fare.



